14 shfaqje gjatë qershorit në TKOB

Pas suksesit të koncertit me vepra të zgjedhura nga krijimtaria e kompozitorit Ennio Morricone, Teatri Kombëtar i Operas e Baletit, vijon me një program interesant. Vetëm gjatë këtij muaji janë vënë në program 14 shfaqje.

Mbrëmjen e datës 10 qershor do të jetë “Don’t cry for me Argentina” koncerti  që do të vijë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Madonna, Queen, Rolling Stones, The Beatles  do të vijnë në sallë me një ndërthurje mes klasikes, pop-it dhe rock-ut, me Orkestrën Simfonike të TKOB-së, dirigjuar nga maestro italian, Roberto Molinelli.

Koncerti mban titullin e njërit prej hiteve të këngëtares me famë botërore, Madonna.

Një veçanti e programit të muajit qershor është se artistët e TKOBAP do të performojnë edhe jashtë mureve të TKOB. Event me rëndësi do të jetë ngjitja në skenë e Requiem të Verdit, nga Kori i TKOB dhe Orkestra Filharmonike e Kosovës, në qytetin e Prishtinës.  Më pas është programuar një shfaqje e Ansamblit Popullor, dedikuar hapjes së sezonit turistik, në qytetin e Sarandës.

Qershori do të ketë edhe premiera siç është opera AIDA e Giuseppe Verdi, e cila do të vihet në skenë duke i qëndruar besnike regjisë së të famshmit Franco Zeffirelli./atsh/KultPlus.com

Muzika e pavdekshme e Morricone-s në TKOB

Koncerti me pjesë nga veprat e kompozitorit Ennio Morricone mund të konsiderohet si një nga kulminacionet e Javës Kulturore Italiane në Shqipëri.

I shumëpritur qëkurse u njoftua se do të ishte pjesë e programit të Javëve Kulturore, koncerti mori vëmendje të madhe dhe arriti të shesë në kohë rekord të gjitha biletat.

Orkestra Simfonike e TKOB-së u drejtua nga maestro Benedetto Montebello ndërsa Kori i TKOB-së nga maestro Dritan Lumshi. Gjatë koncertit performuan dhe dy sopranot: Rovena Xhelili dhe Marina Kurti.

Spektatorët ndoqën muzikën e mrekullueshme të një gjeniu të papërsëritshëm si Morricone, shoqëruar me imazhet filmike, kolonat zanore të të cilëve kanë mbetur në kujtesë. Kompozimet e Ennio Morricone-s janë përdorur për kolonat zanore të mbi 500 filmave.

Në përfundim të koncertit, mbështetur nga Instituti Italian i Kulturës dhe Ambasada Italiane, publiku duartrokiti me ovacione performancën e Orkestrës Simfonike dhe Korit të TOKB./atsh/KultPlus.com

Sopranoja e famshme italiane, Anna Pirozzi në TKOB

Një nga sopranot dramatike më të suksesshme italiane, Anna Pirozzi, fama e së cilës kapërcen kufijtë e rajonit, ka sjellë me vokalin e saj brilant ariet më të bukura verdiane, në skenën gjigande të TKOB-së.

I cilësuar si një event unik për jetën artistike shqiptare, kjo mbrëmje përcolli emocione të veçanta për publikun shqiptar e të huaj. Koncerti u organizua me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturë dhe Ambasadës Italiane, në kuadër të Javës Kulturore Italiane organizuar nga Ministria e Kulturës.

Ministrja Margariti e vlerësoi si të jashtëzakonshme mbrëmjen e djeshme në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

“Një nga yjet e lirikës botërore, sopranoja Anna Pirozzi nderoi skenën shqiptare, duke kulmuar Javën Italiane të Kulturës. Kënaqësi të isha pjesë e publikut për të shijuar interpretimin e saj”, shkroi ministrja e Kulturës në rrjetet sociale ndërsa ka ndarë me ndjekësit edhe një album fotografik nga koncerti i Anna Pirozzi-t dirigjuar nga një tjetër mjeshtër italian, Jacopo Sipari di Pescasseroli.

“Një duartrokitje të fortë edhe për Orkestrën Simfonike të Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, nën drejtimin e Jacopo Sipari di Pescasseroli , për performancën shkëlqyer”, shkruan ministrja e Kulturës, në përmbyllje të mesazhit të saj. Nga ana e tij, maestro Di Pescasseroli e vlerësoi koncertin si spektakolar.

“Jam thellësisht i mallëngjyer. Orkestra ime është “bombë” dhe Anna Pirozzi është legjendë”, shkroi dirigjenti në rrjetet sociale duke iu referuar orkestrës së TKOB.

Sopranoja e famshme Anna Pirozzi në TKOB, fotot Agim Dobi. / atsh / KultPlus.com

“Don Kishoti” rikthehet pas dy dekadash në skenën e TKOB-së

Kryevepra e baletit klasik “Don Kishoti” u rikthye mbrëmjen e djeshme në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas pas dy dekadash.

