Veliaj në Gjenevë, prezanton transformimin e Tiranës në Forumin e OKB-së për qytetet

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në Forumin e kryetarëve të Bashkive në OKB Gjenevë (UNECE Forum), ku prezantoi transformimin e Tiranës me një sërë projektesh novatore dhe nismat e gjelbra, për rritjen e cilësisë së jetës në kryeqytet.

Veliaj ishte dhe bashkëdrejtuesi i seancës që hapi sesionin e dytë të Forumit, ku u bënë bashkë kryebashkiakë të shumë qyteteve europiane, si Vilnius, Riga, Madrid, Ghent etj. Në këtë sesion u shfaq vizioni i krerëve lokalë për të ndërtuar komunitete të qëndrueshme.

Në fjalën e tij, në selinë e OKB në Gjenevë, Veliaj theksoi se Tirana vendosi t’i bashkohet qyteteve si Parisi, Milano dhe Londra, të cilat përshtatën strukturën e qyteteve me nevojat pas pandemisë për zhvillim të qëndrueshëm.

Më shumë korsi të dedikuara për biçikletat, trotuare më të gjera, autobusë hibridë për transportin publik, stacione karikimi për makinat elektrike, stimuj fiskalë për lëvizjen elektrike dhe ditët pa makina, Pylli Orbital, mbjellja e 2 milionë pemëve, si dhe lagjet “15 min” të projektuara nga Casamonti dhe Boeri, ishin disa nga nismat që përmendi kryebashkiaku i Tiranës, te cilat po ndodhin në kryeqytetin shqiptar.

Veliaj tha se projekte zhvilluese dhe transformuese si Piramida dhe nisma të tjera që i çojnë të rinjtë drejt teknologjisë, i kanë dhënë një tjetër hov Tiranës së të ardhmes.

Kryebashkiaku nuk la pa përmendur edhe solidaritetin e kryeqytetit shqiptar për çka po ndodh në Ukrainë. “Tirana qëndron në krah të Ukrainës! Në këto kohë dramatike, donim të tregonim miqësinë tonë si dikur për hebrenjtë, vëllezërit tanë kosovarë dhe afganët vitin e kaluar, sepse ne vijmë nga i njëjti djep ku lindi Shën Tereza jonë, një ikonë e shqiptarëve, e dashurisë së Zotit, të varfërve dhe atyre në nevojë në mbarë botën”, tha Veliaj në OKB, duke veçuar faktin se në Tiranë një rrugë pranë ambasadës ruse dhe serbe ka marrë emrin “Ukraina e Lirë”. Ai përmendi se në datën 8 prill në Tiranë është thirrur edhe një manifestim i madh në mbështetje të popullit ukrainas.

Veliaj e mbylli fjalën e tij me një ftesë për të vizituar Tiranën, Kryeqytetin Europian të Rinisë për vitin 2022. /atsh / KultPlus.com

Sot interpretohet premiera shqiptare e veprës së Librun Jupollit në festivalin pianistik PIANODROM

Sot interpretohet premiera shqiptare e veprës së Librun Jupullit, “Micro-suite en blanc et noir” në festivalin pianistik PIANODROM në Tiranë.

Vepra për piano solo është shkruar enkas për garën e kompozitorëve të rinj në Conservatoire Frédéric Chopin në Paris më 2015 ku vepra mori vendin e dytë (pa vend të parë) me premierë në Konsevratorin “Chopin” nga pianistja koreane Soyeon Kwon.

Faleminderit Aleksandër Peçi për ftesën në festival dhe faleminderit për Z.Kristina Petrollari Ina Piano për interpretimin e veprës.

Në pamundësi të jem prezent në koncert, ju dëshiroj koncert të suksesshëm të gjithë ekipit të festivalit dhe kolegëve tjerë!“, ka shkruar kompozitori Jupolli në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Shfaqet premiera e ‘007: No time do die’ në Tiranë, Veliaj: ‘Sprint’ marrëdhëniesh mes Shqipërisë e Britanisë së Madhe

Filmi i fundit i Daniel Craig në rolin e James Bond,  pati mbrëmë premierën e tij edhe në kryeqytetin shqiptar.

Në një event të organizuar me detaje, që të fusnin në atmosferën e filmit më të famshëm britanik, Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadori i ri i Britanisë se Madhe në Shqipëri, Alastair King-Smith, ishin mikpritesit e veçante te të ftuarve VIP, te cilet u bene pjese te shfaqjes premiere.

Në fjalën e mbajtur në fillim të eventit, Veliaj tha se me premierën e këtij filmi nis edhe një “sprint” marrëdhëniesh mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe.

“Kemi kaluar një situatë shumë të vështirë me 2 tërmetet, me pandeminë, por tani është koha që të rihapemi, është koha të festojmë, të njohim miqtë, të fillojmë nga e para dhe është koha të ringrihemi. Me këtë aktivitet të parë, jo vetëm bëjmë prezantimin e ambasadorit të ri britanik në Tiranë, por fillojmë edhe një stinë aktivitetesh, që vetëm fillimin e ka te filmi i sotëm”, nënvizoi Veliaj.

Ai shtoi se vitin tjetër ku Tirana është “Kryeqyteti Europian i Rinisë”, do zhvillohen rreth 1 mijë aktivitete, shumë prej te cilave do te jenë në bashkëpunim me Britaninë e Madhe.

Ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith tha se kjo premierë filmi, është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të mëtejshëm mes Shqipërisë dhe Britanisë.

“Po e nisim me një nga filmat më të mirë që përfaqëson kulturën britanike, në mënyrë që të afrojmë sa më shumë Shqipërinë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Kjo jo vetëm në rangun e qeverive, por gjithashtu edhe bashkimin e njerëzve. Ndaj, do të shohim mënyrat për të ndërtuar marrëdhënie të përbashkëta më të forta dhe më të ngushta mes dy vendeve”, pohoi Smith.

Të gjithë të ftuarit u paraqitën në event me certifikatën e vaksinimit të Covid 19.

Filmi i “James Bond” “No time to die” pati premierën e tij botërore në Londër, 18 muaj më vonë nga sa ishte planifikuar sepse u vonua nga pandemia. “No Time To Die” është dalja e pestë e aktorit britanik, Daniel Craig si 007. /atsh/ KultPlus.com

Promovohet vepra letrare e shkrimtarit Buxhovi në Tiranë

Vepra letrare e shkrimtarit Jusuf Buxhovi do të promovohet në Tiranë, më 12 tetor nga Qendra Kombëtare e Librit.

