‘Travel Fest Albania’, promovim i turizmit të qëndrueshëm

“Travel Fest Albania”, i mbështetur nga BE, nisi edicionin e tij të parë këtë javë si një festival unik kushtuar natyrës, jetës së egër dhe biodiversitetit.

Mbi 120 filma të shkurtër, nga me shume se 50 vende, do të konkurrojnë për 22 çmime, këtë të diel, gjatë finales së madhe.

“BE po punon së bashku me autoritetet shqiptare dhe komunitetin e gjerë për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër të vendit dhe për të mbrojtur natyrën e tij unike dhe trashëgiminë kulturore duke mbështetur turizmin e qëndrueshëm. Ky festival është thelbësor për të krijuar ndërgjegjësim për këto çështje thelbësore,” tha Hubert Perr, Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri.

Ky projekt mbështetet edhe nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Shfaqja e filmave është organizuar në 4 pika të kryeqytetit, Parkun Rinia, Kinema “Millennium”, Kinema “Ten” dhe në Amfiteatrin e Tiranës.

Mbrëmë, tek Parku Rinia, shfaqja e filmave u shoqërua edhe me bisedën midis audiencës dhe autorit Enrique Garcia Herrera, nga Franca.

Organizatorët i ftojnë adhuruesit e filmit, të jenë të pranishëm që të mund të komunikojnë edhe me autorët e “Travel Fest Albania”.

“Travel Fest” shfaq filma që përqëndrohen tek zhvillimi i qëndrueshëm, turizmi i natyrës dhe udhëtimet nëpër botë./atsh/ KultPlus.com