Shfaqja bazohet në romanin e famshëm satirik, me të njëjtin titull të Miguel de Cervantes.

Aventurat e Don Kishotit kanë mbërritur në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit nën koreografinë e mrekullueshme nga ikona europiane e baletit, Giuseppe Picone.

Ato u përcollën përmes gjuhës së trupit nga solistët profesionistë të TKOB-së, të cilët si drejtuese kanë artisten Alisa Gjoni.

Shfaqja erdhi nën dirigjimin orkestral të maestros së mirënjohur italian, Jacopo Sipari, shoqëruar nga Orkestra Simfonike e TKOB-së.

Kostumet e ideuara nga Dea Bejleri i dhanë jetë në skenë personazheve të veprës, duke nga rikthyer pas në kohën kur është shkruar vepra, në shekullin 17.

Historia e kalorësit legjendar që sfidon plot guxim mullinjtë e erës, do të shfaqet në TKOB sot, më 29 dhe 30 maj, ora 20:00./atsh/KultPlus.com

TKOB, projekte të përbashkëta me Ansamblin e Maqedonisë së Veriut

Drejtoresha e përgjithshme e Teatrit të Operas dhe Baletit, Abigeila Voshtina u takua me drejtorin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore të Maqedonisë së Veriut, Shkodran Tola.

Gjatë takimit, Voshtina dhe Tola biseduan për vendosjen e urave të reja të ndërveprimit mes dy vendeve për organizimin e projekteve të përbashkëta.

Gjithashtu, Voshtina dhe Tola folën edhe për fuqizimin e kulturës shqiptare anekënd rajonit dhe përtej tij.

Drejtoresha e TKOB, Voshtina përgëzoi homologun Tolaj për punën dhe sukseset e njëpasnjëshme duke i premtuar mbështetje ansamblit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Voshtina dhe Tolaj theksuan se koordinimi i përbashkët i ansambleve shtetërore në aktivitete të rëndësishme kombëtare duhet të jetë prioritet i tyre si drejtues institucionesh./KultPlus.com

Opera “Carmina Burana” e kompozitorit Carl Orff në TKOB

Opera “Carmina Burana”, e kompozitorit Carl Orff rikthehet më 4 prill në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bën të ditur se “kjo opera vjen si një bashkëpunim mes trupës artistike të TKOB-së dhe Filharmonisë së Kosovës, me Orkestrën Simfonike e Korin e TKOB-së, si dhe Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura, Konservatorin Shtetëror të Salernos “Giuseppe Martucci” dhe Kori i “Zërave të bardhë”, TKOB”.

Me dirigjent orkestre, Jacopo Sipari di Pescasseroli, dirigjent kori i TKOB, Dritan Lumshi, dirigjent kori FK, Hajrullah Syla.

O Fortuna! Me këtë thirrje ndaj perëndeshës së fatit nis “Carmina Burana”, kjo kantatë skenike nga Carl Orff, i cili prej kohësh konsiderohet një klasik i ri i historisë së muzikës. Brilante në thjeshtësinë e vet, depërtuese në ritmikë dhe përjetësisht e re në tematikë, Carmina Burana i jep flatra fantazisë si rrallë ndonjë vepër tjetër muzikore e shek. XX./ atsh / KultPlus.com

TKOB hap thirrjen për programin ‘Akademia Teatrale’, Ermonela Jaho rikthehet në Shqipëri me masterclass

Teatri i Operës dhe Baletit hap thirrjen për programin e parë profesional muzikor në Shqipëri “Akademia Teatrale”, ku sopranoja me famë ndërkombëtare Ermonela Jaho do të mbajë një punëtori nga 14 deri më 18 prill, përcjell KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtoresha e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Abigeila Voshtina.

Në vijim gjeni postimin e plotë:

Teatri i Operës dhe Baletit hap thirrjen për programin e parë profesional muzikor në Shqipëri “Akademia Teatrale”, që do të kontribuojë në mjeshtërinë artistike të talenteve të artit klasik.

Me mbështetjen dhe eksperiencën e sopranos ikonike me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho, e cila rikthehet në atdhe me titullin “Artistja e Vitit”, akorduar nga “Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike 2023”, për të kontribuar me një masterclass, nga data 14-18 prill, që shënjon edhe çeljen e Akademisë Teatrale 2023.

Një projekt i ndërtuar mbi bazën e përvojave më të suksesshme ndërkombëtare, që do të ofroje shumëçka rreth interpretimit skenik, teknikës vokale, përgatitjes psikologjike për trajtimin e rolit si dhe disa tematika të veçanta e interesante për pjesëmarrësit.

Për çdo informacion e detaj mbi regjistrimin ju ftojmë të vizitoni WEB-in zyrtar të TKOB-së, ose të kontaktoni në email-in [email protected]./KultPlus.com

Eno Peçi sjell “Muzgun” në skenën e TKOB

Shfaqja “Muzgu” nisi rrugëtimin e saj 3-ditor në skenën e Teatrit të Operas e Baletit.