Gjatë vizitës së djeshme QKLL-së, me ç’rast shkrimtari Buxhovi i shoqëruar nga botuesi Ramiz Tafilaj dhe bashkëbotuesi Milaim Abdullahu, u prit nga drejtoresha Alda Bardhyli e ku ishte i pranishëm edhe shkrimtari i njohur Besnik Mustafaj, u arrit marrëveshja që promovimi të jetë pjesë e aktiviteteve të librit që organizohen në Tiranë nga Qendra.

Me këtë rast Alda Bardhyli tha se promovimi i veprës letrate të shkrimtarit të mirënjohur Buxhovi, i ofrohet për herë tën parë në mënyrë komplete dashamirëve të letërsisë në Tiranë po edhe në Shqipëri, gjë që ndihmon pamjen e gjithmbarshme të mozaikut të letërsisë shqiptare që krijohet në hapësirën e saj gjuhësore. / KultPlus.com

Placido Domingo dhe Ermonela Jaho do të performojnë në sallën e re të Teatrit të Operas dhe Baletit

Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit do të mbahet një mbrëmje gala më 15 shtator, në kuadër të rikonstruktimit të godinës së teatrit.

Në inaugurimin e teatrit do të ngjiten në skenë të famshmit Placido Domingo dhe Ermonela Jaho. Ndërsa orkestra do të drejtohet nga dirigjenti anglez Martin Andre.

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi bën me dije se shfaqja do të mbahet në orën 19:00, teksa thekson se mezi po pret që të ngrihet perdja e skenës.

“Mirëmëngjesi dhe me padurimin e ngritjes së perdes së skenës së Teatrit të Rilindur Kombëtar të Operas e Baletit, ku në mbrëmjen e 15 shtatorit do të ngjiten artistë që u rritën aty për të kapur majat e botës, por edhe artistë të huaj të atyre majave të botës, ju uroj të diel të mbarë”, shkruan Rama. / KultPlus.com

Rikthehet ‘Mural Fest’, 20-të artistë nga vende të ndryshme të botës do pikturojnë muret e Tiranës

Mural Fest fillon nesër duke sjellë një numër të konsiderueshëm prej 20 artistësh nga vende të ndryshme të botës që do të pikturojnë dhjetë mure të Tiranës.

Këto godina nga më të lartat do të vishen me ngjyra nga më të ndryshmet duke sjellë një pamje tjetër në artin publik në kryeqytet.

“Vendosëm këtë vit ta bënin bashkë me dekor Tiranën. Mu kërkua të bëj kuratorin dhe unë atë e ndaj me një nga djemtë më me eksperiencë, Qirjako Jozifidhis, me eksterieret e pikturimit, ku ka përfshirë edhe Tiranën. Është një vazhdimësi nga lyerja ekstravagante e viteve 2001 për një rikthim të një pikturimi të pikturës monumentale”, shprehet kuratori Helidon Haliti, transmeton KultPlus.

“Janë ndër dhjetë artistët më në zë të huaj duke nisur nga Case nga Gjermania, Manomatic nga Spanja, Same 84 nga Greqia, WD nga Indonezia, Mattia Campo nga Italia apo Wuper nga Serbia”, shton kuratori.

Projekti do të zhvillohet te Komuna e Parisit, Rruga e Kosovarëve, në unazën e vogël dhe në qendër në Tiranë, në godina që shkojnë deri në 60 metra. /balkanweb/ KultPlus.com

Kur u themelua “Lidhja e Përgjithshme e Arsimtarëve të Shqipërisë”

Më 21 gusht 1924, Kongresi Arsimor i mbajtur në Tiranë, me nismën e mësuesve, themeloi “Lidhjen e Përgjithshme të Arsimtarëve të Shqipërisë”. U botua edhe statuti i Lidhjes me 40 nene.

Lidhja luftonte për zhvillimin e arsimit mbi parimet kombëtare e demokratike.

Pas fitores së Revolucionit Demokratik-Borgjez të Qershorit të udhëhequr nga kryeministri i asaj kohe Theofan Stilian Noli në vitin 1924 u organizua një kongres kombëtar për arsimin, për herë të parë i drejtuar nga vetë mësimdhënësit.

Kongresi u mbajt në datat më 12-21 gusht 1924. Kjo traditë filloi me nismën e arsimtarëve të Normales së Elbasanit; A. Xhuvani, A. Gashi, S. Paparisto, H. Zeka etj..

Nisma gjeti mbështetje të plotë në të gjitha krahinat shqiptare që nga Zara e largët, Gjakova, Shkodra, Tirana, Elbasani, Berati, Vlora, Korça, Gjirokastra etj.. / KultPlus.com

Godina “Sarajet” do të shndërrohet në objekt kulturor publik duke ruajtur vlerat e saj unike

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cilësoi sot akt kriminal ndaj trashëgimisë kulturore, zjarrvënien e qëllimshme në godinën “Sarajet” në Tiranë.

Margariti inkurajoi organet e kompetente të zbardhin ngjarjen dhe të vënë përgjegjësit para ligjit.

Po ashtu, ministrja Margariti u shpreh se duke parë situatën e krijuar, godina do të shpronësohet me procedurë të përshpejtuar.

“Ministria e Kulturës mbështet Bashkinë e Tiranës në nismën për ta shndërruar këtë godinë në një objekt kulturor, publik, duke ruajtur vlerat e saj unike. Falënderojmë për ndërhyrjen e menjëhershme punonjësit e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtim, që luftuan me flakët e zjarrit, punonjësit e Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake, Bashkisë së Tiranës, punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, por edhe çdo qytetar të thjeshtë që ka kontribuar në shuarjen e zjarrit e do të ndihmojnë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje të paprecedentë”, tha Margariti.

Margariti kujtoi se për vlerat e saj arkitektonike dhe historike, godina e shek. XIX, e njohur si “Sarajet”, në rrugën “Alqi Kondi”, u shpall në vitin 1973, monument kulture e kategorisë I.

