Vdekja dhe e bukura tek Azem Shkreli

Nga Erlind Sulko.

“Më mëso vetëm t’i bie
Kitarës, më mëso të vdes i bukur”

Kështu shkruan poeti i madh Azem Shkreli në një nga poezitë e tij më të mrekullueshme. Të vdesësh i bukur është një nga besimet kyçe në veprën poetike të Shkrelit. Ky besim në vdekjen e bukur rishfaqet në disa poezi të tij. Por para se ta shikojmë se si ky besim themelor zhvillohet në veprën e Shkrelit dua të shtroj disa pyetje: Çfarë do të thotë të vdesësh i bukur? Çfarë do të thotë të vdesësh i bukur në një kohë kur të mendosh për vdekjen është, më së pakti, një tabu? Çfarë do të thotë të vdesësh i bukur në një kohë kur ai që flet për vdekjen mendohet të ketë probleme mendore dhe duhet mbytur me ilaçe? Çfarë do të thotë të vdesësh i bukur në një kohë kur njerëzit janë të frikësuar nga plakja? Çfarë do të thotë të vdesësh i bukur në një kohë kur njerëzit mendojnë se mund ta shtyjnë vdekjen pafundësisht nëpërmjet teknologjisë? Çfarë do të thotë të vdesësh i bukur në një kohë kur njerëzit vdesin lidhur me tuba në shtretër spitalorë? Çfarë do të thotë të vdesësh i bukur në një kohë kur njerëzit vrasin veten?

I shtrova këto pyetje për të treguar se besimi në vdekjen e bukur është bërë i huaj për ne. Ne mund ta vështrojmë këtë besim, por vetëm për së largu. Të ndarë. Prandaj, dhe ky besim ka nevojë për tu shtjelluar. Por, mbase pikërisht kur një besim nuk gjallon më mes njerëzve, kur ai kthehet në një relike e vdekur e së shkuarës, e denjë për ta kundruar në muzeun e mendimit njerëzor, mbase pikërisht atëherë kuptimi i saj i njëmendtë bëhet i mundur. Vetë vdekja e besimit kthehet në parakushtin e kuptimit tërësor të tij.

Të kërkosh të vdesësh i bukur nënkupton pranimin tërësor të vdekjes. Ti e di që do vdesësh. Zgjedhja nuk është midis të vdesësh apo të mos vdesësh. Zgjedhja është midis mënyrës se si do të vdesësh. Vdekja, në këtë botëkuptim, është e pashmangshme. Prandaj, dhe shtyrja e vdekjes është e pakuptimtë. Nëse nuk do vdesësh sot, do vdesësh nesër ose pasnesër. Por, vdekja kërkon zgjedhje nga ne. Ajo që duhet zgjedhur është mënyra se si duhet të vdesësh. Dhe mënyra që duhet zgjedhur, sipas këtij botëkuptimi, është të vdesësh i bukur.

Të vdesësh i bukur – jo i mirë. Kjo gjë ka shumë rëndësi. Në këtë kuptim, bukuria është ngritur mbi moralin. Dëshira nuk është të vdesësh si njeri i mirë, si njeri që i ka bërë mirë vetvetes dhe të tjerëve. Por, mendoj se vetë dëshira për të vdekur nuk mund të jetë asnjëherë etike. Etika, pavarësisht nëse është aristoteliane, kantiane apo utilitariane, përherë bazohet tek besimi se, të sillesh në një mënyrë të caktuar do të përmirësojë jetën në përgjithësi. Por, të dëshirosh vdekjen do të thotë të kërkosh zhdukjen e jetës dhe, si e tillë, ajo asnjëherë nuk mund të jetë etike. E bukura nuk është vetëm e ndarë nga e moralshmja, por është tërësisht e kundërt. E bukura kërkon vdekjen. E moralshmja kërkon jetën.

