Presidentja Osmani në Bruksel pyetet nga shefja e BE-së edhe për Dua Lipën (VIDEO)

Sot, në takimin me liderët e shteteve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, presidentja e Republikës së Kosovës pyetet nga shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, edhe për Dua Lipën, shkruan KultPlus.

Ursula: Si është Dua Lipa?

Osmani: Ajo është mjaft mirë dhe fatmirësisht ne do të ju kemi juve prezentë në kohën kur Sunny Hill Festival do të mbahet në Kosovë ku dhe ajo po krijon një “line-up” të artistëve.

Tutje, presidentja Osmani ju kthehet edhe dy burrave anash edhe i fton edhe ata ne festival.

Osmani: Ju jeni të gjithë të ftuar.

Presidentja Osmani ne videon e publikuar ne rrjete sociale ka shkruar gjithashtu se përkrahja e miqve tanë është vendimtare për ecjen tonë përpara në rrugën evropiane. / KultPlus.com

Kurti përfshihet me liderët botërorë për të dërguar mesazh të fortë uniteti dhe solidariteti në Ukrainë (VIDEO)

Në një video të shpërndarë nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, janë të përfshirë liderë nga e gjithë bota që po dënojnë agresionin rus nga Vladimir Putin në Ukrainë, shkruan KultPlus.

“Më shumë se 10 milionë njerëz duhej të largoheshin nga bombat e Putinit dhe të kërkonin strehim brenda Ukrainës ose në vendet fqinje. Dje bota u bashkua me një mesazh të fuqishëm uniteti dhe solidariteti. Të dashur popull ukrainas, qëndroni të fortë. Ne jemi me ty. Ne #QendrojmëPërUkrainën”, shkruhet në postimin e Ursula Leyen.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili shihet përkrahë liderë botërorë përfshirë këtu kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson dhe vetë Volodymyr Zelenskyn, shihet duke thënë se Kosova është rreshtuar krahë shteteve më demokratike të botës dhe i ka vënë sanksione Rusisë.

“Kosova është bashkuar së bashku me vendet më demokratike në botë për t’i vënë sanksione ndaj Rusisë. Që të qëndrojmë me Ukrainën, ne jemi zotuar që të pranojmë 5 mijë refugjatë ukrainas dhe gjithashtu kemi shprehur gatishmërinë tonë për t’i strehuar 20 gazetarë nga Ukraina”. /KultPlus.com

Reagimi i presidentes së Komisionit Evropian kur pa varrezën masive në Bucha (VIDEO)

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha dje se vrasjet e civilëve në Bucha tregojnë fytyrën mizore të ushtrisë së presidentit rus Vladimir Putin dhe u zotua të mbështesë Kievin në mbrojtjen e kufijve të Evropës.

Gjatë një vizite në Bucha, ku ekspertët mjeko-ligjorë filluan gërmimin e trupave nga një varr masiv, Von der Leyen u trondit dukshëm nga ajo që pa.

Në media është publikuar momenti kur kryetarja e Komisionit Evropian ka mbërritur në varrezën masive në Bucha.

“E pamendueshme ajo që ka ndodhur këtu”

“Këtu ndodhi e paimagjinueshme. Ne pamë fytyrën mizore të ushtrisë së Putinit. Ne pamë pamëshirshmërinë dhe indiferencën me të cilën ata pushtuan qytetin”, tha Von der Leyen.

“E gjithë bota vajton me banorët e Buçës dhe janë ata që mbrojnë kufijtë e Evropës, duke mbrojtur njerëzimin, duke mbrojtur demokracinë, prandaj ne jemi me ta në këtë luftë të rëndësishme”, tha kreu i Komisionit Evropian.

Ajo mbërriti në Kiev për të shprehur mbështetjen e saj morale për Zelensky dhe për të premtuar ndihmë financiare. Duke udhëtuar me tren nga Brukseli, ajo u tha gazetarëve se mesazhi më i rëndësishëm që ajo mbart është se Ukraina po përballet me një rrugë evropiane. Ajo premtoi të ndihmojë Ukrainën të dalë nga lufta si një vend demokratik, në të cilin, theksoi ajo, do të ndihmojnë BE-ja dhe donatorët e tjerë./ KultPlus.com

BE-ja gati të dërgojë hetues për krimet e luftës në Ukrainë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka reaguar përmes një postimi në Twitter në faqen e saj, ku thotë se BE-ja është e gatshme të dërgojë ekipe të përbashkëta hetimore në Ukrainë për të dokumentuar krimet e raportuara të luftës.