“Që në orët e para të ditës së sotme nga ana e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Tiranë është bërë kallëzimi pranë Komisariatit të Policisë nr. 1, Tiranë, me dyshimin se bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme, për të zhvlerësuar godinën dhe tjetërsimin e funksionit të saj. Kjo godinë, e cila ka kryer funksionin e Bibliotekës së parë Kombëtare ka qenë pronë e shtetit deri në vitin 2000, kur iu kthye ish-pronarëve të saj.
Së fundmi Bashkia Tiranë kishte nisur procedurat e shpronësimit, për ta shndërruar në një institucion kulturor publik”, tha ajo. / KultPlus.com

Kur qeveria komuniste e Tiranës ndaloi vënien e dhëmbëve prej floriri në Shqipëri

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Tetor 2020

“La Croix” ka botuar, të premten e 21 dhjetorit 1951, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me ndalimin e dhëmbëve prej floriri në Shqipëri nga regjimi diktatorial, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Ndalimi i dhëmbëve prej floriri në Shqipëri

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Një qarkore e re e qeverisë komuniste të Tiranës ndalon përdorimin e arit për dhëmbët artificialë.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Kjo qarkore ishte, aq më tepër, e padobishme, sepse arin e destinuar për këtë përdorim e patën sekuestruar dhe askush nuk guxonte të furnizonte metalin e çmuar për të vënë dhëmbë prej ari pa rrezikuar të konsiderohej trafikant dhe armik i popullit.

https://www.darsiani.com/la-gazette/la-croix-1951-qeveria-komuniste-e-tiranes-ndalon-venien-e-dhembeve-prej-floriri-ne-shqiperi/ / KultPlus.com

60 vjet nga ndërtimi i Murit të Berlinit, Ambasada e SHBA-së në Tiranë publikon fotografi

Ambasada e SHBA-së në Tiranë kujton 13 gushtin 1961 të vendosjes së murit të Berlinit.

“Gjashtëdhjetë vjet më parë si sot (më 13 gusht 1961), Berlini u zgjua i shokuar: Ushtria e Gjermanisë Lindore kishte nisur ndërtimin e murit famëkeq të Berlinit. Simbol i një qyteti të ndarë brenda një vendi të ndarë brenda një kontinenti në ndarë, Muri i Berlinit u ngrit mbi ndasi historike disa dekada të vjetra. Një barrierë telash me gjemba e cila u kthye në blloqe muresh betoni 155 kilometra, Muri i Berlinit ndau Berlinin Perëndimor demokratik nga Berlini Lindor i kontrolluar nga Sovietikët prej vitit 1961 deri në 1989”, shprehet Ambasada e SHBA-së.

Muri i Berlinit mbush sot 60 vite nga dita e ndërtimit të tij duke i vënë një barriere të ngurtë që do ndante jo vetëm Gjermanin, por do mbante gjysmën e Europës në errësirën e regjimit komunist.

Muri filloi të ndërtohej në 13 Gusht 1961 dhe mbaroi në datën 24 Gusht 1962. Muri u ndërtua nga Gjermania Lindore, dhe ndau Berlinin në dy pjesë. / KultPlus.com

Mali me Gropa, fenomeni i rrallë në Shqipëri

Mali me Gropa është një nga fenomenet e rralla të karstit në Shqipëri dhe një ndër më të rrallët dhe në Europë, për nga përmasat dhe shtrirja. Emrin ky mal e ka marrë nga sipërfaqja e sipërme e tij, që është e mbushur me gropa karstike, që janë formuar nga tretja e gurit gëlqëror në epokën e akullnajave.

Është ndër zonat më të reja të shpallura në mbrojtje nga Qeveria Shqiptare. Kjo zonë kufizohet ngushtë me Parkun Kombëtar të Dajtit (të zgjeruar), nga veriperëndimi i saj, dhe është, gjithashtu, ekologjikisht e lidhur ngushtë edhe me pellgun e Bovillës dhe Parkun Kombëtar të Qafështamës, që ndodhen më në veriperëndim, duke qenë vazhdim natyror i njëri-tjetrit.

Këto gropa kanë një thellësi që shkon nga disa dhjetëra metra, deri në mbi 100 metra në zona të caktuara. Disa prej këtyre gropave përfundojnë me puse të cilat zgjerohen në shpella karstike të nëndheshme. Ky mal është “prodhuesi” dhe fillesa e disa përrënjve që përshkojnë rrethin e Tiranës. Nga ky mal furnizohet me ujë burimi i Selitës. Pika më e lartë e tij arrin në 1847.3 metra që quhet dhe maja e Mcekut (njihet dhe e Micekut).

Ai është një destinacion për të gjithë të apasionuarit e ngjitjes malore dhe të skisë. Në dimer ai është pothuaj gjithnjë i mbuluar me borë, që arrin me raste deri në disa metra, duke e bërë të përshtatshëm për sportin e skisë ekstreme. Nuk ka shenja, por ka shtigje që të çojnë deri në lartësinë më të madhe. Mali është kryesisht i zhveshur nga pemët, përveç bimësisë së ulët.

Rruga për tek ai mund të vijojë në dy drejtime Tiranë -Qafëmollë dhe Tiranë – Shenmeri(Shengjergj). Rruga deri në Shenmeri dhe Qafëmollë është kryesisht më mirë. Me pas procedohet në rruge rurale dhe ngjitja në këmbë deri në destinacion. / diasporashqiptare.al / KultPlus.com

“Bëje ose Vdis”, në Tiranë hapet ekspozita kushtuar Ukshin Hotit

Në Kalanë e Tiranës u hap sot ekspozita me titull “Bëje ose Vdis”, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Ukshin Hotit.

Ekspozita përmban fotografi dhe dokumente të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës ku janë pasqyruar fotografi familjare, fotografi nga arsimi që ka kryer, shkrime gazetash dhe revistash, letra të Ukshin Hotit nga burgu si dhe vlerësimet e intelektualëve dhe personaliteteve të rëndësishme për veprimtarinë e tij, etj.

Në këtë ekspozitë të pranishëm ishin Administratorja e Kalasë së Tiranës Klodiana Toptani, Kryeshefi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, të afërm dhe i biri i Ukshin Hotit.

Në fjalën e tij Zyberaj vlerësoi shumë figurën e Ukshin Hotit dhe tha se personaliteti i tij është shumë dimensional.

