Ura e Kushovës, investim për zhvillimin ekonomik e turistik të zonës së Gramshit

Ura e Kushovës ka përfunduar dhe është e aksesueshme edhe nga automjetet. Kjo urë është një prej shumë investimeve të kryera në Gramsh, që përveçse u shërben banorëve të zonës, shkurton edhe distancën për shumë turistë që duan të vizitojnë Ujëvarën e Sotirës.

Ndërtimi i kësaj ure është i një rëndësie të madhe pasi lehtëson maksimalisht jetesën në këtë zonë.

Fshati Kushovë i Gramshit njihet edhe për fushat e mbjella me livando, një bimë aromatike, e cila gjen përdorim të gjerë në industrinë kozmetike.

Lehtësitë do të krijohen kryesisht për banorët e zonës dhe biznesin e tyre, por edhe për ata që do të duan të vizitojnë natyrën e bukur të Kushovës.

Ndërkohë, investimi i kryer në Kushovë, shkurton distancën me ujëvarën e famshme të Sotirës, e cila buron nga mali i Tomorit  dhe rreth  22 kilometra larg Gramshit.

Në verilindje të Tomorit, ndodhet burimi i madh që vjen nga një e çarë gjatësore në shkëmbin gëlqeror të thepisur. Lartësia e rënies së ujit varion nga 5 m, deri 20 m lartësi. Peisazhi i shpatit ku uji del, në mes të pyjeve e pemëve të lisit, është i mrekullueshëm. Zhurma e ujit mund të dëgjohet shumë larg.

Bota bimore rreth ujëvarës është tepër e pasur, me pemë bliri, lofate, frashëri, lisi e deri edhe te gështenja e egër që është e rrallë në gjendje të egër. / atsh / KultPlus.com