Raporti i UN Tourism, Kumbaro: Shqipëria kryeson në rritjen e flukseve turistike në Europë

Shqipëria kryeson sërish në rritjen e flukseve turistike në Evropë. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, bën me dije se Shqipëria ka një rritje me +136% krahasuar me periudhën para-pandemike.

Ministrja Kumbaro i referohet raportit që u publikua në Baku, Azerbajxhan, gjatë mbledhjes së 71-të të Komisionit për Europën të UN Tourism, ku Shqipëria mori pjesë si anëtare me të drejta të plota.

Sipas Kumbaros, ky është një tjetër “konfirmim ndërkombëtar për suksesin e modelit shqiptar të turizmit, i mbështetur në vizionin e turizmit të qëndrueshëm, që ishte edhe fokusi i diskutimeve gjatë mbledhjes së Komisionit për Europën të UN Tourism (CEU) si pjesë e Deklaratës së Bakusë”.

“Shqipëria ishte aty, jo vetëm për të dëgjuar, por për të ndarë eksperiencën e saj si një histori suksesi që frymëzon”, tha Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.

Gjatë muajit prill të këtij viti hynë në vend 1.487.149 shtetas shqiptarë dhe të huaj, duke shënuar një rritje prej 6,0% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, tregues që reflekton një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit në vend.

Hyrjet e shtetasve të huaj në vend kanë arritur në 819.151, me një rritje prej 3,2%, ndërsa 95% e turistëve vijnë nga Evropa, ku dominon Evropa Jugore me 74%. Shumica e vizitorëve, rreth 97%, hyjnë për arsye personale, si pushime dhe vizita tek të afërmit, duke treguar se turizmi i brendshëm po merr hov të shtuar.

Rritja e turizmit është rezultat i investimeve në infrastrukturë, përmirësimit të lidhjeve ajrore, promovimit ndërkombëtar dhe diversifikimit të ofertës turistike. Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë falë bregdetit të pacenuar, kulturës unike dhe atraksioneve natyrore./atsh/KultPlus.com

Raporti i UN Tourism, Rama: Shqipëria e para në Evropë dhe në botë për rritjen e turizmit

Shqipëria renditet e para në Evropë dhe në botë për rritjen e turizmit gjatë vitit 2024.

Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale publikoi raportin më të fundit të World Tourism Barometer, publikuar nga Organizata Botërore e Turizmit (UN Tourism).

“Sipas raportit të fundit të UN Tourism, Shqipëria cilësohet e para në Evropë dhe në botë për rritjen e turizmit”, shkruan Rama.

Sipas këtij raporti, Shqipëria ka regjistruar Shqipëria renditet e para me një rritje prej 80% të turistëve, e ndjekur nga Arabia Saudite me 69%, më pas vjen Kolumbia me 37%, Maroku me 35%, Republika Domenikane me 32% etj.

Rritja e turizmit është rezultat i investimeve në infrastrukturë, përmirësimit të lidhjeve ajrore, promovimit ndërkombëtar dhe diversifikimit të ofertës turistike. Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë falë bregdetit të pacenuar, kulturës unike dhe atraksioneve natyrore./atsh/KultPlus.com