“Ka qenë publicist, pedagog, drejtues i Institucioneve më të larta, themluesi i Ministrisë për Punët e Jashtme të Kosovës në vitet 70 dhe më pas ka qenë dhe i burgosur politik disa herë. Ekspozita mban titullin Bëje ose Vdis, titull ky i marrë nga një punim i Uklshin Hotit i vitit 1992 me këtë titull”– tha Zyberaj.

Ndërkaq drejtori i Arkivave, Ardit Bido tha se figura e Ukshin Hotit është një figurë madhore bashkëkohore shqiptare.

“Figura e Ukshin Hotit duhet njohur më shumë nga rëndësia e tij pasi profilin e tij intelektual dhe politik e krijoi duke ruajtur të njëjtat standarde të ideologjisë shqiptare”– tha Bido.

Kjo ekspozitë do të qëndroj hapur në Kalanë e Tiranës deri në datën 18 korrik. / atvlive.tv / KultPlus.com

Ermal Meta më 26 korrik koncert në Tiranë

Ermal Meta, këngëtari shqiptar me famë ndërkombëtare në Itali, ka zgjedhur që koncertin e tij të parë pas pandemisë, ta mbajë në 26 korrik në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Lajmin e shumëpritur për të gjithë e dha përmes një bisede online me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vetë artisti kaq i dashur në dy anët e Adriatikut.

“Koncerti është në datën 26 Korrik. Është koncerti i parë që do bëj për këtë vit, por edhe pas pandemisë. Do e bëj në stadiumin e Tiranës me ndihmën tuaj dhe me falënderime nga ana ime,” u shpreh ndër të tjera Ermal Meta.
Kryebashkiaku Veliaj e ka quajtur një lajm fantastik për kryeqytetin, ndërsa veçoi si mjaft të rëndësishëm faktin se kjo do të jetë hapja më e bukur e stinës së koncerteve edhe për Arenën Kombëtare, që nuk ka mundur ende për shkak të pandemisë globale të organizojë evente artistike të përmasave të tilla. Kreu i Bashkisë, i cili këtë videocall e ndau edhe me ambasadorin italian në Tiranë, Fabrizio Bucci, nuk la pa përmendur edhe 30-vjetorin e eksodit të shqiptarëve në Itali.

“Do jetë koncerti i parë në stadium. Jam shumë i lumtur që e hapim stinën e koncerteve, por jam i sigurt që edhe Fabrizio është shumë i lumtur, sepse kanë kaluar plot 30 vjet nga eksodi, momenti ku shumë shqiptarë lanë vendin e tyre për të filluar një jetë të re në Itali, në kushte jashtëzakonisht të vështira, disa me anije, disa me gomone dhe ti je një histori suksesi i atij eksodi,” iu drejtua Veliaj këngëtarit Meta.
Ambasadori Bucci u shpreh se nisja e turit të koncerteve të Ermal Metës ka surprizuar jo vetëm shqiptarët, por edhe italianët të cilët e kanë mirëpritur lajmin.
“Këtu u “çmendën” të gjithë, italianë e shqiptarë. Të gjithë mezi po e presim,” u shpreh diplomati italian.
Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj nënvizoi se ky koncert do jetë falas për të gjithë. “Do hapim një faqe ku njerëzit mund të rezervojnë biletën fizikisht, por vetëm për të rezervuar vendin, pasi na duhet të respektojmë rregullat anticovid. Koncerti do të jetë falas, falë bashkëpunimit edhe me Ambasadën e Italisë në Tiranë dhe Federatën Shqiptare të Futbollit,” deklaroi Veliaj.

“Eksperienca ime me koncertet në Shqipëri ka qenë perfekte. E di që çdo gjë është në duar të sigurta, kështu që mezi pres,” e mbylli bisedën e tij Ermal Meta./ Java News / KultPlus.com

Folklori dhe tradita artistike tiranase ndezin atmosferën tek “Reja”

Mbrëmjen e djeshme në ambientet e “Resë së Tiranës” ka vazhduar “Festivali i Resë” me një mbrëmje të veçantë kushtuar folklorit dhe traditës artistike tiranase.

Për rreth një orë e gjysmë u performuan pjesë nga repertori i muzikës folk të trevës së Tiranës, e cila gjithashtu konsiderohet si një muzikë cilësore dhe profesionale të cilën e ka sjellë një grup i madh artistësh të mirënjohur si mjeshtrat e ahengut të “Ansamblit Tirana-Tirona”.

Allstars – Xhemal Kodra (Moli), Rik Buneci, Iris Bega, Moli i Ganiut, Hekuran Xambali, Adriatik Celmeta, Artur Yzeri, Dritan Hekurani, Gentian Muhaxhiri, Neki Kastrati, Pëllumb Meta, Eraldo Feto, Refail Caka ishin disa nga emrat që sollën atmosferë në mjediset e Resë.

Atmosfera fantastike përfshiu të pranishmit të cilët nuk rezistuan dhe u bënë pjesë duke kërcyer dhe dëfryer nën këta tinguj. /atsh/ KultPlus.com

Antikuarë të rrallë nga Arkiva e Shtetit ekspozohen tek Kalaja e Tiranës

Në mjediset e Kalasë së Tiranës është çelur sot ekspozita “Thesare nga Biblioteka e Arkivit”.

Të pranishëm në këtë ekspozitë të organizuar nga Drejtoria e Arkivave të Shqipërisë ishin edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe drejtori i Arkivit Qendror, Ardit Bido.

Interesant nga kjo ekspozitë vjen fakti që materialet e ekspozuara deri para një viti ndodheshin të magazinuara në thasët e Arkivës megjithëse vlera e tyre si letrare, por edhe historike është e rrallë. Tashmë ato jo vetëm që kanë dalë në dritë por edhe janë bërë pjesë e projektit të digjitalizimit të materialeve me vlerë të arkivit. Tashmë ato mund të aksesohen nga të gjithë nxënësit, qytetarët apo edhe studiuesit e ndryshëm vetëm duke klikuar në faqen e internetit të Arkivit.

Në këto materiale gjenden botime të vjetra që lidhen me historinë, shkencën, botime fetare, letërsinë, fjalori i Sami Frashërit etj., që janë të shkruara në përgjithësi në “Osmanishte” por edhe në “Greqishte”. Këto materiale janë klasifikuar edhe si shumë të rëndësishme, ndaj edhe ndodhen këtu në këtë ekspozitë. Këtu do të gjenden të ekspozuara edhe antikuarë që i përkasin vitit 1600.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për dy ditë ku mund të shihen thesare që nuk mund të shihen herë tjetër.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se e kishte pranuar me shumë kënaqësi ftesën, pasi jo vetëm që kalaja e Tiranës kthehet edhe njëherë si një ambient argëtimi, por edhe hapësirë që flet për artin dhe historinë.

