Festivali ‘FemArt’ shtyhet për në tetor

Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet ka bërë të ditur se festivali ndërkombëtar për artiste dhe aktiviste është shtyrë për shkak të situatës të përkeqësuar me Covid-19 dhe versionin Delta, përcjellë KultPlus.

“Masat e Qeverisë kanë bërë që Artpolis të marrë vendim për shtyrje të Festivalit FemArt për javën e parë të tetorit.
Më 1-6 tetor 2021 FemArt do të jetë sërish afër publikut me shfaqje, performanca, muzikë, poezi, ekspozita, punëtori, raporte e konferenca përmes edicionit të 9-të, që vjen me moton “F… Seksizmit””, thuhet në njoftimin e tyre.

Festivali ‘FemArt’ do të mbahet me respektim të plotë të masave kundër Covid-19 dhe versioni Delta, e vetëm personat e vaksinuar do të mund të jenë prezent në këto aktivitete artistike. / KultPlus.com

Trupa rezidente e Qendrës Artpolis sjell leximin skenik “Lojëra në Oborrin e Pasmë”

Sonte, trupa rezidente e Qendrës Artpolis sjell leximin skenik “Lojëra në Oborrin e Pasmë”, me autore Edna Mazyac të shqipëruar nga Artur Lena dhe nën regjinë e Zana Hoxhës, në Parkun e Qytetit në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Ngjarja zë vend në vitet 1988-91 në këndin e lojërave të qytetit Kibuts të Izraelit, në të cilën trajtohet dukuria e ngacmimeve seksuale, një dukuri kaq prezente edhe në shoqërinë tonë.

Në qendër të kësaj vepre është përdhunimi i një vajze 15 vjeçare nga katër djem të rinj në oborrin e pasmë, por mbi të gjitha gjyqi publik që i bëhet viktimës, e cila pëson edhe një dhunim të dytë ligjor, pasi “ishte ajo që e nxiti dhunimin”.

Këtë lexim skenik para publikut do ta prezantojë trupa artistike rezidente e Qendrës Artpolis me aktorët si: Zhaneta Xhemajli, Mikel Markaj, Edlir Gashi, Ismail Kasumi, Blerta Gubetini dhe Art Pasha, duke filluar nga ora 20:00.

Ky lexim skenik përkrahet nga KCSF dhe CFD. / KultPlus.com