“Muzgu” mbuloi gjithë skenën e TKOB-së mbrëmë, me përjetimin emocional që solli interpretimi mjeshtëror i trupës së baletit, në kërcimin kontemporan, kuruar deri në detaje nga koreografi i mirënjohur përtej kufijve shqiptarë, Eno Peçi.

“Muzgu”, ku interpreton trupa e baletit të TKOB-së, do të vijojë edhe më datë 13 dhe 14 mars. Skenografia dhe kostumografia janë realizuar me mbështetjen e Harabel Contemporary Art Platform.

“Muzg” vihet për herë të parë në skenë dhe koreografi Peçi ka pasur asistencën e Eldad Ben Sasson. / atsh / KultPlus.com

Premiera e veprës GEA 2552 e kompozitorit Aleksandër Peçi, më 1 mars në TKOB

Të mërkurën e 1 marsit, në Teatrin e Operas dhe Baletit do të shfaqet premiera botërore e koncertit GEA 2551, Koncert nr. 5 për piano dhe orkestër, vepër e kompozitorit të mirënjohur Aleksandër Peçi.

Koncerti No.5 i Aleksandër Peçit do të interpretohet nga pianisti francez Pascal Gallet dhe Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura, nën drejtimin e dirigjentit Harlen Nikolli.

Të njëjtën natë, spektatorët do të mund të ndjekin edhe Koncertin nr. 1 për Violinë të Niccolò Paganini-t, nën interpretimin e solistes Laura Llozi dhe dirigjuar nga e mirënjohura Elda Laro.

“Jam jashtëzakonisht i nderuar të jap premierë në Tiranë koncertin nr. 5 të Aleksandër Peçit. Kjo punë është e jashtëzakonshme, jashtëzakonisht kërkuese”, ka deklaruar përpara koncertit pianisti francez Pascal Gallet.

Peçi me këtë kompozim, udhëton në kohë, disa shekuj, në të ardhmen tonë, duke eksploruar muzikën dhe vetveten.

Koha e parë, e koncertit ka një formë me tetë variacione e një intermexo. Koha e dytë është një rondo me dy episode, kadencë e finale. Koha e dytë, sipas kompozitorit, është një apoteozë gëzimi e feste, me një energji brilante.

Drejtor artistik i koncertit do të jetë Arben Skënderi. / atsh / KultPlus.com

Sopranoja 11-vjeçare në koncertin simfonik vokal në TKOB

Kultivimi i talenteve që në vegjëli dhe mbështetja e tyre për t’u ngjitur në skenën e madhe të Teatrit të Operës dhe Baletit është prioriteti i TKOB.

Koncerti simfonik vokal, “Oh Dolci Baci”, që TKOB kishte përgatitur me rastin e ditës së Shën Valentinit, solli performanca të shkëlqyera nga studentët e Konservatorit të Salernos dhe solistët e TKOB-it.

Por, e veçanta e mbrëmjes së djeshme në TKOB ishte interpretimi i Isabel Poros. Me timbrin e saj të ngrohtë prej një sopranoje profesioniste, 11-vjeçarja Isabel Poro, debutoi për artdashësit shqiptar Musetta’s Waltz “Quando m’en vo” nga opera “La Boheme” e  G.Puccini-t.

Isabel Poro fillimisht ka mahnitur publikun ndërkombëtar me zërin e saj të rrallë, duke rrëmbyer edhe çmime të rëndësishme në Moskë, Itali, e Shqipëri, ndërsa është e ftuar të debutojë edhe në skenën gjigande të “Sanremo-s”, si një “ambasadore” e vërtetë e vendit tonë, që rrit talente të tilla./ atsh / KultPlus.com

TKOB fton fëmijët instrumentistë t’i bashkohen Korit të Zërave të Bardhë

Së shpejti Korit të Zërave të Bardhë pranë TKOB do t’i shtohen edhe fëmijë instrumentistë.

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ka hapur sërish thirrjen për fëmijët e talentuar, që duan t’i bashkohen Korit të Zërave të Bardhë.

Të gjithë prindërit e interesuar mund të çojnë fëmijët e tyre pranë Hollit Koncertor në Teatrin e Operas, më 18 shkurt, ora 11.00.

Kjo mundësi, thuhet në njoftimin e TKOB, vjen plotësisht falas. Mjafton që fëmijët të luajnë një instrument muzikor, si dhe të paraqesin një material sipas dëshirës së tyre. Gjithashtu, ata do të kalojnë përmes një testimi ritmik, melodik dhe atij të kujtesës.

Duhet që paraprakisht prindërit të dërgojnë të dhënat e fëmijëve në email-in [email protected], duke përfshirë: emër, mbiemër, moshën, shkollën, instrumentin me të cilin do të prezantohen si dhe kontaktin.

Për herë të parë, TKOB në kuadër të edukimit për brezat e rinj, hapi shtatorin e shkuar audicion për të gjithë fëmijët nga mosha 6-11 vjeç, për të qenë pjesëtarë të korit të zërave të bardhë.