“Gjithashtu edhe për faktin që këto thesare përçojnë vlera të rralla dhe dëshira që kemi ne për t’i parë. Zbulova që nga Arkiva e Shqipërisë është bërë një punë kolosale gjatë vitit të pandemisë duke nxjerrë në pah një bibliotekë të fjetur prej 30 vjetësh. Tashmë janë të digjitalizuar një numër prej 15 mijë titujsh. Arkiva është kthyer si një hapësirë e hapur dhe jo vetëm ku ruhen vlera dhe kjo është bërë duke afruar sa më shumë kategori të ndryshme për ta vizituar. Edhe ne në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare gjatë pandemisë kemi nxjerrë në dritë thesare të rralla të fshehura dhe që na përkasin të gjithëve ne. Nëse nuk do ta bënim këtë gjë, ne nuk do të kishim bërë punën tonë”, theksoi ajo.

Ndërsa drejtori i Arkivave, Ardit Bido falënderoi Ministren e Kulturës, e cila, siç tha ai, ”gjendet gjithmonë krahë ekipit tonë, pavarësisht se ne nuk kemi lidhje administrative”.

“Gjysma e punës së arkivit lidhet me kulturën, kështu që bashkëpunimin  dhe mbështetjen e vlerësoj. Edhe “Kalaja e Tiranës” na ka dhënë një ndihmë për hapësirën që na siguron për punën tonë. Këto antikuarë janë vlerë e kombit tonë e cila ka qenë e fshehur dhe tashmë është e aksesueshme prej të gjithëve. Këto ekspozita kanë vlera të rralla, sepse të magjepsin dhe sjellin sa më afër publikun. Po përpiqemi që t’iu ofrojmë të interesuarve të gjitha materialet të cilat ata kanë interes dhe t’i kenë të disponueshme të gjitha si një “One stop shop”. Ne këtu kemi kopje të cilat janë unike në vendin tonë duke datuar nga shekulli XVI dhe janë pasuri e veçantë. Jam i sigurt që do të mahniteni, sikurse kemi bërë ne kur i kemi parë për herë të parë”, tha Bido./atsh/ KultPlus.com

“Festivali i Resë” në edicionin e pestë sjell ritmin latin në Tiranë

Mbrëmjen e djeshme tek Reja e Tiranës ka vijuar “Festivali i Resë” i cili vjen në këtë mjedis me edicionin e radhës.

Kjo mbrëmje u hap me koncertin e kuartetit të harqeve të RTSH i cili është i përbërë nga Gëzim Bulçari, Blerta Jakova, Albana Axha dhe Gëzim Belegu. Në programin e performancës që ka pasur mbrëmjen e djeshme ky kuartet, kanë qenë kompozitorët më të mirë të muzikës klasike shqiptare ndër vite.

Ndërsa më pas, mbrëmja ka vijuar me “Latin Dance”, zumba me Nikon dhe ka qenë vërtetë një moment i jashtëzakonshëm pasi të gjithë të pranishmit janë bërë pjesë e ritmeve muzikore.

Ky aktivitet përgjatë këtyre netëve, ka rikthyer gjallërinë dhe jetën artistike e dëfrimin në kryeqytet. /atsh / KultPlus.com

2 luanë drejt Venecias”, premierë në amfiteatrin e Tiranës

“2 luanë drejt Venecias” titullohet filmi më i ri shqiptar me regjisor Jonid Jorgjin, i cili u shfaq premierë mbrëmjen e djeshme në amfiteatrin e Tiranës.

Në qendër të ngjarjes janë dy kineastë shqiptarë rreth të 60-ave, të cilët kanë marrë rrugëtimin për në festival të Venecias me filmin e tyre.

Rrugëtimi i tyre kalon me një sërë situatash e të papriturash nga Bari drejt Venecias. Situata, të cilat ndryshojnë dhe botëkuptimin e personazheve.

Qytetarët e pranishëm në premierën e filmit  ndoqën me interes aventurën e dy miqve në shtetin fqinj.

Aktorët Vasjan Lami dhe Kastriot Çaushi interpretojnë dy personazhet kryesorë, ndërsa interpretojnë edhe Luli Hoxha, Marjana Kondi, Albana Sançolli, Armand Xhuli, Alessandra Bonarotta, Dario Frappampina, Erjon Hodo, Grei Dajlanaj, Arjeta Dhima, Alfred Zeneli, Marjetina Gjoni, Alesia Xhemalaj, Luan Aliu, Kliti Roshi, Vilson Gjonçaj, Roerd Toçe.

Sipas regjisorit Jonid Jorgji pjesa më e madhe e ngjarjeve janë të vendosura në Itali, ndërsa pjesa tjetër në Shqipëri. Ky film për nga cilësia e imazhit, loja e aktorëve dhe niveli i produksionit nuk ndryshon aspak nga filmat e ekraneve të kinemave prestigjioze europiane apo amerikane./atsh/ KultPlus.com

Ermal Meta këtë verë do të performojë në Shqipëri

Ermal Meta, këngëtari me orgigjinë shqiptare që ka korrur një sukses të madh në Itali, do të realizojë një turne në Shqipëri.

Në një intervistë për mediat italiane, Meta tregon se pas muajsh të tëra shkëputje për shkak të pandemisë, ka planifikuar t’i rikthehet skenës me turin e tij të parë muzikor.

Një nga ndalesat e këtij turi do të jetë edhe Tirana, ku më 29 korrik, siç tregon dhe vetë Meta, ai do të jetë në Stadiumin Air Albania në Tiranë.

Teksa flet për Shqipërinë, Meta kujton edhe herën e parë që ka kënduar në vendin e tij të origjinës. Ai shton se për herë të parë ka kënduar në Tiranë në vitin 2018, dhe se ka përjetuar mjaft e mocione.

