Rama: Bujtina “Kaso” në Përmet, ndalesë e këndshme e turistëve

 Bujtina Kaso në Përmet është një tjetër ndalesë e këndshme e turistëve në këtë zonë.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se pas shumë viteve në emigrim, Irakli Kaso, vendosi të investonte në vendlindje dhe me mbështetjen e AZHBR/IPARD ngriti këtë bujtinë.

“Pas shumë viteve në emigrim, Irakli Kaso, vendosi të investonte në vendlindje dhe me mbështetjen e AZHBR/IPARD II arriti të realizojë projektin për ndërtimin e kësaj bujtine, e cila ka hapur dyert këtë vit dhe mirëpret turistë vendas e të huaj”, u shpreh Rama.

Flukset hyrëse të turistëve të huaj në Shqipëri vijuan të jenë në trende rritëse edhe gjatë vjeshtës. Në total, nga janari deri në fund të tetorit gati 9 milionë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë, duke tejkaluar me 32% shifrat e vitit 2022 që është dhe viti rekord i hyrjeve të vizitorëve të huaj. /ATSH /KultPlus.com

Divjakë-Karavasta, destinacion i bukur për fundjavën

Parku Kombëtar “Divjakë-Karavasta” është destinacioni i përkryer për të kaluar fundjavën e për për të shijuar bukuritë që ofrojnë flamingot dhe shpendët e shumëllojshëm.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau sot pamje nga flamingot, zogjtë  me qafën e hollë dhe të harkuar dhe me këmbët e hijshme që kanë “pushtuar” parkun Divjakë-Karavasta.

Zogjtë lozonjarë tërheqin vizitorë të shumtë në vëzhgimin e piruetave të tyre, herët në fillim dite dhe përshëndesin diellin në perëndimin e tij.

Vitet e fundit ata janë kthyer në një destinacion për turizmin e vëzhgimit të tyre në habitatet natyrore ku jetojnë.

Flamingot jetojnë gjithmonë në grupe, që nga grupet e vogla deri në qindra mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit. Fluturimi bëhet duke formuar radhë të gjata ose në formë V-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre – një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit.

Zakonisht qindra flamingo mblidhen së bashku si një grup baleti uji. Të gjithë pastrojnë puplat e tyre rozë duke qëndruar me një këmbë në diell për orë të tëra. Madje me një këmbë ata edhe flenë.

Gjatësia e tyre shkon nga 81 deri ne 130 cm, por pesha e tyre trupore është e vogël, ajo shkon nga 2 – 3,6 kg. Duke kombinuar peshën dhe ngjyrën, flamingot janë ndër zogjtë më të dallueshëm nga të tjerët. /ATSH /KultPlus.com

Kumbaro: Kolazh kartolinash nga Thethi në Ksamil, destinacionet e preferuara të blogerëve të huaj

Shqipëria vitet e fundit ka tërhequr vëmendjen e blogerëve të huaj, të cilët ftojnë ndjekësit e tyre të vizitojnë vendin tonë këtë sezon veror.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjete sociale një video nga udhëtimi i blogeres Coral Gorstein, e cila ka vizituar Shqipërinë nga Thethi në Ksamil.

“Me një kolazh kartolinash nga Thethi në Ksamil destinacionet e preferuara të blogerëve të huaj që dita-ditës po e zgjerojnë hartën turistike duke promovuar perla të reja për t’u zbuluar dhe ku vështirësia e vetme është ajo e zgjedhjes”, tha Kumbaro.

Blogerja Gorstein në videon e publikuar në rrjetet sociale tregon se ka qëndruar në Theth, në Lumin e Shalës, në Vlorë dhe Ksamil.

“Nëse ju pëlqen eksplorimi dhe natyra, unë do t’ju rekomandoja të vizitoni Thethin dhe Lumin e Shalës. Nëse jeni duke kërkuar për plazhe zona e Vlorës dhe Ksamilit janë vendet ku mund të shkoni”, shkruan Gorstein ndjekësve të saj të cilët e pyesin për vendet më të mira për t’u vizituar në Shqipëri.

Shqipëria gjithnjë e më shumë po tërheq turistë dhe vizitorë të huaj, jo vetëm në sezonin turistik veror, por përgjatë gjithë vitit. Gjatë periudhës janar-maj kanë hyrë në territorin shqiptar 2 389 899 turistë të huaj, nga 1 667671 turistë të huaj që vizituan vendin vitin e shkuar në të njëjtën periudhë. Vetëm gjatë muajit maj kanë hyrë në territorin shqiptar 705 069 turistë të huaj, kur në të njëjtën periudhë të 2022-shit, hynë 604 430 turistë të huaj, ose 17 % më shumë./atsh/KultPlus.com

“Ekomuzeumi i Zvërnecit”, aseti më i ri turistik në zonën e mbrojtur

 “Ekomuzeumi i Zvërnecit” është aseti më i ri turistik për zonën e mbrojtur Vjosë- Nartë në Vlorë.