Kori i zërave të bardhë do të jetë pjesë e produksioneve të TKOB në sezonin e ri artistik gjatë vitit 2023 e në vazhdim.

Fëmijët do të trajnohen profesionalisht nga artistët e TKOB pa asnjë kosto./atsh/ KultPlus.com

Kalendar i ngjeshur artistik në TKOB

Muaji shkurt vjen me një kalendar të ngjeshur artistik, sjellë nga Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Në një komunikatë për mediet, TKOBAP thotë se “muaji i dashurisë” i kushtohet produksioneve të reja që mbartin emrat më të shquar regjisorialë, çeljes së sezonit artistik të baletit dhe operetave për fëmijë e familje, ndjenjës së përkatësisë, që lidhet me trashëgiminë dhe traditat kulturore të zonës si edhe të rinjve e të rejave, që u japin zë emocioneve përmes artit.

Shfaqjet nisin me veprën “Antikiteti Modern”, me koreografi të Enada Hoxhës e Gerd Vasos, me pjesëmarrjen e solistit lirik Xhieldo Hyseni, i cili sapo ka fituar në një konkurs ndërkombëtar të këngëtarëve lirikë (AsLiCo) në Como të Italisë. “Antikiteti Modern” do të shfaqet për dy netë me radhë, në 4 dhe 5 shkurt.

Në datën 9 do të shfaqet “Romeo and Juliet”, me regji të Sakir Gurzumar, një shfaqje e realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, TKOB dhe Shkollën e Baletit. Data 10 shkurt sjell shfaqjen e talenteve të reja “UPFEST 23” dhe ditën e Shën Valentinit, TKOB sjell koncertin vokal simfonik “O dolci baci”, me solistët lirikë të TKOB-së dhe të Konservatorit të Salernos (Itali).

“Shqipëria ime” është koncerti i Ansamblit Popullor, i planifikuar për në datën 16 shkurt. Ndërsa në datat nga 22-25 shkurt, rikthehet opereta e përshtatur për fëmijë dhe familje “La serva padrona”.

4 netë të tjera shfaqjeje do të mbyllin kalendarin e muajit shkurt. Bëhet fjalë për një produksion të ri të operetës “Karnavalet e Korçës”, e cila vjen në skenë pikërisht në periudhë karnavalesh. Artistja e mirënjohur Inva Mula, vjen kësaj here në rolin e regjisores së veprës, e cila do të dirigjohet nga një tjetër artiste me vlera dhe me një karrierë të ngritur edhe jashtë Shqipërisë, Elda Laro./ KultPlus.com

Shkolla e Baletit ngjit në TKOB “4 Stinët e Vivaldit”

Momente magjike kanë përjetuar të pranishmit në Teatrin e Operës dhe Baletit ndërsa shfaqej  “4 stinët e Vivaldit” me koreografinë e Blerina Arbanës dhe interpretimin e nxënësve të Shkollës së Baletit.

“4 stinët e Vivaldit” kësaj here ishte konceptuar si një ndërthurje mes baletit dhe interpretimit të aktorit Reshat Arbana, “Artist I Popullit”.

Shfaqja me koreografinë e drejtores së Shkollës së Baletit, kishte mbështetjen e Bashkisë Tiranë, Kongresit Rinor Kombëtar si dhe të Tirana European Youth Capital.

“4 stinët” janë një nga pjesët instrumentale më të njohura në botë, edhe mes joprofesionistëve. Ato u shkruan në fillimin e viteve 1700 dhe u bënë publike fillimisht në Amsterdam, megjithëse mendohet se Antonio Vivaldi mund t’i ketë shkruar i frymëzuar nga natyra pranë Mantovës. Ashtu si në shfaqjen e Shkollës së Baletit, edhe në vitet 1700, muzika e Vivaldit, shoqërohej nga poezi, me siguri, të shkruara nga vetë kompozitori.

E pranishme në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit, ka qenë edhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi, si edhe personalitete të botës së artit dhe televizionit./ atsh / KultPlus.com

‘Vit verdian’ në TKOB, 210-vjetori i vdekjes së kompozitorit fut kryeveprat e tij në kalendar

TKOB i bashkohet teatrove të tjerë përreth globit në shpalljen e 2023-it si “Viti Verdian”, me rastin e 210-vjetorit të vdekjes të kompozitorit, Giuseppe Verdi.  

Disa ditë më parë gjatë prezantimit të kalendarit artistik të këtij viti u tha se nuk do të mungojnë dhe kryeveprat e Verdit.

Ndërsa nuk do të mungojë dhe krijimtaria shqiptare më opera si Rozafa”, “Skënderbeu”, “Karnavalet e Korçës” të Avni Mulës që do të vihet në skenë me regji të sopranos Inva Mula. “Halili dhe  Hajria”, baleti I parë shqiptar që pati premierën në vitin 1963 është parashikuar të vihet në skenë gjatë këtij viti.

Ylli ndërkombëtar Ermonela Jaho do të jetë pjesë e bordit artistik, duke u përfshirë në programin e masterklaseve.

