Ura antike e Bogdanit, mendohet të jetë ndërtuar në shekullin III para Krishtit. Ajo është ura e vetme e kësaj periudhe e njohur dhe e studiuar deri më tani në territorin e Shqipërisë, duke e bërë një monument me vlera unike.
Rrënojat e këmbëve të Urës së Bogdanit ndodhen në shtratin e lumit Shushicë, në fshatin Mesaplik të bashkisë Selenicë, pranë qytetit antik të Ceries.
Për të dalë në përfundimin se i përket shek. III p.K. specialistët janë bazuar tek teknika e ndërtimit e morfometria. Gjatësia e urës ka qenë rreth 30 metra ndërsa gjerësia 3,05 metra.
Aktualisht, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë po kryen punime mirëmbajtjeje në rrënojat e urës, konkretisht në këmbën që është ruajtur më mirë. Kjo është e para herë që po realizohet një ndërhyrje e tillë nga DRTK-Vlorë. Ndërhyrjet e parashikuara përfshijnë pastrime, sistemime si dhe rivendosjen në vendin e vet të njërit prej blloqeve antike, i cili ishte rrëzuar nga përmbytjet e lumit.
Ky projekt u realizohet edhe me kontributin e Parkut Arkeologjik Apoloni./ KultPlus.com