“Më 29 korrik do të jem në Stadiumin Air Albania në Tiranë. Kanë kaluar 30 vjet që kur regjimi komunist ka rënë dhe ne menduam ta festonim me muzikë. Unë jam italian dhe shqiptar dhe kam zgjedhur të bëj një koncert për nder të njerëzve nga vendi ku vij, të cilët arritën të fitojnë lirinë. Kanë ndodhur shumë gjëra vitet e fundit dhe lidhja midis Italisë dhe Shqipërisë, dy vende të ndara nga vetëm 70 kilometra det, është e me të vërtetë e bukur.

Më 5 shtator unë luaj në Taormina, në Teatrin Antik. Doja të trajtoja turneun si një ngjarje unike, për të dëgjuar këngët e mia drejtpërdrejt. Mezi po pres. Ne gjithashtu do të ofrojmë një transmetim të drejtpërdrejtë, për të qenë në gjendje të shohim koncertin nga ekrani edhe kur të gjendeni në shtëpi.

Ishte emocion i pastër. Hera e parë që mbajta një koncert në Tiranë ishte në vitin 2018 në sheshin Skënderbej, kushtuar një heroi kombëtar shumë të dashur për vendin. Mendova se sa ndryshe ishte të kthehesha në një vend nga ku ika kur isha 13 vjeç. Dhe u ktheva “i madh” duke bërë punën që dua. Pastaj përsëri në vitin 2019 në Pallatin e Kongreseve,”, thotë Ermal Meta./ KultPlus.com

‘Muzeu i Gruas’, atraksioni më i ri në Tiranë

Në qytetin e Tiranës kohët e fundit janë krijuar shumë institucione apo hapësira atraktive për qytetarët dhe turistët e huaj që vizitojnë kryeqytetin.

Një tjetër atraksion mjaft i veçantë që i është shtuar së fundmi Tiranës është “Muzeu i Gruas”, i cili është një rrugëtim në etapa të ndryshme kohore i gruas shqiptare dhe emancipimit të saj në fusha të ndryshme sociale dhe ekonomike.

Ky muze vjen si një iniciativë private e Elsa Ballaurit, e cila prej shumë vitesh ka qenë një personazh i njohur në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Agjencia Telegrafike Shqiptare vizitoi nga afër këtë muze, ku në një hapësirë modeste e cila mban vlera të mëdha të figurës femërore Elsa Ballauri tregon si nisi ideja për hapjen e tij si dhe pasionin e saj për të koleksionuar objekte të cilat janë përdorur nga gratë në kohë të ndryshme.

“Shpresoj që çdo grua ta gjej veten në epoka të ndryshme ashtu sikurse është ideuar edhe muzeu dhe shpresoj që edhe të gjej dhe të kem sa më shumë burra të entuziazmuar sikurse ju. Është vërtetë e bukur kur njerëzit në një muze gjithmonë mendojnë që komunikojnë bukur me njëri-tjetrin. Kjo ide nisi nga disa rrethana që u poqën në një moment kur unë para disa vitesh mora një çmim si “Pishtari i grave”, i cili u mor nga disa gra në disa vende të botës. Është një çmim i cili duhet patjetër të bëhej diçka në mënyrë personale dhe unë vendosa të bëj muzeun”, tregon ajo për ATSH-në.

Pyetjes se përse ndërtoi pikërisht një muze dhe jo diçka tjetër Ballauri iu përgjigj se, “kjo vjen nga historiku im si koleksioniste që e kam një pasion që në fëmijëri dhe e rritur në një ambient koleksionistësh dhe për më tepër e trashëgoj nga babai im që ka qenë filatelist dhe arkitekt muzeumesh. Këto kanë bërë që muzeu ishte një gjë përmbyllëse për të përfytyruar dhe ndërtova një muze gruaje që ishte gati gati 99 për qind e angazhimit të kohës sime. Kjo ishte për mua shumë e natyrshme”.

“Ka qenë ideja edhe më përpara që koleksioni im të mos jetë për të ndenjur me mua apo ata 5 njerëz. Duhet të ishte për më shumë sepse përveç kësaj, një tjetër shqetësim për jetën e grave ka qenë mosnjohja me to. Askush nuk e njeh sikurse duhet dhe fatkeqësia fillon nga vetë gratë. Historia nuk na ka lënë të tregojmë të vërtetën siç duhet. Komunizmi e sheshoi dhe anashkaloi të kaluarën dhe ne kemi shumë probleme të tjera të cilat kur nuk realizohen na bëjnë të mos njohim veten dhe mos komunikojmë me veten dhe pikërisht kjo na bën më të ftohtë dhe më pak patriotikë. Ky ishte shqetësimi i cili ka ardhur si pasojë e punës time me të drejtat e njeriut për vite me radhë. Kjo bëri që të mendoj që kemi nevojë për muzeun e gruas. Edhe të drejtat e grave evidentohen nëpërmjet tij. Muzeu dhe objektet kanë tjetër vlerë dhe rëndësi”, u shpreh Ballauri.

Mbi objektet e ekspozuara në këtë muze dhe periudhat kur ato datojnë Ballauri tregon për ATSH se, “kam bërë një kronologji që nga periudha e antikitetit sepse e kam parë edhe këtë si mangësi me figurën e gruas nga koha e antikitetit kur ne si zona të fiseve ilire kemi një të kaluar”.

“Kam disa dokumente por jo shumë që tregojnë se çfarë ka ndodhur me gruan e asaj kohe. Kemi gjetje arkeologjike dhe të gjitha bashkë tregojnë se si gruaja ka ndryshuar nga periudha në periudhë dhe se si ajo ka udhëtuar bashkë me historinë. E rëndësishme të mos shohim vetëm se çfarë ka veshur por edhe rolin apo marrëdhëniet me burrin, pozicionin e saj në shoqëri etj. Ky është synimi i muzeut. Nuk është vetëm etnografik për pasurinë e veshjes por më shumë një antropologji më e thellë. Pse pikërisht gruaja është figura kryesore thoni ju? Pyetja është shumë me rëndësi për t’u diskutuar sepse meriton analizë më të madhe. Ka një “pse” të madhe që edhe unë e kam thënë që pse të flasim kaq shumë për gruan kur diskutojmë për barazinë? Pikërisht se barazia nuk ekziston dhe duhet për të zhdukur përfundimisht diskriminimin. Se përse të luftojmë për të drejtat e grave dhe jo edhe të burrave? Pikërisht sepse barazia nuk ekziston dhe burrat i kanë dhënë vetes atributet për të qenë lider. Gratë sikurse shumë grupimesh minoritetesh bëjnë që të kundërshtojnë pikërisht këtë potencë të madhe burrërore. Mendoj që edhe sikur të kishte barazi, prapë ia vlen një muze gruaje sepse mbart shumë vlera. Duhet një vizualitet për atë që kanë bërë gratë në histori. Burrat nuk kanë interes që të nxjerrin në pah ato që kanë bërë gratë në histori, këtu përfshi edhe gratë”, u shpreh Ballauri.

