“Tomka dhe shokët e tij”, filmi shqiptar që shfaq përpjekjet e fëmijëve

Kur kinematografia shqiptare vinte me interpretimet artistike të cilat jipeshin në formatin bardh e zi, një film tjetër që hyri në këtë histori ishte edhe “Tomka dhe shokët e tij”, shkruan KultPlus.

Më 28 dhjetor të vitit 1997 u shfaq premiera  e këtij filmi, i cili ishte prodhim i kinostudios “Shqipëria e Re”.

Tomka është një djalë i vogël që i pëlqen të luajë me top së bashku me shokët e tij. Por fushën e futbollit e marrin nazistët që kanë hyrë në qytet. Tomka nën kujdesin e të rriturve fillon të organizojë aksione kundër kampit ushtarak që është dislokuar në fushën e tyre të dikurshme të lojës.

Nën drejtimin e regjisores së parë shqiptare, Xhafize Keko, aktorët Sotiraq Çili, Zehrudin Dokle, Pavlina Oça, Xhelal Tafaj, Enea Zhegu, Herion Mustrafaj, Genci Mosho, Artan Puto, Selma Sotirllari, Fluranc Ilia kanë sjellur interpretimet artistike, / KultPlus.com

‘Tomka dhe shokët e tij’ shfaqet në Turner Clasic Movies

Më 23 gusht të 2013-ës, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit bëri me dije se ishte konfirmuar titulli i dytë nga fondi filmik shqiptar për t’u restauruar pranë laboratorit të Qendrës së Konservimit të Pasurive Audiovisuale pranë Bibliotekës së Kongresit Amerikan (LOC Audiovisual Conservation Center)  “Tomka dhe shokët e tij” (Xhanfise Keko, 1977). Ky projekt ishte pjesë e programit të tyre të diplomacisë ndërkombëtare për të ndihmuar arkivat në rrezik në të gjithë botën.

Sot ky projekt është bërë një realitet dhe institucioni i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit për promovimin e kinematografisë shqiptare në Evropë.  “Tomka dhe shokët e tij” pas restaurimit në vitin 2014 nga Biblioteka e Kongresit dhe Projekti i Kinemasë Shqiptare, vijon me shfaqjen në platformën prestigjioze amerikane Turner Classic Movies (TCM).

Në datë 20 tetor ora 21:15 ekrani i TCM foli shqip dhe 40 milionë shikues në të gjithë botën patën mundësi të ndjekin një film shqiptar me subtitrim në anglisht. Kjo është hera e parë që një platformë televizive e nivelit të TCM-së transmeton një film shqiptar dhe kjo u arrit edhe për faktin se versioni i restauruar i këtij filmi arrin të përmbushë kërkesat teknike të teknologjisë së sotme digjitale si dhe nivelin e përkthimit dhe subtitrimit në anglisht.

Transmetimi i filmit “Tomka dhe shokët e tij” ishte pjesë e programit Woman Make Film/ Gratë Bëjnë Filma të TCM-së kushtuar regjisoreve gra.

Në këtë program u përfshinë 1 dokumentar dhe 100 filma të realizuar nga 100 kineaste nga 6 kontinente, 44 shtete dhe në një periudhë kohore prej 12 dekadash. Gjithashtu, regjisorja Xhanfise Keko u shpall regjisorja e javës nga TCM si dhe iu kushtua asaj një artikull nga Sean Axmaker. /atsh/ KultPlus.com