“Burrnesha”, një dramaturgji e ashpër e cila sulmon paragjykimin

Era Berisha

Ishte vjeshta e vitit 1995 kur personazhi kryesor Sose vendos të sakrifikojë veten e saj për të ndryshuar përgjithmonë rrugëtimin jetësor. Pas një vendimi të pakthyeshëm, Sose shndërrohet në një burrneshë e cila në çdo moment do të përballet me konceptin e lirisë dhe ajo do të ngërthehet përbrenda vorbullës së të qenurit një ‘burrë’ që përfiton disa nga privilegjet të cilat i gëzojnë vetëm ata. Në një dimension jashtëzakonisht të thellë që nuk është parë asnjëherë më parë, mbrëmë u shpalos premiera e shfaqjes “Burrnesha” nga regjisori Erson Zymberi, shkruan KultPlus.

Gjithçka nisi kur një numër i madh i të pranishmëve shkelën brenda skenës së Teatrit ‘Oda’ që dukshëm kishte ndërruar formë. Me një koncept ndryshe nga e zakonshmja, publiku pati rastin të shijojë shfaqjen në dy anë me ç’rast qysh në fillim shfaqja po sillte copëza kreativiteti. I ndarë në dy anë, publiku u mirëprit me një tym që kishte kapluar vendin në masë të duhur dhe po tregonte për një mjedis kulturor i cili i ngjasonte një të huaji.

Fotografia: Agon Ahmeti

Nën dritat e fikura të skenës dolën aktorët: Semira Latifi, Tringa Hasani dhe Kushtrim Qerimi, të cilët me lojën e tyre të mrekullueshme portretizuan realitetin e vërtetë të fenomenit të burrneshave, gra shqiptare të cilat për të mbrojtur nderin e familjes detyrohen të jetojnë si burra, duke hequr dorë përgjithmonë nga jeta e të qënurit një grua.

“Burrnesha” përplasi para të pranishmëve thelbin intim të personazhit kryesor, Sose që vjen nën aktrimin e pakrahasueshëm të Tringa Hasanit. Në veriun e Shqipërisë, njëra nga pak burrneshat e mbetura apo ndryshe të ashtuquajtura ‘virgjëreshat e Shqipërisë’, Sose, takohet me antropologen angleze, Edith (Semira Latifi) dhe të dyja udhëtojnë për në Londër për t’iu shpalosur studentëve në një universitet, dukurinë e burrneshës dhe procesin e shndërrimit të saj. Por gjatë kësaj vizite, gjërat duken se nuk po shkojnë dhe aq mirë për Sosen. Papritmas ajo e gjen veten brenda një performance queer që po përgatitet nga Julian që është një drag-queen e njohur e Londrës dhe ajo nëpërmjet historisë të Sose-s bën çmos që të sjell diçka të paparë më herët në Teatrin Soho të Londrës, në mënyrë që mos të humbasë punën e saj.

‘Julian’ që vjen nën interpretimin e mahnitshëm të aktorit Kushtrim Qerimi, vazhdimisht thumbon dhe ironizon me faktin që Sose nuk është një grua reale. Ajo para fytyrës së Sose-s i flet për një jetë të cilën ajo do të duhej ta kishte bërë qysh herët duke e shtyrë atë të përballet me kulturën e huaj të Londrës. Sose, e tronditur nga takimi me këtë kulturë, nis të shtrojë e rishtrojë pyetje ndaj vetvetes dhe shtyn që ajo të kuptojë diçka tjetër. Ajo kupton se koncepti i lirisë në fakt është një mos-liri në një shoqëri të ndërtuar mbi vlera të ndryshme, ndërsa në Shqipëri, nga mungesa e të drejtës së lirisë, gruaja detyrohet të shndërrohet në një burrë për të fituar lirinë e saj.

Një lloj intimiteti mes Sose-s dhe antropologes Edith që vjen nën një format tejet interesant dhe eksperimental, ku ofshamat dhe epshi bëhen bashkë në një lloj situate ku Sose tregon se burrëria e saj në fakt nuk është dhe aq fisnike dhe aq krenare sa pretendon të jetë. E kjo më së miri vërehet edhe atëherë kur në secilin muaj, Sose tradhton vetveten e saj për shkak të menstruacioneve. Andaj, monologu i aktores Tringa Hasani rreth kësaj çështjeje zgjoi admirimin dhe befasinë në publik. Interpretimi i atij niveli artistik u fut thellë brenda ndjenjave të secilit të pranishëm mbrëmë dhe dëshmoi edhe një herë se janë detajet ato të cilat krijojnë një shfaqje e cila do mbetet gjatë në kujtesën e secilit.