Postimi i saj vjen pas bisedës telefonike me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, , për “vrasjen mizore të civilëve në Bucha dhe gjetkë në Ukrainë”.

Ekipet do të jenë në koordinim me prokurorin e përgjithshëm të Ukrainës, me mbështetjen e agjencisë evropiane të policisë Europol dhe agjencisë së drejtësisë penale Eurojust. Imazhet tronditëse të trupave të civilëve në rrugët e Bucha, pranë kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, kanë çuar në një shpërthim të dënimit ndërkombëtar të Rusisë.

“Unë fola me Presidentin Zelenskyy për vrasjen mizore të civilëve në Bucha dhe gjetkë në Ukrainë. BE-ja është e gatshme të dërgojë ekipe të përbashkëta hetimore për të dokumentuar krimet e luftës në koordinim me Prokurorin e Përgjithshëm të Ukrainës. Europol dhe Eurojust do të mbështesin po ashtu,”- shkruan Ursula von der Leyen në postimin e saj në Twitter. / KultPlus.com

Presidentja e Komisionit Evropian i përgjigjet letrës së vajzës shqiptare për rindërtimin e shkollave të shkatërruara nga tërmeti që goditi Shqipërinë

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen ka ndarë në rrjetet e saj sociale letrën që i ka mbërritur së fundmi nga një vajzë shqiptare, e cila quhet Erjola, nga qyteti i Kurbinit.

Erjola falenderon institucionet europiane për dhënien e fondeve miliona euro për rindërtimin e shkollave dhe shtëpive të shkatërruara nga tërmeti tragjik që goditi Shqipërinë në nëntor 2019.

Erjola i shkruan me krenari “Sot unë dhe miqtë e mi ndihemi vërtet europianë”. Duke iu përgjigjur vajzës, Von der Leyen shpreh shpresën dhe bindjen e saj se një ditë Shqipëria do të hyjë realisht në BE.

Postimi i plotë:

Erjola është një vajzë 15-vjeçare që jeton në Kurbin në veri të Shqipërisë, 35 kilometra nga kryeqyteti Tirana dhe pak kilometra nga deti Adriatik.

Ajo më dërgoi një letër të shkruar me dorë, ku shprehte gëzimin e sinqertë për shkollën e saj të sapondërtuar, me ndihmën e BE-së. Kjo letër më preku. Nuk është vetëm një rrëfim thellësisht personal i përvojës së tij. Është gjithashtu një kujtesë e fortë e të mirave që mund të arrijmë si evropianë kur punojmë së bashku. Në këtë rast BE-ja dhe Shqipëria.

Dy vjet më parë, një tërmet shkatërrues me magnitudë 6.4 ballë të shkallës Rihter goditi Shqipërinë, duke vrarë dhjetëra njerëz. Ndër bashkitë më të prekura ishte Kurbini dhe ndër objektet e shkatërruara ishte shkolla e Erjolës. I gjithë Bashkimi Evropian është mobilizuar me shpejtësi për një vend që është në qendër të kontinentit tonë dhe që shpresoj dhe jam i bindur se një ditë do të jetë edhe ai pjesë e Bashkimit tonë.

Të njëjtën shpresë shpreh edhe Erjola në letrën e saj. “Sot miqtë e mi dhe unë ndihemi vërtet evropianë,” shkruan ai. Në shkurt 2020 në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë”, ftova, në prani të kryeministrit Edi Rama, partnerët tanë ndërkombëtarë të bashkohen në mbështetje të rimëkëmbjes. 100 milionë euro nga buxheti i BE-së i kam dhënë vetëm Komisionit Europian, përveç 15 milionë eurove që kishim dhënë tashmë.

Ndër të tjera, BE-ja që atëherë ka mbështetur procesin e rimëkëmbjes në rajon me një program të quajtur “EU4Schools”. E nisur në maj 2020, ofron fonde për 75 milionë euro. E zbatuar nga PNUD-i, është një platformë për të punuar drejtpërdrejt me qeverinë shqiptare, duke mbështetur qeverinë kombëtare dhe qeveritë vendore.

Një tjetër program i quajtur “EU4Culture” me një buxhet prej 40 milionë euro, i zbatuar nga UNOPS, synon rehabilitimin dhe rritjen e ndërtimit të objekteve të trashëgimisë kulturore të prekura nga tërmeti.