Nën regjinë e Gëzim Myshketës do të rivihet opera Carmen. Dirigjenti Jacopo Sipari di Pescasseroli do të jetë pjesë e disa koncerteve dhe operave premierë. Nga ana tjetër do të ketë bashkëpunime edhe me baletin e Kosovës.

Shfaqja e radhës do të jetë më 19 janar. Notte da Oscar, me muzikë filmi dhe program gjithpërfshirës.

Një ndër objektivat kryesorë sipas Teatrit të Operas është rritja e audiencës dhe diversifikimi i zhanreve./ TopChannel/ KultPlus.com

TKOB-së i shtohen dy piano të vjetra në kushte optimale pune

Bashkë me pianon e re “Steinway & Sons”, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit tashmë ka në përdorim edhe dy piano të vjetra, në kushte optimale pune.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti njoftoi në rrjetet sociale se brenda kontratës së blerjes së pianos së re, u përfshi edhe restaurimi i Grand Piano Steinway & Sons, prodhim i 1989-ës dhe Grand Piano Yamaha, prodhim i 1988-ës në Japoni.

“Pas ndërrimit të kokave të çekiçit dhe krahëve, i fllanxhave, zëvendësimit të tasteve dhe lustrimit të tastierës, zëvendësimit të telave të dëmtuar, riparimit të sistemit të pedaleve dhe elementeve të brendshëm të pianos, pastrimit dhe akordimit, pianot duken si të reja”, informon ministrja.

Steinway është një kompani gjermano-amerikane e prodhimit të pianove, e themeluar në 1853, në Manhattan nga gjermani Heinrich Engelhard Steinweg. Pianot Steinway&Sons njihen botërisht për tingullin dhe mjeshtërinë e ndërtimit. Sipas pjesës më të madhe të muzikologëve, tingulli i prodhuar nga një Stainway s’ka të krahasuar. / KultPlus.com

Një piano e re i shtohet TKOB, riparohen dy të tjera

Një piano e re e markës “Steinway & Sons” iu shtua sot Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila tha se “sot bëmë realitet ëndrrat e brezave të tërë artistësh të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit”.

“Me gishtat e pianistes sonë të dashur Margarita Kristidhi dhe nxënëses 9-vjeçare të shkollës “Servete Maçi”, Kristel Xhafka pagëzuam pianon e re “Steinway & Sons”, e cila mbërriti pas një përpjekjeje të gjatë”, tha Margariti.

Ministrja Margariti bëri të ditur se “bashkë me pianon e re u arrit edhe riparimi i dy pianove të vjetra, prodhim i viteve 1988 dhe 1989”.

“Blerja e kësaj pianoje është vijim i punës sonë për krijimin e të gjitha kushteve për artistët tanë”, tha Margariti./ KultPlus.com

“Emigrimi i Madh” në TKOB, koreografi Blenard Azizaj sjell shfaqjen me artistë të huaj

Koreografi Blenard Azizaj prej vitesh jeton jo vetëm larg vendit të tij, por dhe larg skenës shqiptare.

Por këto ditë, artisti rikthehet në Teatrin e Operës dhe Baletit me shfaqjen “Emigrimi i madh”, si një pasqyrim i realitetit të tij të jetuar.

“Është një biografi e imja pasi shumë kohë më parë unë kam emigruar drejt Greqisë, dhe si shumë shqiptarë të tjerë kam ecur nëpër male e siç e kam thënë dhe herë të tjera këtë temë mundohem ta trajtoj në shumë vende të botës. I inspiruar gjithashtu dhe nga shumë fotografi dhe ngjarje reale është një temë shumë interesante sepse emigrimi ka qenë është dhe vazhdon të jetë.”

Azizaj sjell përballë publikut shqiptar artistë të huaj me një qëllim të vetëm, përcjelljen e mesazheve dhe fenomeneve sociale përmes artit, e veçanërisht baletit bashkëkohor.

“Është hera e parë me një turpë të huaj në tëatrin e opërs dhe baletit, publiku e mirëpriti madje pati shumë ovacione. Do kisha shumë dëshirë mbase deh në shqipëri të sillja një temë me balerinë shqiptarë pasi sic e shoh zhaneri i kercimit konteporan po evolon.”

Mundësisë për t’u rikthyer e për të kontribuar në skenën e artit shqiptar, koreografi nuk i thotë jo, por ende artisti nuk ka një vendim përfundimtar. /vizionplus/KultPlus.com

Tetori rozë, mbrëmje koncertale bamirësie në hollin e TKOB

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor i bashkohet Tetorit Rozë me një koncert bamirësie, për t’iu gjendur pranë vajzave dhe grave, që po luftojnë kundër kancerit të gjirit.