Ndërkaq, pa skenografinë nga Bekim Korça, muzikën nga Trimor Dhomi, koreografinë nga Gjergj Prevazi, kostumet nga Yllka Brada si dhe dritat nga Mursel Bekteshi, kjo shfaqje nuk do të kishte magjinë që e solli mbrëmë. Një magji që zbriti në Teatrin ‘Oda’ e që do të vazhdojë të mbetet e atillë.

Shfaqja “Burrnesha” me autor Jeton Neziraj shpalosi fenomenin e burrneshës që në fakt është shfrytëzuar dhe përdorur jashtëzakonisht shumë nga mediat ndërkombëtare e që është konsideruar si një ekspozim jo-përfitues që portretizon dukshëm shoqërinë patriarkale.

Për të treguar më shumë rreth shfaqjes dhe vështirësive të realizmit, për KultPlus foli regjisori Erson Zymberi.

“Ka qenë një proces intensiv i provave jo vetëm me aktorët por edhe me ekipin tjetër kreativ të shfaqjes. Në këtë proces, përveç idesë përmbajtjesore të konfigurimit të teatrit Oda si hapësirë, ideja e krijimit të shou-it ka qenë ajo që kemi dashur të trajtojmë sepse kjo vëmendje mediale që shpeshherë iu është dhënë personazheve të caktuara, në rastin tonë kemi fenomenin e burrneshave, ka qenë më shumë trivial e sipërfaqësorë sesa shpalosja e anës së brendshme të tyre”, shpalos Zymberi.

Sipas tij, ajo që është trajtuar është fakti që fenomeni i burrneshave vjen në një kohë kur sot debati mbi ligjin e martesave me gjininë e njëjtë është shumë aktual në Kosovë. Andaj, ai shpreson që përmes shfaqjes të nxitet ky debat sepse teatri konsiderohet ajo platformë ku duhet të ngritët zëri për çështje të kësaj natyre.

“Ka qenë pikërisht njëri prej monologëve të Burrneshës, në të cilën ajo flet për tradhtinë e saj sepse në një odë të burrave, në një shoqëri patriarkale, kur asaj i vinë menstruacionet, ‘burrëria’ e saj e tradhton. Kjo më ka lënë përshtypje shumë të veçantë se si dramaturgu Neziraj e ka shkruar në këtë nivel dhe është marrë me një detaj i cili më vonë bëhet shumë interesant”, thotë Zymberi.

Ndërsa, aktorja Tringa Hasani për KultPlus shpalosi vështirësitë për të portretizuar rolin e burrneshës.

“Për mua nuk ka qenë fare i lehtë ky rol, në fillim kur e mora ta lexojë tekstin nuk kam besuar që mund t’ia dalë, por gjatë procesit me ndihmën e regjisorit dhe kolegëve arrita dhe sot jam ndjerë tepër mirë ngase e kam dhënë maksimumin tim. Ishte një energji shumë e mirë sonte dhe shpresoj se atë çfarë kam përçuar unë, publikut t’i ketë pëlqyer”, thotë Hasani.

Sipas saj, roli i Burrneshës është një rol shumë i vështirë sepse përderisa një femër vendos për të sakrifikuar vetën e për t’u shndërruar në burrneshë vetëm se në shtëpi janë katër motra dhe duhej të mbrohej nderi i shtëpisë, kjo tregon se sa e vështirë e po aq e dhimbshme ka qenë kjo dukuri.

Fotografia: Agon Ahmeti

Po ashtu, regjisori Fadil Hysaj për KultPlus në aspektin profesional tregoi rreth përshtypjeve të tij për këtë shfaqje.

“Shfaqje e cila me të vërtetë të bën të mendosh shumë për një problem që realisht nuk është trajtuar asnjëherë në një dimension kaq të thellë. Ka spektër antropologjik, psiko-analitik, sarkazëm, ironi, dramë, elemente tragjike dhe ka një ‘shou’ botërorë për një zonë të braktisur në Evropë. Pra, ka shumë dimensione që janë harmonizuar shumë bukur në shfaqje me një lojë të jashtëzakonshme të aktorëve dhe me një regjisor që është shumë mirë i komponuar me një dramaturgji cinike të Jeton Nezirajt, i cili me shumë sukses i drejton temat delikate”, thotë Hysaj.

