‘Më bjen ndërmend si njitash n’vogli kur shkoja me gjyshin në breg t’bunës me zanë peshk e mandej merrnim rrugën për në Shirokë’

Tregim nga Xhabir Tabaku

Petullat n’ujë

Më bjen ndërmend si njitash n’vogli kur shkoja me gjyshin në breg t’bunës me zanë peshk e mandej kadalë-kadalë merrnim rrugën për në Shirokë. Gjyshi bante sikur shkonim për hatrin tim, por un e vëreja se ai ma shumë shkonte me takue nji mikun e tij të vjetër, Tomen. Toma ishte plak, a ndoshta plak më dukej mue ngase isha fëmijë. Toma e kishte shtëpinë në mes të Shirokës, sa kalojshe nji klub n’qoshe të rrugës së vetme e merrshe rrugën përpjetë për kah kampi i fmijëve, dikur vila e Mbretit Zog. Gjyshi e gjuante penxheren e shtëpisë me guralec: -Erdha me vrep, ndihej zani i Tomës. Toma kishte za të pakët… përherë me nji xhaketë bojkafe, dimën-verë e n’krye nji kasketë doku. Gjyslykët me skelet të trashë të zi, i jepnin atij pamje prej intelektuali. Fliste ngadalë e me buzen në gaz krejt kohës. E donte fort gjyshin, e vëreja se i ndrinin sytë kur takoheshin. Mos të ishte për gurabijat pesë lekëshe që më blinte, nuk do e kisha kujtue me kaq hollësi Tomen…

Mandej zbrisnim të tre drejt bregut të liqenit. Toma e gjyshi mblidhnin do gur petashuqa e mi jipnin mue me gjuejt petulla n’uj. Kur ta çojsh në dhjetë petulla me ‘i gurë, ke i gurabi tjeter më thonin.

Me binte krahu n’tokë tue dashte me mbërri dhjetën. – Oh, po për Zoten! -thërriste Toma e qeshte me za. Fiks dhjetë. Qê artist! – e ma zgjaste nji pesë lekësh tjetër për gurabinë e premtueme, ani se edhe ai edhe unë e dinim se as gjasht petulla nuk i kisha ba. Më bante përshtypje pse gjyshi e Toma përherë flisnin me za të ulët.

Isha kureshtar me i ndigju, por me petulla uji, e gurabija klubi me mbanin gjithmonë larg. Vetëm pak vite mâ vonë, kur Toma pat vdek në senatorium nga tuberkulozi, e pata kuptue se Toma kishte qênë prift… E ndigjova gjyshin kur i tha nji burri thatuk që erdhi te na me marr vesht si qé puna. Nesër mbrama, i tha gjyshi lehtë, dom Lorenci ka me çu meshë për Tomen diku në shtëpin e nji miku të tyre në Shkodër. Gjyshi me Tomen kishin pas jetue për vite me radhë në nji odë burgu dhe e kishin nda kafshatën e bukës me njêni-tjetrin. Me pat marrë edhe mue me vedi gjyshi kur shkuam në vorrimin i Tomës. Ata i kishin vorret e tyne në mal, atje mbi liqen. Vorret e tyre më paten shti friken… ishin do qiparisa të naltë e kumritë zinin vend ndër ta… nuk kishte shum njerëz në varrimin e tij. Kah u kthyem në shtëpi, gjyshi heshti e un nuk bzana hiç. Ma mori mendja që po përcillte ndërmend të kaluemen me mikun e tij. Vetëm kur mbërritem në Tophane, mori frym thellë e tha duke me fërkue qafen e duke iu dridhun gusha: -E kam pasë si vlla! Lotët që i rrodhen për faqe nuk i fshiu. Vetëm mblodhi vetullat e shikimin treti diku larg.

Prej aty e deri te shtëpija, gjyshi nuk çeli ma gojë. Atbotë e mbrapa, kurrë nuk më pat marrë mâ për shetitje kah liqeni.

Kur shkoj në Shirokë, përherë më kujtohen ata dy burra të mirë… herë kthej kryet poshtë kah bregu i liqenit ku uleshin mbi gurë e përshpërisnin lehtë-lehtë e herë kthej kryet kah qiparisat ndër vorre ku prehet Toma, mbi të cilat kukujnë pa prâ kumritë. / KultPlus.com