Rama: “Turi i Kullave”, shtysë të re zhvillimit të turizmit të traditës në Shqipëri

“Turi i Kullave’’, një model inovativ për të eksploruar atraksionet shqiptare në kullat e gurta të veriut të vendit tonë vijon të zgjerohet si pjesë e ofertës turistike që ofron Shqipëria.

Këtë herë “Turi i Kullave” zgjerohet në Kukës, Has dhe  Tropojë, me nëntë kulla karakteristike që i shtohen kësaj eksperience autentike në zemër të veriut shqiptar.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga këto kulla, që sipas tij i japin “një shtysë të re zhvillimit të turizmit të traditës në Shqipëri”.

Rama nënvizoi rëndësinë e këtij turi “me kullat tipike, bujtinat e kuzhinën tradicionale që promovojnë prodhimet cilësore ‘Made in Albania’”.

“Turi i Kullave” vjen si një ide inovative e mbështetur nga GIZ Albania, për të përjetuar Shqipërinë nga një kënd i paeksploruar më parë.

Ky tur është një udhëtim në zemrën e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturore të Shqipërisë së Veriut. Ky itinerar përfshin eksplorimin e pasurive historike të kullave shqiptare, duke kombinuar përvoja autentike kulturore, historike dhe agroturistike.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të takohen me banorët e këtyre kullave, të njihen me historinë dhe traditat, të shijojnë gatimet tradicionale dhe të njohin përpjekjet për ruajtjen e kësaj trashëgimie të veçantë.

“Turi i Kullave” përçon mesazhin e jetës dhe historive të skalitura në muret e tyre shekullore, duke dëshmuar kulturën dhe traditat që këto kulla kanë ruajtur ndër vite./atsh/KultPlus.com

Nëntë kulla karakteristike nga Kukësi, Tropoja dhe Hasi, pjesë e “Turit të Kullave”

Nëntë kulla karakteristike nga Kukësi, Tropoja dhe Hasi, janë bërë pjesë e Turit të Kullave, që është një model inovativ për të eksploruar atraksionet shqiptare dhe vlerë e shtuar për ofertën turistike të Shqipërisë.

Me mbështetjen e GIZ Albania, kullat janë identifikuar, lidhur me agroturizmet dhe bujtinat e zonës, si dhe mbështetur me pajisje kuzhine profesionale, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e mikpritjes dhe të shërbimeve që ofrohen për vizitorët vendas dhe të huaj.

Përveç vizitave kulturore në kullat historike, turi i kullave ofron një gamë përvojash aktive si ecje në shtigje malore, ciklizëm, eksperienca kulinarie etj.

Turistët dhe vizitorët e ndryshëm mund t’i bashkohen turit të kullave, lehtësisht duke përdorur aplikacionin Agritourism AL, ku mund të gjejnë të gjitha informacionet dhe mundësitë për rezervim./atsh/KultPlus.com

Rama: “Turi i Kullave”, model inovativ për të eksploruar atraksionet shqiptare

“Turi i Kullave’’, vjen për herë të parë si një model inovativ për të eksploruar atraksionet shqiptare në kullat e gurta të veriut të vendit tonë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga ky tur, ku çdo turisti do t’i jepet mundësia për të njohur nga afër mënyrën e jetesës tradicionale shqiptare, edhe si një ftesë mirëseardhjeje në ato vatra nga merr kuptimin mikpritja si virtyt përmes shprehjes “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.

Në vazhdën e modelit pilot “Turet Agroturistike”, produkti i tretë turistik, “Turi i Kullave”, bashkoi operatorë turistikë, bashkëpunëtorë dhe dashamirës të traditës, arkitekturës dhe historisë në një udhëtim të shkurtër, por mbresëlënës, në disa prej kullave që janë pjesë e këtij turi.

Dyert e kullave u hapën me bujari për të ofruar gatimet tradicionale të zonës së Matit dhe Bulqizës, të cilat u pasuan me këngë, valle dhe histori të trashëguara brez pas brezi.

Ndër disa kulla, pjesë të turit, pjesëmarrësit vizituan “Kullën e Barçit”, “Bujtinën Çeliku”, “Kullën e Shaban Zajmit”, “Kullën e Moçme” dhe “Kullën Hupi”.

“Turi i Kullave” vjen si një ide inovative e mbështetur nga GIZ Albania, për të përjetuar Shqipërinë nga një kënd i paeksploruar më parë./atsh/KultPlus.com