MEKI dhe Universiteti i Tiranës me projekt të përbashkët vrojtimi arkeologjik

Një grup i përbashkët pune me specialistë të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK), pedagogë dhe studentë të Departamentit të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore (DATK) u angazhua për dy javë në një projekt vrojtimi arkeologjik intensiv.

Projekti kishte si synim evidentimin e siteve arkeologjike potenciale dhe dokumentim të pasurive të trashëgimisë kulturore në zonën kodrinore të Divjakës. Ky projekt u mbështet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit si dhe Universiteti i Tiranës, në kuadër të Paktit për Universitetin dhe me propozim të bashkisë së Divjakës.

Specialistët e IKTK u shoqëruan në këtë projekt vrojtimi dhe nga specialistët e Muzeut Historik të Lushnjës. Rezultatet e pasura të fushatës së terrenit do të pasohen nga një proces sistematik analize të gjetjeve dhe formulim të një strategjie konkrete për menaxhimin dhe promovimin e një pasurie që duket fare pak e njohur deri sot./atsh/KultPlus.com

67 vite më parë u themelua Universiteti i Tiranës

Më 30 maj të vitit 1957 u themelua Universiteti Shtetëror i Tiranës, me vendim të Këshillit të Ministrave të kohës.

Në mbledhjen e kësaj date, qeveria vendosi emërimin e Zija Këlliçit si rektor të USHT-së, të Kolë Paparistos si zëvendësrektor për anën shkencore dhe të Hasan Dumës si zëvendësrektor për anën mësimore. Ky vendim do të hynte në fuqi më 1 qershor dhe përcaktonte që USHT-së t’i kalonin kuadrot dhe mjetet materiale e financiare.

Sipas projektdekretit, USHT-së do të përbëhej nga 6 fakultetet e poshtërenditura:

1) Fakulteti i Histori-Filologjisë;

2) Fakulteti Juridik;

3) Fakulteti Ekonomik;

4) Fakulteti i Inxhinierisë;

5) Fakulteti i Shkencave të Natyrës;

6) Fakulteti i Mjekësisë.

Fillesat e para për ngritjen e këtij institucioni të parë të arsimit të lartë në Shqipëri i gjejmë në vitin 1946, kur u hap Instituti i Lartë Pedagogjik dyvjeçar dhe në vitin 1947, kur u hap Instituti i Shkencave. Gjatë viteve 1946-1956 funksiononin në Tiranë gjashtë institute të larta: Instituti Pedagogjik, Instituti Politeknik, Instituti Mjekësor, Instituti Bujqësor, Instituti Ekonomik dhe Instituti Juridik.

Në vitin e parë akademik 1957-1958, universiteti kishte 3613 studentë. Studentët do të diplomoheshin në 15 specialitete. Në vitin 1967, universiteti mori formën e vet të plotë me ndërtimin e kampusit të parë të tij duke i dhënë këtij universiteti një dinamizēm më të madh. Kështu pas 20 viteve nga krijimi, në vitin 1977 numri i studentëve pa shkëputje nga puna arriti në 8880; nga të cilat rreth gjysma ishin vajza. Duhet theksuar që në këto vite të para ishin diplomuar 21368 studentë të cilët më pas u angazhuan në sektorët më të vështirë të jetës së vendit./atsh/KultPlus.com