‘Vajzë Fest 2025’, një përvojë unike në zemër të Vlorës

Në fund të çdo gushti, fshati Vajzë i Vlorës, vendlindja e poetit Ali Asllani, kthehet në një qendër të gjallë të kulturës, artit dhe mikpritjes shqiptare.

Edhe këtë vit, nga data 22 deri më 24 gusht, ju ftojmë në “Vajzë Fest – Art, Film, Trashëgimi”, një festë që ndërthur me mjeshtëri traditën me frymën bashkëkohore, kujtesën me rininë krijuese.

Artistë të njohur, kineastë, muzikantë, piktorë dhe figura publike do të sjellin në Vajzë një energji të re përmes tre ditëve plot ngjarje: shfaqje filmike e teatrore, ekspozita arti, poezi, muzikë polifonike, valle popullore, cirk, muzikë bashkëkohore dhe aktivitete të dedikuara për fëmijët.

Një nga risitë e këtij edicioni është “Dita Olimpike”, e cila do të zhvillohet në Parkun Arkeologjik të Amantias, nën kujdesin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Kjo iniciativë sjell një frymë të re në një vend me histori të lashtë, si një rikthim simbolik i shpirtit të lojërave antike.

Për të rinjtë e apasionuar pas aventurës dhe natyrës, do të ketë ecje në shtigjet malore, kampingje nën yje, netë me zjarr rrethues dhe muzikë live, duke krijuar kujtime dhe miqësi që zgjasin.

Eksplorimet do të shtrihen në disa nga perlat natyrore dhe historike të zonës: Ujvara e Rasalit, Ura e Bratajt, shpellat e Velçës, Beuni historik, dhe rrënojat mbresëlënëse të Amantias.

Pjesë e pandashme e kësaj përvoje do të jetë edhe kuzhina vendase. Vizitorët do të kenë mundësinë të shijojnë gatime tradicionale, mish të pjekur, bulmet të freskët, raki dhe verë vendi, të ofruara në shtëpi mikpritëse, stenda të improvizuara, apo në lokalin piktoresk pranë Shpellës së Bletës, ku natyra dhe qetësia krijojnë një atmosferë magjepsëse.

“Vajzë Fest” është rezultat i përkushtimit të Shoqatës së fshatit Vajzë, në bashkëpunim me Bashkinë Selenicë dhe banorët vendas, të cilët besojnë se trashëgimia shqiptare ka ende shumë për të treguar./KultPlus.com