Në shtator, gjatë udhëtimit tim në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, pata nderin të inauguroja shkollën Korb Muça dhe kopshtin Evropa, të cilat gjithashtu u rindërtuan me fondet e BE-së. Tani, letra e Erjolës është një tjetër kujtesë e veçantë e miqësisë së qëndrueshme mes BE-së dhe Shqipërisë dhe e së ardhmes sonë të përbashkët. / KultPlus.com

Kryetarja e Komisionit Evropian e lumtur që takoi Dua Lipën: Ti ke ndikim shumë të madh në botë

Artistja me origjinë nga Kosova dhe me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, ka pranuar çmimin e “Lidershipit të Shquar” nga Këshilli Atlantik, e shoqëruar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan KultPlus

Këtë ceremoni e ka ndjekur nga afër edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e cila pati një takim me Duan.

“Jam shumë e lumtur që takova Duan në evenimentin e ndarjes së çmimeve të Lidershipit të Shquar 2021 në Këshillin Atlantik. Dua, ti ke ndikim të madh në botë. Me muzikën tënde dhe energjinë unike, ne jemi të gjithë duke u ngritur në ajër”, shkroi Von der Leyen në llogarinë zyrtare në “Twitter”.

Në shkrimin e Këshillit Atlantik, Dua Lipas i jepen katër epitete përshkruese si: “Fituese e Grammy”, “Themeluese e Fondacionit Sunny Hill” dhe “Aktiviste”./KultPlus.com

Von der Leyen e akuzon Erdoganin për seksizëm: Më lanë në këmbë se jam grua

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka akuzuar presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, për seksizëm, duke kujtuar incidentin e ndodhur gjatë vizitë së saj në Ankara dy javë më parë.

Në atë takim, ishin vendosur vetëm dy karrige në qendër të sallës, ku u ul Erdogan dhe Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, ndërsa Von der Leyen u detyrua të ulej në një divan, pas disa sekondash tepër të sikletshme në këmbë.

“Nuk gjeta asnjë justifikim për atë që ndodhi. Prandaj më duhet të dal në përfundimin se ndodhi pasi unë jam një grua”, tha Von der Leyen. “Unë jam gruaja e parë që bëhet presidente e Komisionit Europian. Jam presidente e Komisionit Europian dhe prisja që të trajtohesha si e tillë kur vizitova Turqinë. A do të kishte ndodhur kjo po të kisha veshur kostum dhe kravatë? Në fotot e mëparshme që kam parë, nuk dallova mungesë karrigesh, por gjithashtu nuk pashë asnjë grua në takime”./ KultPlus.com

Angela, Kristin dhe Ursula, tre gratë e mençura që po e shpëtojnë Evropën

Kush qëndronte pas hartimit të një plani të madh të rimëkëmbjes ekonomike, të bazuar tek solidariteti, kundër rrënimit ekonomik dhe social të shkaktuar nga një pandemia e Covid-19, e cila kërcënoi t’i jepte një goditje fatale kohezionit në Bashkimit Evropian?

Përgjigja qëndron tek një treshe:Kristin Lagard, Ursula Von der Lejen dhe Angela Merkel, 3 gra me personalitete dhe prejardhje të ndryshme, por që secila në pozicionin e saj kryesor, diti të merrte vendimet e duhura dhe në kohën e duhur.

Tre gratë, në të 60-at e tyre, nuk prisnin të bëheshin “fanari ndriçues” i këtij momenti delikat. Mendohej se Merkel ishte në vitet e saj të muzgut politik. E konsumuar dukshëm pas 13 viteve në pushtet në Berlin, “dekania” e liderëve evropianë kishte njoftuar në fund të vitit 2018, se do të hiqte dorë nga një mandat i pestë si kancelare e Gjermanisë.

Von der Lejen, që disa muaj më parë u zgjodh presidente e Komisionit Evropian, ishte po aq e re sa Merkel, por kancelarja kishte më shumë përvojë. Ministrja jopopullore gjermane e Mbrojtjes, që u imponua si kryetare e ekzekutivit të BE-së nga krerët e shteteve dhe qeveritë, mori vetëm një mbështetje me rezerva nga anëtarët e Parlamentit Evropian.

Kristin Lagard, ishte gjithashtu tërësisht e huaja për qarqet e Brukselit, kur u propozua nga Emanuel Makron për të qenë drejtuese e Bankës Qendrore Evropiane (ECB). Fakti që ajo është një grua, ishte domethënës në këtë përzgjedhje, në emër të barazisë gjinore për pozicionet kryesore në institucionet evropiane.