Gjithashtu, duhet të theksuar se besimi është që të vdesësh i bukur, jo i vërtetë, as i besueshëm e as i ditur. Bukuria është ngritur jo vetëm mbi të moralshmen, por edhe mbi të vërtetën dhe dijen. Përballë vdekjes, dija dhe e vërteta është e tepërt dhe e pakuptimtë. Asnjë nuk e ka shprehur më mirë këtë kotësi të dijes përballë vdekjes se sa Niçja, në një sprovë të tij të hershme të quajtur “Mbi të vërtetën dhe gënjeshtrat në një kuptim jo moral.” Ja si fillon sprova e Niçes: “Na ishte një herë e një kohë, në një cep të largët të gjithësisë e cila shpërndahej në pafundësi sistemesh diellore, aty na ishte një yll në të cilën përbindësha të zgjuar shpikën dijen. Kjo ishte minuta më mendjemadhe dhe më e rreme e “historisë botërore,” por gjithsesi, ishte vetëm një minutë. Pasi natyra mori disa herë frymë, yjet u ftohën e u mpiksën dhe përbindëshat e zgjuar duhet të vdisnin. Dikush mund ta shpikte një rrëfenjë të tillë dhe ai ende nuk do mund ta shpërfaqte mjaftueshëm sa e trishtuar, sa e turbullt dhe kalimtare, sa e paqëllimtë dhe e paarsyeshme duket dija njerëzore mes natyrës. Ka pasur përjetësi të tëra kur ajo nuk ka qenë.” Përjetësi të tëra pa dije njerëzore para se ne të lindnim. Përjetësi të tëra pa dije njerëzore pasi ne të vdesim. Kujt i duhet dija njerëzore kur ne mos të jemi më? Dheut? Ujit? Apo pemës?

Të vdesësh i bukur do të thotë ta tejkalosh vdekjen duke e pranuar tërësisht vdekjen. Ta tejkalosh vdekjen, jo duke gënjyer vetveten se nuk do vdesësh, por ta tejkalosh vdekjen duke e parë atë sy më sy, duke e përjetuar atë deri në thellësi dhe të arrish të çlirohesh prej saj nëpërmjet një vullneti hyjnor që e shpërfill vdekjen. Dhe gjithë kjo për hir të bukurisë: asaj që shkëlqen si rrezet e agimit dhe kuptohet pa shpjegime. Bukuria është si shakaja: të ngazëllen vetëm po u kuptua vetvetiu. Ajo ndriçon. Diku. Për pak.

Bukuria në këtë kuptim do ishte shtysa e vetme që udhëheq jetën – jo e mira e as e vërteta. Por sa kundër nesh është ky botëkuptim sot? Ne që pranojmë çdo kënd të ketë kuptimin vetjak të bukurisë? Ne që në hierarkinë e besimeve subjektive dhe vetjake, përjetimin e së bukurës e vendosim mu në fund? Të vdesësh i bukur do të thotë të pranosh se e bukura është përtej dhe mbi gjithçka: diçka e hyjnishme që duke vdekur e tejkalon vetë vdekjen.

Ja çfarë thotë Azem Shkreli në një poezi tjetër të titulluar “Kënga që s’deshi të shkruhet”:

Një ditë prej ditësh
Në shtarë e gjeta, në gjurmë të kalit

I mëkova drithmat
Vesë i mola, qumësht zogu

U rrit e bukur, e zezë
Kënga që s’deshi të shkruhet

Në veçanti dua të theksoj dy vargjet e fundit:

U rrit e bukur, e zezë
Kënga që s’deshi të shkruhet

Lidhja midis vdekjes dhe së bukurës këtu shfaqet nëpërmjet pamundësisë për t’u shqiptuar plotësisht, pamundësisë për t’u shkruar. T’i qasesh jetës nëpërmjet lidhjes së ngushtë midis vdekjes dhe së bukurës, siç edhe jam munduar të shtjelloj në këtë shkrim, është një marrëdhënie e mëveçme me gjithësinë. Dhe në dy vargjet e mësipërme të Shkrelit nuk duhet të na çudisë kjo ndarja që ai krijon midis vdekjes së bukur dhe shkrimit. Ta konceptosh jetën si një shtysë drejt një vdekjeje të bukur është marrëdhënie tërësisht e drejtpërdrejtë me gjithësinë, gati-gati një lloj marrëdhënieje jo e ndërgjegjshme. Kur njeriu është gati të flijojë gjithçka që ka, pra edhe vetë jetën e tij, ai përherë është nën një shtysë jo të ndërgjegjshme. Por shkrimi nuk është i tillë. Shkrimi krijon një marrëdhënie të tërthortë me gjithësinë: ti je i veçuar nga bota, e shikon gjithçka nga larg. Shkrimi është deri diku pasqyrim dhe pasqyrimi nuk mund të jetë asnjëherë plotësisht i drejtpërdrejtë. Një lloj vdekjeje të bukur jo intelektuale, një lloj vdekje jo të ndërgjegjshme, vdekje parake, shohim pikërisht edhe në një poezi tjetër të Shkreli: “Vdekja e malësorit”.

Asnjë kokë përkulur
Se ja rrëxoni lisat

Asnjë gjëmë mësa guri
Se ja shembni majet
Asnjë lot asnjë
Se ja shteroni krojet

Në sytë e tij vetëm
Harroi prendimin dita

Ç’mendim i vrugët
Ç’mendim i ftohtë ndër vetulla
Lum ky çfarë vdekje

Vdekja e bukur kthehet në veprën e Shkrelit edhe vetë qëllimi i një poeti të mirëfilltë. Pikërisht këtë gjë shohim të thotë në poezinë “Katër Këshilla Vetes”:

“mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh
për secilin varg, të vdesësh për secilën fjalë.”

Detyra e poetit është të vdesë në emër të fjalëve të bukura. Por, çfarë është e bukura? Shkreli nuk na jep askund ndonjë përkufizim të së bukurës. Dhe shumë mirë që nuk e jep, sepse çdo përkufizim i së bukurës që kam hasur është qesharak dhe ndjell mijëra kundërshembuj. E bukura shikohet, ndriçon, shfaqet dhe më pas ikën, zhduket menjëherë, vdes. Kur ti do ta kapësh, ajo përherë të rrëshqet nga duart. Një lloj pikturimi të tillë të së bukurës shohim në poezinë “Liqeni” të Shkrelit.

Flas me ty,
ti hesht e luan me valë.

Ti s’je më syri
im as loti i saj.

Flas me ty,
ti shikon pulëbardhat.

Për Shën-Naumin
paske zemër t’gjerë.

Flas me ty,
ti kotesh mrekullie.

Më vjen të zbres në fund t’fundit,
të vdes i gjelbër me alat.

Ai flet me të bukurën dhe e bukura hesht. Ai flet, e bukura kotet. Shkreli nuk mundohet ta përkufizojë të bukurën, as nuk mundet ta përshkruajë. Ai i flet të bukurës, por ajo është si ndonjë fëmijë që nuk ka mësuar ende të flasë. Marrëdhënia e Shkrelit këtu me të bukurën është tërësisht e kundërt me atë të Lasgush Poradecit. Poradecit bukuria e liqenit i flet: “Ay ndaj fundesh u përflak /Posi me zjarr e me flori”. Por, tek Shkreli, bukuria e liqenit është një bukuri që hesht, një bukuri që luan me vetveten, një bukuri që kotet. Shkreli nuk e përshkruan të bukurën për së largu, siç mund ta përfytyrojmë lehtazi Lasgush Poradecin duke e kundruar liqenin i mallëngjyer nga një i cep buzë liqenit. Vdekja e bukur te poezia e Azem Shkrelit është marrëdhënie e drejtpërdrejtë: ai do të zhytet tek e bukura, do të vdesë në të./ KultPlus.com

VDEKJA DHE E BUKURA TEK AZEM SHKRELI