Artistët e TKOBAP kishin zgjedhur një repertor të mrekullueshëm për një kauzë të rëndësishme. Mbrëmja koncertale e bamirësisë u mbajt në hollin koncertor. Në të interpretuan emra të njohur si Vikena Kamenica, Armaldo Kllogjeri, Dorina Selimaj, Shpresa Beka, Ramona Tullumani, Sonila Baboçi, Renisa laça, Xhieldo Hyseni, Bledar Domi e Artur Vera, me koncertmaestër: Ingrid Pulizo, Etrita Ibrahimi e Herta Cane e Igli Rapaj.

Me këtë mbrëmje koncertale, TKOBAP u ndodhet pranë vajzave dhe grave të cilat janë duke luftuar kundër sëmundjes së kancerit të gjirit.

Tetori është muaji i depistimit dhe ndërgjegjësimit të kësaj sëmundjeje dhe në këtë kuadër, Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, organizoi këtë mbrëmje bamirësie, me qëllim mbledhjen e donacioneve për blerjen e protezave dhe përpunimin e parukeve, në bashkëpunim me Europa Donna Albania, për vajzat dhe gratë të cilat po përballen me luftën kundër kancerit të gjirit. /atsh / KultPlus.com

‘Messa da Requiem’, Opera e Verdit do shfaqet më 22 dhe 23 tetor në Teatrin kombëtar të Operës dhe Baletit

Për herë të parë TKOB do të vërë në skenë veprën madhështore të Giuseppe Verdi-t, “Messa da Requiem”.

Në datat 22 dhe 23 Tetor. Kjo vepër vjen me mbështetjen ekskluzive të Pontifikatit të Këshillit të Kulturës së Vatikanit. Mbështetje që vjen për herë të parë në Teatër.

Gjithashtu, të ftuar janë dhe një pjesë e folharmonisë dhe orkestrës së Kosovës. Nën dirigjimin e Jacopo Sipari di Pesscaseroli. Nën interpretimin e Eva Golemit, Ivana Hoxhës, Raffaele Abate dhe Vittorio de Campo.

Në Vjenë Messa da Requiem i Verdit u dëgjua për herë të parë në Operën e Oborrit në qershor 1875.

Messa da Requiem është krijuar në formën e  meshës funerale katolike (Requiem) për katër solistë, kor të dyfishtë dhe orkestër. Requiem u kompozua në kujtim të Alessandro Manzoni, të cilin Verdi e admironte.

Shfaqja e parë, në kishën San Marco në Milano më 22 maj 1874, shënoi përvjetorin e parë të vdekjes së Manzonit. Zakonisht jepet në formë koncerti prej rreth 90 minutash në gjatësi./TopChannel/ KultPlus.com

Nga prekja e skenave të ndryshme nëpër botë, sopranoja Elbenita Kajtazi së shpejti me koncert në Tiranë

Sopranoja e njohur Elbenita Kajtazi së shpejti do të performoj në Tiranë. Kësaj here ajo po i ndahet skenave të shumta botërore, për të kënduar në Shqipëri, përcjell KultPlus.

Koncerti do të mbahet me 13 tetor në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, me fillim nga ora 19:00.

Po ashtu, koncerti vjen nën dirigjimin e Nicolas André, ndërsa Orkestra Simfonike RTSH do të interpretoj arie nga Le Nozze di Figaro, Manon dhe Rusalka.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të Kajtazit:

Të dashur miq,
Jam mëse e lumtur dhe krenare që kësaj here do të kem rastin të këndoj në Tiranë! Kësaj here i ndahem skenave botërore për të kënduar në Shqipërinë time të dashtun!
Gjithmonë falenderuese për nderin dhe respektin që pranoj nga Shqipëria jonë.
Ju mirëpresë me 13 tetor në Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor nga ora 19:00 , bashkë me dirigjentin Nicolas André dhe Orkestra Simfonike RTSH do interpretoj arie nga Le Nozze di Figaro , Manon dhe Rusalka.
Gjitha të mirat dhe mirë se vini! / KultPlus.com

Premiera botërore e 2 veprave të kompozitorit Aleksandër Peçi, mbrëmje e paharruar në TKOB

Premiera botërore e dy veprave të kompozitorit të njohur Aleksandër Peçi solli përjetime të ndjera dhe performanca magjike me nivel të lartë në skenën e TKOB mbrëmjen e djeshme me orkestrën e RTSH-së, dirigjentin turk Murat Cem Orhan dhe violinistin Elvin Hoxha Ganiyev.

Muzika violinistike shqiptare dhe ajo botërore është më e pasur në gjuhë, brendi muzikore, konceptualitet, bashkëjetesë  midis modernizmit e klasicizmit,energji sonore filozofi, dhe estetikë muzikore me veprat që solli mbrëmë premierë Aleksander Peçi: Diellore dhe koncerti për violinë e orkestër, “Love”.

Entuziazmi dhe duartrokitjet elektrizuese të publikut ishin finalja e një mbrëmjeje të paharruar.

Programin e hapi vepra për orkestër “Diellore” e cila përmes shpërthimeve sonore të tunxhit sjell një model të ri në një epokë të re të shekullit 21, koncept të ri në ngjyra arkitekture orkestrale e fusion plot shkëlqim kaleidoskopik, cilësi të individualitetit mjeshtëror të kompozitorit Peçi.