Ish-ministrja franceze e Financave, nuk kishte drejtuar më parë një bankë qendrore si paraardhësit e saj në Frankfurt; dhe nuk ishte as ekonomiste. A do ta dinte ajo si të reagonte në rastin e një krize? Ishte Lagard, ajo që pas një gabimi që i shërbeu si paralajmërim, u vendos në linjën e parë të mbrojtjes përballë krizës.

Më 18 mars, presidentja e BQE njoftoi se do të niste zbatimin e një plani masiv për të mbështetur ekonominë. Banka shpalli blerjen e 1.000 miliardë eurove borxhe të qeverive, dhe brenda disa muajsh pati një strategji që ishte më ambicioze se sa ajo e Rezervës Federale në SHBA.

Synimi ishte të lehtësohej presioni mbi normat e interesit, dhe të largohej rreziku i copëtimit të eurozonës. “Kohët e jashtëzakonshme, kërkojnë veprime të jashtëzakonshme”-tha ajo në atë kohë. Banka Qendrore shtoi përpjekjet e saj në fillim të qershorit, duke akorduar 600 miliardë euro shtesë.

Lagard ka mësuar leksionet e krizës së vitit 2008 në krye të një banke qendrore, që tani po përdor të gjitha burimet që ka në dispozicion. Merkelit i është dashur pak më gjatë që të reagojë. Por tani, ajo po e kupton më në fund se depresioni ekonomi në zhvillim e sipër, do t’i gjunjëzojë vendet e Evropës Jugore, dhe mund të kërcënojë ndjeshëm Tregun e Përbashkët Evropian.

E shtyrë në limitet e saj nga Gjykata e Lartë e Gjermanisë, që vuri në dyshim ligjshmërinë e veprimit të Bankës Qëndrore Evropiane, presidenca franceze e nxitin homologen e kujdesshme dhe të arsyeshme të vepronte dhe të thyente tabunë e solidaritetit financiar.

Bashkë me Emanuel Makronin, ajo po propozon tashmë një fond rimëkëmbje prej 500 miliardë eurosh, të huazuar në mënyrë kolektive nga Bashkimi Evropian, dhe të rishpërndara nga buxheti i BE-së tek vendet më të prekura.

Ishte kthesa e fortë e Merkelit, ajo që do t’i japë mundësi Von der Lejenit të luajë rolin e vet. Kjo e fundit nuk ka qëndruar duarkryq që nga fillimi i krizës, duke bërë thirrje të vazhdueshme për bashkëpunim midis shteteve anëtare, dhe duke prezantuar që në fund të muajit shkurt programe të përbashkëta të blerjes se pajisjeve mjekësore mbrojtëse.

Ndërkohë më 19 mars, organizoi krijimin e rezervës së parë të përbashkët në historinë e BE-së të pajisjeve mjekësore të urgjencës. Ndërsa Parisi dhe Berlini e shohin të përshtatshëm bllokimin e eksporteve të maskave, për të shmangur zhdukjen e rezervave për vendet e tyre,  një Ursula empatike, u kërkoi ndjesë italianëve për mungesën e solidaritetit dhe reagimet egoiste të shteteve anëtare.

Pas marrëveshjes franko-gjermane të 18 majit, Komisioni Evropian i drejtuar Von der Lejen ndryshoi ndjeshëm qasje duke propozuar një plan të madh të rimëkëmbjes ekonomike, dhe rritur në 750 miliardë euro mbështetjen e BE-së ndaj vendeve anëtare.

Ky plan hodhi themelet për një union shëndetësor, duke propozuar mbrojtjen e industrive strategjike evropiane nga vendet e huaja, si Kina, përmes subvencioneve shtetërore. Ndërkohë, ai mobilizon fonde për kërkime mbi një vaksinë të disponueshme për të gjithë.

Secila në fushën e vet, dhe me një lloj përulësie, Kristin Lagard, Angela Merkel dhe Ursula Von der Lejen, kanë treguar vlerën e shtuar të Bashkimit Evropian kur ai ecën përpara i bashkuar, dhe i nxitur nga e njëjta ambicie. /Les Echos/ KultPlus.com 

Von der Leyen: Pa gratë nuk funksionon asgjë

Ursula von der Leyen është presidentja e parë femër në historinë e Komisionit Europian.

”Ajo është gjithashtu nënë e shtatë fëmijëve dhe me profesionin mjeke”, shkruan gazeta italiane ”Corriere della Sera”.

Në Gjermani ajo ka qënë ministre e Familjes dhe Punës si dhe ministre e Mbrojtjes.