“Shumica e tyre janë të mbledhura në mënyrë instiktive gjatë viteve sepse mua objektet e vjetra sidomos më tregojnë histori. Kjo më ndodh me çdo objekt në tërësi që t’i njoh historinë ku, si dhe pse është përdorur. Ka qenë një hobi nga fëmijëria dhe koleksioni është mbledhur që shumë herët dhe s’kam qenë koleksioniste tipike që i mbledh për t’i shitur. Këtu një pjesë e madhe janë objekte familjare që kanë qenë dhe janë ruajtur nëpër shtëpi. Ato nuk dilnin por që erdhi momenti të zgjidhja objektet që kanë lidhje vetëm me femrën. Këtu nuk është i gjithë koleksioni sepse herë pas here edhe ndryshojnë objektet. Në përputhshmëri me faktorin grua kam siguruar edhe objektet. Ky muze apo koleksioni, tani mund të quhet një institucion”, tha ajo.

“Muzeu është i vizitueshëm pasi ky është edhe qëllimi. Ka projekte dhe për shkollat por më e shpeshta dhe e rëndësishmja është kontakti që kemi me shkollat dhe grupet e të rinjve dhe me rëndësi është që muzeu do të eci nëpërmjet projekteve të ndryshme për të pasur një zë të gruas, jo vetëm të tanishme por edhe për ta njohur atë më gjerë nëpërmjet historisë së gruas”, përfundoi Ballauri. /atsh/ KultPlus.com

Hiqet maska në ambientet e jashtme, shtyhet ora policore në Shqipëri

Komiteti Teknik i Ekspertëve është mbledhur sot për të njoftuar masat e reja anti-Covid. 

“Komiteti mendon se ka vend për lehtësim të masave, duke filluar nga 1 qershori do të hiqet detyrimi për mbajtjen e barrierës mbrojtëse në ambientet e jashtme, por do vijojë të mbahet në ambientet e brendshme dhe transport publik. Ora policore nga 22:00 do të kalojë më 1 qershor në 23:00”, theksoi Komiteti i Ekspertëve.

Masat që lehtësohen nga 1 Qershori:

-Hiqet detyrimi për mbajtjen e barrierës mbrojtëse në ambientet e jashtme.

-Do vijojë të mbetet detyrimi i mbajtjes së maskës në ambientet e mbyllura si dhe në mjetet e transportit publik.

-Rekomandohet mbajtja e maskës kudo ku nuk mund të ruhet distancimi social si edhe për ata që ende nuk kanë bërë dy dozat e vaksinës që konsiderohen persona në risk.

-Ora policore shtyhet në orën 23:00 -06:00.

-Klubet e natës, diskot, vijojnë të mbeten të mbyllura. Muzika do lejohet deri në orën 22:00. / KultPlus.com

Në Tiranë, protestë kundër abuzimit seksual, një vajzë proteston nudo

Abuzimi seksual me një 15-vjeçare i zbuluar në Mirditë para disa ditësh ka ngjallur reagime të forta në shoqërinë shqiptare. Pas Mirditës dhe Peshkopisë, edhe qytetarët e Tiranës, kryesish të rinj protestuan këtë të diel në kryeqytet kundër abuzimit seksual me të mitur.

Me sloganin “Mos ma vrit fëmijërinë” ata u mblodhën fillimisht në sheshin “Skëndërbej” dhe më pas marshuan drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Me thirrjet “Ne jemi me ty”, “Ti s’je vetëm” ata kërkuan reagimin e institucioneve shtetërore për t’i dhënë dënimin më të madh abuzimit seksual.

Protesta kulmoi kur një nga vajzat pjesëmarrëse në këtë tubim u zhvesh nudo në sheshin “Skënderbej” për të sensibilizuar shoqërinë kundër këtij fenomeni.

Për ngjarjen e Mirditës, policia ka vënë në pranga 5 persona të cilët akuzohen se përdhunuan 15-vjeçaren./tvklan/KultPlus.com

“Vullkani i Kosovës”, hapet në Tiranë ekspozita në kuadër të 40-vjetorit të demonstratave të Prishtinës

 “Vullkani i Kosovës” titullohet ekspozita e çelur në Tiranë nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në kuadër të 40-vjetorit të demonstratës së pranverës të vitit 1981 në Prishtinë, të cilësuara si një moment kyç në historinë e Kosovës.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, tha në hapjen e ekspozitës se “kjo është një ekspozitë shumë e rëndësishme e organizuar nga ASHAK-së e cila vendosi ta sjellë edhe në Tiranë si një mundësi që edhe shqiptarët të kenë një qasje ndaj dokumenteve, gazetave të kohës të një prej momenteve më të rëndësishme të historisë sonë bashkëkohore. Ato rindezën pas aspiratën kombëtare të saj që do të realizohej pas 3 dekadash, Pavarësia e Kosovës”.

I pranishëm në këtë ceremoni çeljeje të ekspozitës, historiani Paskal Milo ndan atë që ndodhte në Tiranën e vitit 1981 lidhur me këtë moment historik.

Prof. Paskal Milo, historian u shpreh se “kam qenë bashkëkohës në Tiranë, pedagog në universitet dhe si ligjërues i historisë së vendeve të Ballkanit, rrjedhimisht edhe historisë së Kosovës. Politikisht në atë kohë, Shqipëria u angazhuara e gjitha dhe kam parasysh si opinionin publik por edhe çdo gjë tjetër, shtypi i kohës por edhe takimeve, mbledhjeve për të shprehur solidaritetin me studentët e Kosovës. Është një ngjarje e madhe në historinë e Kosovës, një pikë kthese. Dhe jo vetëm për të por edhe për ish-Jugosllavinë”.

Prej 11 Marsit ekspozita që u çel në nisje në Prishtinë, nisi të rrugëtojë në disa qytete të Kosovës.

