Ura e Kurçajt, trashëgimi e lidhur me turizmin e qëndrueshëm rajonal

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore solli në vëmendje një prej monumenteve kulturore, me interes për t’u vizituar gjatë fundjavës.

Ura e Kurçajt ndodhet pranë fshatit Kurçaj, në lindje të Krujës. Ura e ndërtuar në shek. XVIII ngrihet mbi lumin e Zezës. Ajo shërbente për të lidhur Krujën me Fushën e Tiranës. Ura është e ndërtuar me një qemer të madh dhe dy dritare shkarkuese anësore.

Ura e Kurçajt përfaqëson një shembull të shkëlqyer të arkitekturës historike rajonale dhe të arritjeve inxhinierike, ajo ka potencialin të jetë pjesë integrale në shtigjet lokale dhe rajonale të rigjallëruara të ecjes dhe pjesë e qasjes së “trashëgimisë së lidhur” me turizmin e qëndrueshëm rajonal.

Ura e Kurçajt, Monument Kulture i kategorisë I, i është nënshtruar restaurimit, nga programi EU4Culture, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Kulturës.

Ura dikur i shërbente rrugës së shkurtër të karvaneve Tiranë-Krujë sipas këtij itinerari: Tiranë-Zall-Herr-Rradhesh-Mukaj-Buronjë-Kurçaj-Barkanesh-Krujë. Në faqet ballore ura është e punuar me gurë pllakë të zinj vendosur shtrirë, ndërsa kalldrëmi është i bërë me breza, tip shkallësh. / KultPlus.com

Restaurim tërësor i Urës së Kurcajt në Krujë

Në urën e Kurcajt e shekullit XVIII, e vendosur në grykën mbi lumin Zezë në Krujë, monument kulture i kategorisë I po vijojnë punimet për restaurimin e saj.

Drejtori i Institutit Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, Eugen Kallfani tha për ATSH-në se “kjo urë është një nga monumentet më interesante në gjininë e veprave të rëndësishme inxhinerike”.

Sipas tij, me gjithë vështirësinë e terrenit dhe kompleksitetin e ndërhyrjes, ky monument po restaurohet tërësisht.

“Punimet përfshijnë restaurimin e çarjeve, ndërhyrje konsoliduese në muraturë, plotësimin e një pjese të rrëzuar të monumentit, hapjen e një dritareje shkarkuese të mbyllur gabimisht para shumë vitesh, konsolidim dhe restaurim të harkut duke parashikuar aplikim të tirantave inoksidabël prej çeliku, pastrimin e bimësisë, fugatim të muraturës etj”, tha Kallfani.

Kreu i IKTK-së bëri të ditur se ndërhyrja përfshin gjithashtu realizimin e shkallareve me mur guri për të mundësuar zbritjen në pjesën e poshtme dhe realizimin e mbrojtjes lumore për parandalimin e impaktit të drejtpërdrejtë, që mund të ketë rrjedha e ujit në raste prurjesh gjatë sezonit të shirave.

Kjo urë është një tjetër sit që do të restaurohet nga programi EU4Culture, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Kulturës.

Ura e Kurcajt është ndërtim i shekullit XVIII. Ajo i shërbente rrugës së shkurtër të karvaneve Tiranë-Krujë sipas këtij itinerari: Tiranë-Zall Herr-Rradhesh-Mukaj-Buronjë-Kurçaj-Barkanesh-Krujë. Në faqet ballore ura është e punuar me gurë pllakë të zinj vendosur shtrirë, ndërsa kalldrëmi është i bërë me breza, tip shkallësh./atsh/ KultPlus.com

Miratohet projekti për restaurimin e Urës së Kurcajt në Krujë

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin për kryerjen e ndërhyrjeve përforcuese, konsoliduese dhe restauruese të Urës së Kurcajt, në përroin e Zerzës, Krujë, monument kulture i kategorisë së parë.

Ura është ndërtim i shekullit XVIII. Ajo i shërbente rrugës së shkurtër të karvaneve Tiranë-Krujë.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në kuadër të procesit të rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019, ka hartuar një listë monumentesh me prioritet ndërhyrjeje dhe ka marrë masat për hartimin e projekteve.

IKTK mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje, e cila kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore. /ata/ KultPlus.com