‘Unë nuk mund të mbaj kaq rëndë, as jeta nuk po më mbanë mua’

Poezi nga Valona Hasani

Atëherë është atëherë

Ndoshta

Atëherë kur nuk të zgjohet shpirti
Por trupi qëndron stoikisht në këmbë
Kur ti je një person i rëndë
Ama jo prej peshës
E as prej moshës

Atëherë kur të sillet dhoma
E përplasësh në dysheme
Dhe kur të vjellat dalin sipërfaqësisht
Ti ndjehesh i rëndë
Jo pse je i sëmurë
E as pse nuk ishte dita jote

Atëherë kur të nxirat poshtë syve
Tregojnë grimin e mëngjesit
Kur mollëzat humbin formën
E qafa e ka të vështirë të mbaj peshën
E mendimeve
Ti ndjehesh i rëndë
Jo pse këtu është ferri
E as pse ti ngjason me djallin

Kur fillojnë e të vrasin eshrat
Ose kur pantollonat të zhvishen
E rrypi të mbërthen dy herë
Ti prapë ndjehesh i rëndë

Kur këmbët dridhen
Dhe mbahesh për muri
Kur edhe ai rrëzohet
Edhe ti bashkë me të
Jo pse muri nuk të mbante ty
Por ti ishe shumë e rëndë

As unë nuk mund të mbaj kaq rëndë
E as jeta nuk po më mbanë mua.

Ndoshta

Atëherë është edhe tani./ KultPlus.com