Bedri Zyberaj, Kryeshef i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës tha se “në nisje kjo ekspozitë që shënon këtë jubile u hap pikërisht në mensën e studentëve, aty ku nisi gjithçka më 11 mars të vitit 1981. Protesta e studentëve në nisje kishte karakter më tepër social por ajo brenda pak ditësh u rrit pasi më 26 Mars të po atij viti studentët nga qendra e tyre, dolën rrugëve të Prishtinës dhe ftuan e më pas ju bashkuan një pjesë e mirë e rinisë shkollore të asaj kohe”.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri në 20 maj, në hyrjen kryesore të Pazarit të Ri./ atsh / KultPlus.com

Parku i Liqenit Artificial të Tiranës, hapësirë rekreative shumëfunksionale

Parku i Liqenit Artificial të Tiranës është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për qytetarët e Tiranës, jo vetëm për të kaluar kohën e lirë, por edhe për të zhvilluar aktivitete të ndryshme sportive.

Investimet e bashkisë së Tiranës e kanë transformuar këtë park jo vetëm me korsitë e biçikletave, molin e varkave, por edhe duke krijuar kënde sportive dhe argëtuese, të cilat frekuentohen nga qytetarë të moshave të ndryshme.

Kryeministri Edi Rama ndau sot një video me pamje nga njëri prej këndeve sportive të krijuara së fundmi në Parkun e Madh të Liqenit Artificial të Tiranës.

“Mirëmëngjes nga parku i liqenit të Tiranës”, tha Rama, ndërsa ndau pamjet nga ky park.

Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës mbetet një nga destinacionet më të frekuentuar nga qytetarët jo vetëm në fundjavë, por në çdo ditë të vitit.

Investimet e bashkisë së Tiranës e kanë kthyer zonën në një hapësirë rekreative shumëfunksionale./atsh / KultPlus.com

Deklarata e presidentit Bush për Pavarësinë e Kosovës vendoset në Tiranë

Në 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, deklarata e presidentit Bush për pavarësinë e Kosovës është përkujtuar përmes një instalacioni në kryeqytet.

“Enough is Enough” është një vepër arti publik e artistit Alban Muja, e cila lind prej deklaratës së bërë prej presidentit George W. Bush gjatë vizitës së tij në Tiranë në vitin 2007: “Ka ardhur koha, madje sa më shpejt, që të themi “Mjaft më!” (Enough is enough!), Kosova është e pavarur!”, duke i dhënë një mesazh të qartë të gjithë politikës ndërkombëtare, por edhe duke rikujtuar edhe një herë fatet e lidhur të Kosovës e Shqipërisë.

E para e këtij lloji për artistin bashkëkohor Alban Muja, kjo vepër është një skulpturë në hekur e cila, si një urë, lidh dy brigjet e lumit të Lanës, në një prej zonave më urbane të kryeqytetit. Vepra, që më shumë se një instalacion është mirëfilli një skulpturë, e përbërë prej gërmave formuese të togfjalëshit “Enough is Enough”, është rreth 17.5 metra e gjatë dhe secila gërmë 1,8 metra e lartë. Pavarësisht kësaj, ajo mbart një monumentalitet diskret, pasi nuk është e dukshme prej rrugëve në të dy anët e lumit që lidh, por mund të shihet veçse prej kalimtarëve në urat që ka pranë, ose prej atyre që kërkojnë ta shohin mes bimësisë që e rrethon. Kjo vendosje është sigurisht e qëllimtë: bashkimi i dy brigjeve është një gjest retorik, por një paralelizëm që i përgjigjet të vërtetës së dy vendeve të lidhur prej gjithnjë e përgjithmonë; nga ana tjetër, vendosja thuajse e fshehur e një monumenti me përmasa kaq të mëdha, thërret sërish një tjetër të vërtetë të madhe: atë të mikpritjes shqiptare të eksodit të Kosovës gjatë luftës, e madhe por pa zhurmë.

Temat e kujtesës, luftës së Kosovës dhe përfaqësimit material të dhimbjes janë tema të vazhdueshme të hulumtimit artistik të Alban Mujës. “Enough is Enough” është një vazhdimësi e diskursit që ngre Muja në punën e tij, duke e vendosur publikun përballë çështjeve të mëdha të luftës, emigrimit e ndarjes, por edhe rëndësisë së vlerave humaniste, si ndihmesa kolektive, gjendja e njeriut për njeriun.

Vendlindja është pikënisja e sigurtë e punës së Mujës, sikurse është dhe lufta, si një e vërtetë e jetuar e tij, por “Enough is Enough” nuk është vetëm një monument i lidhjes së Kosovës me Shqipërinë, por edhe një eko e situatës së çdo refugjati sot në botë. Në këtë kondvështrim, “Enough is Enough” është edhe një akt politik universal që tejkalon territorin ku lind, një kundërvënie ndaj modeleve të sotme socio-politike që vendosin kufirin (territorial) përpara jetës së njeriut dhe të drejtës së tij për siguri dhe stabilitet. Synimi i veprës nuk është rikujtesa e luftës, por përqasja me pasojat e saj tek popujt e prekur dhe problematizimi i pushtetit si qëllim.

“Enough is Enough” vjen si kujtesë historike pas dy dekadash, e si e tillë mund të duket e vonuar, por ajo është pikërisht dëshmi e një bote që ndryshon pak, një thuajse artefakt i krizës së madhe refugjate që përjetoi Ballkani e që me sa duket pati pak impakt mbi sjelljen politike ndërkombëtare, duke qenë se bota sheh vazhdimisht lindjen dhe zgjerimin e zonave akute të krizave humanitare. Në këtë kontekst, “Enough is Enough” nuk vjen vetëm si përgjigjja që presidenti amerikan i dha statusit të pavarësisë së Kosovës, por edhe si vënie në pyetje e marrëdhënies afatgjatë mes pushtetit dhe lirisë së njeriut.

Më 15 Mars 1991 Shqipëria rivendosi marrëdhëniet diplomatike me SHBA. 100 ditë më pas Sekretari Amerikan i Shtetit James Baker vizitoi Tiranën ku ju rezervua një pritje e shprehjes kuptimplotë të respektit dhe aleancës me SHBA, të cilën Sekretari Baker e përkufizoi: “Ne jemi me ju, ju jeni me ne”. /atsh/ KultPlus.com