‘Shoka’ e nusërisë së vajzave arbëreshe (FOTO)

Në fotografinë e mëposhtme shihet një vajzë arbëreshe, e veshur me kostumin e nusërisë, në komunën e Horës së Arbëreshëve (Piana degli Albanesi).

Kjo veshje, nga banorët njihet si “shoka”. Në vetvete, shoka paraqet një element të rëndësishëm dhe të pandarë të veshjes tradicionale shqiptare. Kjo veshje për femrat paraqet një fustan të qëndisur me dorë, me fije ari dhe plot ngjyra.

Gjithashtu me emrin “shoka” njihet edhe brezi që përdorin burrat, në veshjet tradicionale arbëreshe.

Shoka, ndryshe brezi, punohet prej leshi në vegje, e kombinuar me pet, e ngjyrosur afërsisht me ngjyrat e ylberit, e gjatë sa sillet disa herë rreth mesit dhe e ka origjinën nga rripi ilir.

Këndohet edhe një këngë me këtë emër, e zakonshme për trekëndëshin magjik arbëresh të përfaqësuar nga bashkësitë Carfizzi-Hora, Pallagorio-Puheriu dhe San Nicola dell’Alto-San Koghi në provincën e Crotone, që shoqëron ritualin martesor arbëresh: Shoka.

Sipas shpjegimeve të Gianni Belluscios, teksti është një variant i punuar i rapsodisë së “turkut që rrëmbeu vajzën shqiptare”. E njëjta këngë, por me një tekst më të plotë e më të kuptueshëm, u regjistrua nga Giuseppe Gangale, gjithashtu në Carfizzi (Diskografia Gangale, 1998).

Në materialin e publikuar nga Mario Bellizzi shkruhet:

“Kërce, kërce vajzë vallen-loj loj vasha valle”, që e shohim këtu është marrë nga hulumtimet etnografike dhe regjistrimet e vitit 1954, nga Diego Carpitella dhe Ernesto de Martino, që Antonello Ricci dhe Roberta Tucci, kanë publikuar për shtëpinë botuese “Squilibri” në 2006-ën. / KultPlus.com

Vajzat arbëreshe kthejnë në një vepër arti një pjesë të qytezës së tyre

Në komunën arbëreshe të San Giacomo di Cerzeto, të cilën vendasit e quajnë Sënd Japku, një grup grash artiste dhe intelektuale kanë marrë një iniciativë në kujtim të dramaturgut të parë me origjinë shqiptare, që shkruajti në arbërisht, Francesco Antonio Santori (1819-1895).

Zonjat e përfshira në projekt, kanë shkruar vargje të njohura të Santorit në shkallat e qytezës, ku ai ushtroi edhe funksionin si klerik, famullitar i zonës. Për realizimin e projektit që e publikoi studiuesi Franacesco Marchiano, u kujdes Elisabeth D’Elia, një aktiviste e njohur në projektet kulturore arbëreshe dhe miket e saj artiste. / KultPlus.com