Kabineti i saj është i përbërë në mënyrë të barabartë nga burra dhe gra. Barazia gjinore është pjesë e pikave të axhendës së saj politike. Por, ndryshimi gjithashtu duhet të fillojë nga ato që ndodhin në një familje.

”Kohët kanë ndryshuar. Ne duhet të përfitojmë nga kjo mundësi e krizës të ndajmë rolet në një mënyrë të re”, theksoi ajo.

Presidentja ka qënë ndër të ftuarat e emisionit ”ExtraMamme”, duke diskutuar mbi temat e marrëdhënieve, punës dhe kujdesit, politikës dhe dhuës, të cilat përfaqësojnë temat kryesore të ndryshimit shoqëror që kalon shoqëria në kohën e Covid 19.

”Gjatë emergjencës së koronavirusit, dy të tretat e fuqisë punëtore ishin gra. Por, edhe në shtëpi ato kanë qënë dominante. Punë të dyfishtë mes punëve të shtëpisë dhe kujdesit për fëmijët dhe të afërmit. Duhet të mendojmë më shumë për udhëheqjen femërore dhe rolet e grave në zgjedhjet politike kur do të na duhet të ndërtojmë rregullat e një shoqërie të re”, theksoi Von der Leyen. / atsh / KultPlus.com

Presidentja e Komisionit Evropian: Mos planifikoni pushime këtë vit!

Miliona njerëz në mbarë botën janë izoluar, dhe mbi 1.8 milionë të tjerë janë të infektuar nga koronavirusi, ndërsa ende nuk dihet sa do të zgjasë pandemia, e cila ka gjunjëzuar botën.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u ka rekomanduar qytetarëve që të mos planifikojnë pushimet verore këtë vit.

“Unë rekomandoj që qytetarët të presin pak më gjatë për planet e pushimeve verore. Askush nuk mund të bëjë parashikime serioze se si do të zhvillohet pandemia në korrik dhe gusht”, tha Ursula von der Leyen në një intervistë me edicionin javor të Bild am Sonntag.

Tanimë Gjermania ka vendosur që agjencitë udhëtimit dhe kompanitë e klientëve, rezervimet e të cilëve dështuan për shkak të një virusi pandemik koronar nuk ishin të detyruar të paguanin kuponat e tyre.

“Në të gjithë Evropën, konsumatorët kanë të drejtë të zgjedhin nëse duan para ose një kupon në vend të një udhëtimi të vonuar,” tha von der Leyen.

“Në këtë krizë, të gjithë neve na kërkohet solidaritet. Kushdo që mund ta mbajë financiarisht këtë nuk duhet të insistojë në një rimbursim por të ndihmojë duke mbajtur një kupon për të ndihmuar agjensitë e udhëtimit të kalojnë këto javë të vështira,” tha Von der Leyen.

Presidentja e KE-së në Bruksel akomodohet në një banesë 25 metrash katror

Presidentja e zgjedhur e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, 60 vjeçe, ka vendosur të akomodohet në një banesë pranë zyrës së saj, në katin e 13-të të Berlaymont, selia e institucionit në Bruksel, konfirmuan sot shërbimet e saj.

“Ne mund të konfirmojmë se Von der Leyen ka kërkuar që të ketë një banesë me hapësirë prej rreth 25 metrash katrore pranë zyrës së saj për netët e kaluara në Bruksel”, theksuan bashkëpunëtorët e saj duke konfirmuar një informacion të së përditshmes gjermane “Die Welt”.

Ursula von der Leyen do të marrë funksionet më 1 nëntor.

”Rezidenca e saj do të mbetet në Hanover”, theksoi i njëjti burim.

“Ajo ka vendosur të akomodohet më mirë në këtë hapësirë të vogël në ndërtesën e Komisionit sesa të marrë një apartament apo të qëndrojë në një hotel. Përveç sigurisë, kjo zgjedhje ka një avantazh praktik, sepse shmang trafikun e bezdisshëm në Bruksel”, nënvizuan ata.

Paraardhësi i saj, luksemburgezi, Jean-Claude Juncker, 64 vjeç, kishte rezidencën e tij në Luksemburg dhe kishte zgjedhur që të merrte me qira një apartament 50 metra katrorë në një hotel për 3 250 euro në muaj.

“Presidenti i Komisionit Europian është një punonjës me kohë të plotë prej 18 orësh në ditë”, theksoi Jean-Claude Juncker.

Paga është e konsiderueshme, 27 903 euro në muaj.

Ursula von der Leyen është nënë e shtatë fëmijëve të lindur përgjatë viteve 1987-99. / KultPlus.com