Tintoretto, ‘I furishmi’ i Rilindjes italiane, piktori i kontrasteve të forta midis dritës dhe errësirës

Nga Albert Vataj

Me guximin për të pikturuar edhe falas, vetëm që të hynte në garën e përjetësisë, me një zell të pamëshirshëm ndaj vetes dhe telajos, me “Parajsën” monumentale që ende sot mbetet piktura më e madhe e realizuar ndonjëherë në kanavacë – Tintoretto e bëri artin një akt rebelimi, një rrëfim ekstaze, një përleshje me përjetësinë.

Sot, më shumë se katër shekuj pas ikjes së tij, nuk e kujtojmë vetëm për veprat që la pas, por për mënyrën se si e tronditi konceptin e bukurisë klasike dhe e zgjeroi fushën e ndjeshmërisë njerëzore. Tintoretto mbetet një artist që nuk pranoi të ishte spektator i kohës së tij – por u bë vetë skenë, shpërthim dhe rrëfim. Një stuhí që nuk u shua kurrë.

Më 31 maj 1594 u shua një nga gjigandët e penelit dhe shpirtit të trazuar të Rilindjes italiane, Jacopo Comin, i njohur përjetësisht me nofkën Tintoretto – një emër që bart gjurmën e thirrjes së tij fillestare, si biri i një bojaxhiu (tintore). Quhej ndryshe edhe “Il Furioso”, për stilin e tij shpërthyes, për dinamizmin dramatik të kompozimeve dhe pasionin e përvëluar që e shtyu të sfidonte kufijtë e pikturës së kohës së vet.

Ai ishte një ndër përfaqësuesit më të zëshëm të Shkollës veneciane, një shpirt rebel në mënyrën më krijuese të fjalës, i cili theu elegancën statike të Rilindjes së hershme me një ritëm të ri: lëvizës, emocional, shpeshherë të trazuar. Veprat e tij, të përshkruara nga një energji e vrullshme dhe një ndjeshmëri e tejskajshme dramatike, e çojnë shikuesin në një univers ku figurat muskulore, gjestet ekstreme dhe drita e errët veneciane ndërthuren në një poezi vizuale që nuk kërkon vetëm vëmendjen, por kërkon shpirtin tënd.

Nën qiellin e Venecias, Tintoretto ndërtoi një galeri të paharrueshme skenash epike: Shën Marku që zbret për të shpëtuar një skllav, Darka e Fundit në një kompozim kaotik dhe të jashtëzakonshëm, Krishti midis dishepujve, apo autoportretet ku nuk është vetëm fytyra, por drama e brendshme që e shfaq piktorin si subjekt dhe si shikues njëkohësisht. Ai shkatërroi kufijtë ndërmjet skenës së pikturuar dhe realitetit të spektatorit, duke hapur rrugën për një përvojë vizuale që nuk ishte më vetëm shikim, por përjetim.

I pari nga 21 fëmijët e familjes Comin, Tintoretto hyri herët në rrugën e artit, dërguar në studion e Titian-it, që mendohet se e përzuri për shkak të talentit të frikshëm që pa tek i riu. Nga ai çast, ndonëse i përjashtuar nga mjeshtri i madh, ai mbeti një admirues i heshtur dhe rebel i tij. Mbi derën e studios së vet, Tintoretto shkroi një moto që përmblidhte idealin e tij: “Vizatimi i Michelangelo-s dhe ngjyrat e Titian-it” — një sintezë e dy gjigantëve që ai deshi t’i tejkalonte me forcën e shpirtit të vet krijues.

Në një kohë kur arti ishte privilegj dhe konkurrenca e egër, Tintoretto pikturonte edhe pa pagesë, vetëm për të gdhendur emrin e tij në murin e përjetësisë. Madje në konkurse prestigjioze si ato për Shkollën e Madhe të San Rocco-s, ai irritoi rivalët me pikturime falas, por që mbetën të pashlyeshme. Më vonë, në bashkëpunim me Veronese-n, do të realizonte cikle monumentale që ende sot çudisin për madhësinë dhe gjallërinë e tyre.

Kryevepra e tij “Parajsa”, e realizuar për Pallatin e Dogëve, është piktura më e madhe mbi kanavacë që ka njohur ndonjëherë historia e artit — një spektakël i dritës dhe hijes, i lavdisë qiellore dhe ankthit njerëzor.

Me Tintoretto-n, arti nuk ishte më vetëm pasqyrë e bukurisë ideale. Ai e ktheu pikturën në skenë të shpirtit, në një teatër të trazuar ku drama njerëzore përjetësohej me furinë e penelit dhe thellësinë e përvojës. Me të, epoka e Rilindjes mori një kthesë – drejt së ardhmes, drejt shpërthimeve baroke dhe abstraksioneve moderne.

Tintoretto nuk ishte vetëm një piktor. Ishte një zjarr që dogji rregullin për të lindur pasionin. Ai nuk punoi për të qenë i kuptuar nga koha e tij — ai pikturoi për përjetësinë. Dhe më 31 maj të vitit 1594, ai nuk vdiq – thjesht u tërhoq nga skena, për të jetuar përgjithmonë në galerinë e pavdekësisë./ KultPlus.com