Zbulohet një vendbanim gati 3 000-vjeçar i fisit Maja

Arkeologët kanë zbuluar një vendbanim gati 3 000-vjeçar të fisit Maya në Guatemalën veriore, i cili mund të ketë qenë një nga qendrat më të rëndësishme ceremoniale të rajonit, tha kryearkeologu Milan Kovac në një konferencë për shtyp.

Vendi i sapozbuluar është quajtur Los Abuelos, ose gjyshërit, pasi dy skulptura guri të ulura që besohet se përfaqësojnë një burrë dhe një grua, u gjetën atje.

Duke folur në një konferencë për shtyp në Guatemala City, Kovac tha se skulpturat besohet të jenë të lidhura me adhurimin e paraardhësve dhe se vendi mund të ketë qenë një nga qendrat më të rëndësishme rituale të rajonit.

Statujat, të cilat janë rreth 1,5 metra të larta, u gjetën me enë qeramike të thyera në këmbët e tyre, me shumë gjasa oferta rituale.

Los Abuelos ndodhet në pyllin tropikal pranë Uaxactun në provincën Peten dhe mbulon rreth 16 kilometra katrorë.

Ndodhet rreth 40 kilometra në veri të Tikal, një vend i rëndësishëm i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Gërmimet kanë zbuluar gjithashtu një observator, piramida, altarë, fragmente stelash dhe qeramikë.

Studiuesit besojnë se vendi shërbeu si një qendër rituale për rreth 1 000 vjet, përpara se të braktisej dhe më pas të ribanohej rreth vitit 800 pas Krishtit./ atsh/ KultPlus.com

Zbulohet rrethimi i një vendbanimi 7 mijë vjeçar në Maliq

Kërkimet tre vjeçare të ekspeditës së përbashkët të arkeologëve shqiptarë, arkeologëve të Universitetit të Këlnit në Gjermani dhe atij të Bufalos në ShBA ka zbuluar në fshatin Podgorie të Maliqit, gjurmë të rrethimit të një vendbanimi që daton nga 5500 deri në 5 mijë vjet para Krishtit.

Rrethimi nuk është fortifikim, por një hendek që mbronte vendbanimin nga kafshët e egra. Gërmimet janë fokusuar në zonën e Luadishtit ku besohet se gjenden gjurmë dhe objekte që i përkasin periudhës së neolitit të mesëm. Drejtuesja e ekspeditës Edlira Andoni pohoi se intensiteti i gjetjeve arkeologjike dhe studimi gjeomagnetik i sitit, treguan për ekzistencën e një vendbanimi të neolitit të mesëm në zonën e fshatit Podgorie. Arkeologët kanë arritur të dokumentojnë moshën e rrethimit të këtij vendbanimi prehistorik, i cili mendohet të jetë 7 mijë vjeçar.

Edlira Andoni, drejtuese e ekspeditësNe zbuluam rrethimin e vendbanimit, konsiston në një lloj kanali, nuk është fortifikim, por një formë për të treguar se ku ndodhet vendbanimi. Për të mbajtur kafshët e zbutura apo të egra.

Gjatë kërkimeve të këtij viti ekspedita u fokusua tek gjetja e gjurmëve dhe elementëve të banesave neolitike. Rezultatet e studimeve hedhin dritë mbi arkitekturën e banesave, të ndërtuara kryesisht me baltë të pjekur dhe dru.

Edlira Andoni, drejtuese e ekspeditësPo mbledhim të dhëna të reja për datimin e vendbanimit, për të ndërtuar aktivitetet ekonomike, sociale të banorëve neolitikë.

Zona e Maliqit dhe e Korçës njihen për pasuritë e jashtëzakonshme arkeologjike të periudhës së  prehistorisë, të cilat janë zbuluar nga ekspedita vendase dhe të huaja./ tvklan/ KultPlus.com