Hapet aplikimi për shkollën e dytë Verore të Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin

Shkolla e dytë Verore e Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin organizohet nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë i Universitetit të Tiranës dhe do të zhvillohet në data 9-17 korrik 2018, në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, shkruan KultPlus

Shkolla verore mirëpret studentë bachelor, master e doktoraturë apo edhe të interesuar të tjerë, që dëshirojnë të vijnë në kontakt dhe të njohin më thellë gjuhën greke bizantine, historinë dhe artin bizantin, si edhe trashëgiminë kulturore bizantine dhe pas-bizantine në Shqipëri.

Shkolla verore do të zhvillohet nga data 9-17 korrik 2018, në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ndërsa një pjesë e leksioneve dhe e referateve do të mbahen në mjediset e institucioneve kulturore të vendit (Arkivi Qendror Shtetëror, Muzeu Historik i Tiranës, Amfiteatri dhe Muzeu Arkeologjik në Durrës, Muzeu i Artit Bizantin dhe Pasbizantin “Onufri”etj.).

Programi i Shkollës Verore, përveç pjesës teorike, përmban edhe aktivitete të tjera shoqëruese, si vizita të organizuara në vendet historike të periudhës, njohjen nga afër me monumentet, veprat e artit dhe koleksionet muzeore të trashëguar nga periudha bizantine dhe pasbizantine etj.

Shkolla verore ofron mësime të gjuhës dhe paleografisë greke bizantine, duke ndërthurur njohuritë teorike gjuhësore me ushtrimin praktik përmes burimeve historike dhe kodikëve të çmuar të Arkivit Qendror Shtetëror (shek. VI-XIX). Në të njëjtën kohë, shkolla verore do t’i pajisë pjesëmarrësit me njohuri mbi historinë dhe civilizimin bizantin, gjuhë zyrtare e së cilit ishte greqishtja, si edhe mbi historinë dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë gjatë periudhës bizantine, pjesë e pandarë e së cilës vendi ynë ishte përreth 10 shekuj.

Shkolla verore zhvillohet nën përkujdesjen shkencore të Departamentit të Historisë dhe me pjesëmarrjen e profesor Agamemnon Tselikas, një autoritet botëror i Paleografisë. Stafi mësimor përbëhet nga profesorë dhe studiues të shquar nga vendi dhe të huaj, me përvojë të gjerë në fusha që lidhen me gjuhën, historinë dhe civilizimin bizantin dhe pasbizantin./KultPlus.com

Aplikoni tani online këtu: https://www.fhf.edu.al/aplikimi-ne-shkollen-verore-te-gjuhes-historise-dhe-civilizimit-bizantin/

Për më shumë informacion, klikoni këtu.

“Merrmi të ligat dhe jepmë bardhësi!”, përshpërima e Verores edhe në UNESCO

Ardhja e pranverës në kultura të ndryshme lidhet me një sërë ritualesh. Të shqiptarët me 1 mars shumë prej fëmijëve, vajzave dhe grave por edhe meshkujve vendosin në dorë një lidhëse dyngjyrëshe bardh e kuq, qw njihet ndryshe edhe si laramani. Ka prej tyre që e vendosin në datën 1 dhe e heqin në datën 14 siç ka të tjerë që e vendosin në 14 dhe e heqin “kur shohin dallëndyshen e parë”. Mirëpo kjo verore dyngjyrëshe është tashmë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore nën kujdesin e UNESCO-s.

Në 6 dhjetor të viti të kaluar verorja u pranua në listën e trashëgimisë jomateriale të njerëzimit. Adrian Cioroanu, i dërguari i përhershëm i Rumanisë në UNESCO në datën 6 dhjetor në faqen e tij në fb. cituar nga News.ro shkruante: “Verorja u pranua në listën e përzgjedhur të trashëgimisë jomateriale UNESCO! Dosja u depozitua nga Rumania bashkë me tri shtete të tjera: Bullgaria, Maqedonia dhe Republika e Moldavisë – në të cilat kjo traditë e pranverës ekziston me disa ndryshime në formë, por që ka të njëjtën frymë të festimit të rilindjes së natyrës”.

Sipas studimeve etnologjike, verorja është ngushtësisht e lidhur me traditat e Vitit të Ri festuar në të kaluarën në muajin mars, si një formë primitive e Vitit Agrar i lidhur me ciklet vegjetative dhe astronomike. Verorja njihet nga etnologët në fillimin e shekullit XX si ritual i një marsit, i pranishëm jo vetëm tek rumunët, por edhe tek shqiptarët dhe bullgarët në Ballkan. Fshatarët e ruanin zakonin në çdo fillim pranvere si shenjë mbrojtjeje kundër sëmundjeve dhe fatkeqësive. Verorja është një objekt i vogël zbukurues që përbëhet nga mpleksja mes një peri të bardhë dhe të kuq që mbahet nga gratë dhe vajzat përgjatë gjithë muajit mars, si simbol i ardhjes së pranverës.

Arkeologët kanë zbuluar objekte me një vjetërsi prej mijra vjetësh që mund të konsiderohen si verore. Ato kanë formën e gurëve të vegjël të ngjyrosur në bardh e kuq që mbaheshin si varëse në qafë. Të dyja ngjyrat janë të hapura ndaj interpretimeve: e kuqja mund të kuptohet si gjallëria e gruas ndërsa e bardha si mënçuria e burrit. Pra kjo lidhëse e verores shpreh ndërthurjen e pandarë të këtyre dy parimeve. Domethënia e perit të bardhë dhe të kuq që ndërthuren në një lidhëse ku edhe varet një objekt, ka një kuptim të lidhur edhe me disa legjenda.

Lidhësja ose lidhej në dorë, ose vendosej në gjoks. Ajo vendosej në 1 mars deri sa shfaqeshin shenjat e ardhjes së pranverës: dëgjohej ndonjë zog duke kënduar, lulëzonin qershitë, vinin dallëndyshet. Atëherë lidhësja lidhej ose pas një trëndafili ose tek ndonjë pemë në lulëzim, që të sjellë fat ose hidhej në atë drejtim nga ku vinin zogjtë udhëtarë duke pëshpëritur: “Merrmi të ligat dhe jepmë bardhësi!”. Duke u kthyer në vendin tonë, kjo traditë gjendet tek të krishterët të cilët e vendosin në datën 1 mars ndërsa të tjerë, edhe për mosnjohje të traditës, por edhe sepse veprojnë sipas kalendarit “alla turka”, e vendosin në datën 14 mars./KultPlus.com