Koncerti për violinë e orkestër “Love” është një nga 8 koncertet që  Peçi ka shkruar këto 2 vjet kohë pandemike. Katalogu i botimeve të autorit me 917 botime sjell një shifër rekord në Shqipëri e më gjerë, ku një vend dukshëm të pakrahasueshëm, e sjellin prurjet  e autorit me 13 koncerte, 15 sonata, 5 simfoni, 6 rapsodi, 2 opera, 2 balete, 120 botime për piano, rreth 20 filma, 7 këngë hite tashmë dhe të tjera.

Me kohën e parë të koncertit për violin “Aria-Jaria”, kompozitori sjell një formë të re të paeksploruar më parë. Është një mendim i miratuar përgjithësisht në botën muzikore se jaret e Shkodrës janë si arie në muzikën tonë popullore qytetare. Janë ato që i ngacmuan autorit idenë që nga “Gjëma e Illyricum”, në vitin 2020, që të hyjë në territoret e kantusit shkodran.

Violina e Peçit, pas një eksperience tek vepra tjetër e tij “Duo in solo”, është shkruar në 2 pentagrame. Pikërisht, kjo marrëdhënie e  sensibilitetit të jares me sensibilitetin e telit bosh që luan iso – ostinaton është një nga gjetjet e autorit, gjetje që duhet thënë se në këtë vepër janë të shumta.

Koha e dytë titullohet “Rendofone” ku autori sjell rendje të tingullit ku lëvizjet binare kryqëzohen me lëvizjen ternare dhe episodet alterohen me temën si në një rondo. Peçi është mjeshtër i orkestracionit, ngjyrave multikolorëshe, dialogjeve të shumta mes familjeve të instrumenteve që thyejnë e përthyejnë dritën, që ai pas një eksperience 50-vjeçare  mjeshtërisht i krijon.

Koncerti ka një finale marramendëse ku kontrapunktizohen duke çliruar shume energji “Aria Jaria” e finales së kohës së parë, me “Rendofone” të kohës së dytë.

Kompozitori është autori më i ekzekutuar jashtë Shqipërisë në këto 30 vite, me çmime te shumta. Si themelues i “Pianodrom” me 106 produksione për 9 vjet dhe një nga themeluesit e shoqatës “New Music”, është promotor i zhvillimeve moderne në kompozicionin shqiptar. Si profesor ka nxjerrë nga emrat më të rëndësishëm në brezin e ri të kompozitorëve./atsh/ KultPlus.com

“Ballo me maska” e shkruar nga kompozitori italian Giuseppe Verdi së shpejti në TKOB

Vepra “Ballo me maska” e shkruar nga kompozitori italian Giuseppe Verdi do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në 1 qershor, në kuadër të Javës së Kulturës Italiane.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, drejtoresha e TKOBAP, Zana Çela dhe artistë shqiptarë e të huaj zhvilluan sot një konferencë për shtyp.

“Jemi shumë të kënaqur që do të celebrojmë së bashku ngjitjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të kësaj vepre që vjen si një bashkëpunim mes TKOBAP dhe Teatro Regio Di Parma. Një staf i gjerë artistësh dhe prapavije, shqiptarë e të huaj, janë bërë bashkë për të sjellë një shfaqje madhështore”, u shpreh Margariti në një postim në rrjetet sociale.

Ky është një bashkëpunim, tha Margariti, që me siguri nuk do të ishte kurorëzuar pa investimin madhor që është bërë në këtë teatër.

“Kjo shfaqje në Tiranë është edhe një moment historik, pasi ky produksion vjen nën atmosferën e vitit 1913, përmes skenografisë dhe kostumografisë së krijuar në atë periudhë dhe të restauruar së fundmi. Pra bashkë me këtë vepër vjen edhe një copëz historie. Por kjo shfaqje shënon edhe hapjen e Javës Kulturore Italiane, që do të pasohet me një kalendar të pasur aktivitetesh”, tha Margariti.

Nga 31 maji, deri në 7 qershor do të zhvillohet në disa qytete të Shqipërisë Java Kulturore e Italisë. Kjo javë zhvillohet në kuadër të “Javëve Ndërkombëtare të Kulturës”, nismë e qeverisë shqiptare me moton “Shqipëria mikpret botën”, ku marrin pjesë 17 vende të ndryshme të botës si dhe vende të Bashkimit Evropian. Pas javëve kulturore të Francës, SHBA, Greqisë, në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit gjatë Javës Kulturore të Italisë do të zhvillohen një sërë aktivitetesh kulturore./atsh/ KultPlus.com

Opera “La Boheme” e Puçinit mirëpritet nga artdashësit në TKOB

Opera “La Boheme”, e kompozitorit Giacomo Puccini dhe libret të Giuseppe Giacosa dhe Luigi Illica, u mirëprit mbrëmjen e djeshme në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Në këtë shfaqje të operas bohemiane, historisë më të bukur të dashurisë, interpretuan
orkestra, kori, trupa e baletit, artistët e Cirkut të Tiranës dhe kori i Fëmijëve.