Ky ekomuzeum është krijuar nga zbatimi i projektit “Ekomuzeumi i Zvërnecit, një instrument praktik për promovimin e natyrës, kulturës dhe aventurës në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë”, një bashkëpunim mes Shoqatës CERCI, ASTER, Shoqatës “Vjosa Explorer”, falë projektit Green-AL.

Adiministrata e Zonave të Mbrojtura Vlorë ishte pjesëmarrëse në një aktivitet me dashamirës të natyrës dhe nxënës të shkollave, mbi promovimin e Peizazhit të Mbrojtur “Pish Poro-Nartë”, në një formë tjetër ekologjike, siç janë biçikletat.

Ky tur përfshinte njohjen e disa pikave turistike të zonës, zhvillimin e birdwatching dhe njohjen me bunkerët historike.

Në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë, 4 prej bunkerëve jo-funksional të gjendur në këtë zonë janë shndërruar në atraksion turistik. Në secilin prej këtyre bunkerëve janë gdhendur punime artistike që përfaqësojnë më së miri elementët natyror të zonës së mbrojtur ku gjenden, Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë.

Me këtë ekomuzeum i dhurohen zonës së mbrojtur itinerare të reja, që ndërthurin natyrën me artin publik për të promovuar turizmin e qëndrueshëm dhe për të ndërgjegjësuar brezat e rinj mbi sfidat mjedisore globale.

Peizazhi Kombëtar Vjosë- Nartë ndodhet në veri-perëndim të qytetit të Vlorës, rreth 14 km larg saj dhe ka një sipërfaqe  prej rreth 42 km 2. Në këtë peizazh të mbrojtur bën pjesë dhe Zvërneci, me ishullin e vogël të tij, ku veç të tjerave dallon nga kisha “Fjetja e HyjLindës Mari”.

Laguna e Nartës është e dyta më e madhja për nga numri i shpendëve që ndodhen në të dhe ka një shumëllojshmëri të tyre duke filluar nga dallëndyshja e detit, çafkat, por edhe simbolin e lagunës flamingot. /atsh /KultPlus.com

Turizëm me biçikleta, forma e re e kosovarëve për të shijuar veriun e Shqipërisë

Kjo maratonë çiklistike e nisur nga Gjakova ka përfunduar në Krumë. Gjatë ndalesës në qytetin e Kukësit, grupi i çiklistëve vizitoi Kullën e Qendrës si dhe Muzeun Etnografik.

Ata tregojnë pse zgjodhën pikërisht këtë lloj turizmi dhe mbresat e tyre gjatë udhëtimit në veriun e Shqipërisë.

Si në shumë vende të Shqipërisë ku natyra të mahnit, dora e njeriut apo edhe institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm që këtë bukuri ta përkthejnë në të ardhura.

Dhe për këtë pjesë një prej anëtarëve të këtij grupi ka edhe një apel që sipas tij natyra nuk mjafton. Në verilindje, turizmi i biçikletave viteve të fundit është bërë i preferuari për aventurierët kosovarë të natyrës/A2CNN. / KultPlus.com

Funari, surpriza e pazbuluar e turizmit malor (VIDEO)

E pasur me pyje të shumëllojshme, me liqene të pastër dhe një natyrë thuajse të pashkelur, Funari është një nga bukuritë më të mëdha të bashkisë së Elbasanit, por edhe të vendit. Infrastruktura rrugore e vështirë ka bërë që kjo zonë të mos frekuentohet masivisht, edhe pse ndodhet 20 km larg Elbasanit.

Por, tashmë, me promovimin e zonës dhe rregullimet infrastrukturore, Funari mbetet surpriza e pazbuluar ende e turizmit malor në Shqipëri.

Për promovimin e kësaj zone dhe kthimin e saj në destinacion turistik, Bashkia Elbasan ka organizuar një festë e cila pritet të kthehet në traditë, ndërkohë që një projekt i Bashkisë synon ta lidhë Funarin drejtpërdrejt me Tiranën përmes një aksi rrugor që kalon mes fshatrave dhe ndikon në rigjallërimin e tyre.

E ndodhur vetëm 20 km nga Elbasani dhe 25 km nga Tirana, pakkush e njeh këtë mrekulli të natyrës. E pasur me pyje pishash dhe dushku Funari ofron një klimë të shëndetshme që nëse i shtojmë dhe gatimet tradicionle të zonës bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavat.

Por përveç bukurive natyrore, Funari na flet edhe me gjuhën e lashtësisë. Në vitin 1967 kur u hap rruga për në këtë zonë, gërrmimet nxorrën në dritë rrasa pllakash që mbulonin varre të ndërtuar me mur guri. Në to gjendeshin skelete që nuk u dëmtuan plotësisht. Ato i përkasin një periudhe shumë të lashtë, mbase parapellazgjike.

Në malin e Bixëlles, shtrirë mbi një shkëmb, është një fushë e vogël prej 2 ha, që nga vendasit quhet qytezë. Sipas shpjegimeve të fjalorit “qyteza”është qendër e vogël banimi mes mureve të një Kështjelle.

Shpella e Hasmit gjithashtu ofron bukuri të rralla për t‘u vizituar./ ata