Sipas tij, dramaturgjia e Nezirajt është një proces çlirimi nga makthet teknologjike, kulturore dhe konfrotues.

“Paragjykimet e paraqitura në shfaqje janë të shtresuara me shekuj dhe të ndërtuara nga miqtë e shqiptarëve që kryesisht portretizojnë kulturën arkaike që ka mbetur diku në bisht të Evropës. Por, ky lloj trajtimi sikur në të gjitha dramat e Jetonit, është një dramaturgji e ashpër e cila sulmon paragjykimin, skemën dhe gënjeshtrën institucionale, çfarëdo tematike qoftë ajo. Në vitet e 90-ta është punuar shumë në temën e burrneshave për t’i paraqitur diku atje në Shqipëri dhe është një ‘Afrikë e vogël’ ku femrat nuk kanë të drejta dhe për të fituar lirinë e tyre detyrohen të kthehen në mashkull. Këto propaganda të cilat kanë pasur një sistem janë bërë tema botërore”, shpalos ai.

Për Hysajn, artistët shqiptar janë shndërruar në instrumente për të bërë diçka që është realisht shumë kundër efektit, gjë kjo që ka dëmtuar shumë në aspektin kulturor.

“Ka femra që ndihen meshkuj, njashtu qysh ka meshkuj që ndihen femra. Sot, Kushtetua e Kosovës e lejon diçka të tillë qysh e lejon civilizimi bashkëkohor-perëndimor. Ata që duan të bëhen meshkuj, kanë të drejtë për të kaluar në proces biologjik të ndërrimit të gjinisë. Pra, diçka e tillë që sot shtetet demokratike insistojnë për të ndërtuar si të drejtë e njeriut, në traditën shqiptare ka ekzistuar si e drejtë shumë moti.”

Gjithashtu, për të treguar rreth sfidës së të luajturit rolin e Sose-s, për KultPlus foli aktorja Aurita Agushi.

Sipas saj, rolin e Burrneshës sonte Tringa e solli në mënyrë shumë të mirë. Si aktore, ajo i ka shtyrë limitet e saj përtej dhe e pashë një transformim të saj tejet të bukur.

“E pashë një punë të jashtëzakonshme të regjisorit dhe të aktorëve si dhe komplet ekipit. Tek ne në Kosovë nuk është se ka pas shumë burrnesha por kjo dukuri shfaqet më shumë në Malësinë e Shqipërisë dhe është shumë më e vështirë për ne kur e marrim për ta kuptuar dhe inskenuar si dukuri, sado që jemi të njoftuar me të. Është shumë sfiduese për regjisorin dhe aktorët për të trajtuar këtë dukuri, por ata e sollën në një dimension tjetër dhe ndryshe nga ajo që jemi mësuar ta shohim nëpër dokumentare apo filma”, thotë Agushi.

Ky është produksioni i parë në gjuhën shqipe i kësaj drame. Më herët ajo është vënë në skenë në gjermanisht, në Zvicër, si një bashkëprodhim i: Forever Productions, Schlachthaus Theater Bern, Theater Winkelwiese Zürich, Kleintheater Luzern dhe Kellertheater Winterthur.

Reprizat e shfaqjes “Burrnesha” vinë me datë 11 maj dhe 12 maj duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Oda. / KultPlus.com

Fotografia: Agon Ahmeti

Komedia ‘E vërteta’ do të shfaqet tre netë radhazi në Teatrin e Gjilanit

Në Teatrin e Qytetit të Gjilanit për tre netë radhazi, nga 23 shkurti, do të shfaqet komedia “E vërteta” nga Florian Zeller, me regji të Agon Myftarit dhe kjo shfaqje është prodhim i Teatrit të Gjilanit, shkruan KultPlus.

“E vërteta përballë apo ballafaqon dy çifte, të cilët gjatë jetës së tyre kanë humbur kuptimin e së vërtetës.

Sa larg do të shkojnë ata për ta fshehur atë, kush tradhëton kë, pse tradhëtohet, kush është më i mirë në tenis, cila është e vërteta, a humbet ajo mes rreshtave apo thuhet, sa të dhemb dhe sa mund ta duroni të vërtetën.

Në këtë shfaqje luajnë: Kushtrim Qerimi, Tringa Hasani, Avni Shkodra dhe Safete Mustafa.

“E vërteta” do të fillojë nga ora 19:00 dhe do të shfaqet për tre netë radhazi. /KultPlus.com