Regjia e këtij produksioni iu besua regjisores së re, Ada Gurra, e cila shënon për herë të parë në karrierën e saj, realizimin e një produksioni operistik të këtyre përmasave. Gjithashtu skenografia iu besua një tjetër talenti të ri, Renold Sula. Orkestra e TKOB  u dirigjua nga dirigjenti italian Jacopo Sipari, ndërsa kostumograf është Ardi Asllani.

Në rolet kryesore mbrëmjen e djeshme interpretuan Eva Golemi (Mimi), Dorina Selimaj (Musetta), Raffaele Abete (Rodolfo), Armando Likaj (Marcello), Ogert Islami (Schaunard)
Bledar Domi (Colline), Genc Vozga (Benoit), Sokol Hidersha (Alcindoro), Gerald Murrja (Parpignol) dhe Erlind Zeraliu (Sergente dei Doganieri).

Sinopsi i veprës

Në fundin e shek. XIX në Paris, katër shokë jetojnë së bashku në një papafingo. Rodolfo dhe Marcello qëndrojnë në shtëpi duke punuar dhe vjen njëri nga të rinjtë, muzikanti Schaunard, i cili ka fituar para dhe ata vendosin për të ngrënë në një restorant aty pranë. Poeti Rodolfo nuk i shoqëron, sepse duhet të mbarojë shkrimin e tij, por ndërpritet nga Mimi, një rrobaqepëse e cila ishte fqinjë me të. Ata tërhiqen nga njëri – tjetri me shikim të parë dhe bashkëdrejtohen për në restorant, ku po i presin miqtë e tij.

Marcello, shoku i Rodolfos po flirtonte me ish-të dashurën e tij Musetta, e cila detyron shoqëruesin e saj të paguajë faturën për të gjithë. Më vonë Musetta dhe Marcello jetojnë bashkë, si Mimi dhe Rodolfo, kjo e fundit vuan nga tuberkulozi dhe do të ndahet nga Rodolfo, sepse ai mendon që nuk ka mundësi ta ndihmojë të shërohet. Musetta ndahet nga Marcello dhe katër shokët rikthehen në jetën e tyre në papafingo. Ata vizitohen nga Musetta, e cila ka shoqëruar Miminë. Mimì dhe pse tani jeton e pasur, kur ndjen se vdekja po i afrohet, shkon drejt dashurisë së saj të vetme, Rodolfos. Ajo dëshiron të vdesë në krahët e tij, e rrethuar nga miqtë e saj të vërtetë. Musetta, Marcello, Schaunard dhe Colline bashkohen në një përqafim të fundit, ndërkohë që Rodolfo qan mbi trupin e pajetë të Mimisë.

Opera “La Boheme” do të shfaqet edhe në datat 15,16 dhe 17 dhjetor. Në shfaqjen e 15 dhjetorit do të interpretojnë Renisa Lackaj (Mimi), Nina Muho (Musetta), Raffaele Abete (Rodolfo), Paolo Ingrasciotta (Marcello), Ogert Islami (Schaunard), Xhieldo Hyseni (Colline)
Bledar Domi (Benoit, Alcindoro), Gerald Murrja (Parpignol) dhe Erlind Zeraliu (Sergente dei Doganieri).

Ndërsa në 16 dhjetor do të interpretojnë Simona Karafili (Mimi), Dorina Selimaj (Musetta)
Raffaele Abete (Rodolfo), Armando Likaj (Marcello), Ogert Islami (Schaunard), Bledar Domi (Colline), Genc Vozga (Benoit), Sokol Hidersha (Alcindoro), Gerald Murrja ( Parpignol)
Erlind Zeraliu ( Sergente dei Doganieri). Në 17 dhjetor do të interpretojnë Nina Muho (Mimi), Dorina Selimaj (Musetta), Raffaele Abete (Rodolfo),  Paolo Ingrasciotta (Marcello)
Ogert Islami (Schaunard), Xhieldo Hyseni (Colline), Bledar Domi (Benoit, Alcindoro)
Gerald Murrja ( Parpignol), Erlind Zeraliu (Sergente dei Doganieri). / atsh / KultPlus.com

Baleti “humus”, nga e premtja në teatrin e Operas

Në kuadër të 65 vjetorit të TKOB u prezantua katalogu i shfaqjeve përgjatë viteve 2016 – 2020, në titullin “Teatri i së ardhmes”.

Këtu përfshihet i gjithë aktiviteti i teatrit përgjatë pesë viteve që godina ishte në rikonstruktim.

Njëkohësisht në kuadër të projektit artistët e së ardhmes, u prezantua vepra e koreografit të ri Julind Dervishi, premierë absolute e baletit “Humus”.

Baleti “Humus’ është krijuar si koncept para katër vitesh, por për shkak të pandemisë ngjitet në skenë duke filluar prej të premtes në orën 19:00./KultPlus.com