Nga 15 deri më 17 gusht 2025, Sheshi i Akademikëve në Pejë do të jetë nikoqir i edicionit të parë të Festivalit “Via Dinarica Kosovo”, një ngjarje që shënon përmbylljen e një projekti trevjeçar për revitalizimin e shtegut ‘Dinarik’ në komunat Pejë, Deçan dhe Junik. Projekti është mbështetur edhe nga bizneset lokale përmes granteve.
Programi i festivalit do të përfshijë aktivitete të shumta në natyrë, si vrap malor dhe hiking, premierën e dokumentarit të xhiruar përgjatë shtegut, muzikë live dhe DJ, ekspozita arti dhe panaire të produkteve vendore.
Të gjitha aktivitetet do të jenë falas dhe të hapura për publikun. Hapja zyrtare do të mbahet të premten në ora 18:30, me pjesëmarrjen e përfaqësueses së Fondacionit Utalaya, Uta Ibrahimi; ambasadorit të Italisë në Kosovë; kryetarëve të komunave Pejë, Deçan dhe Junik; drejtorit për Zhvillim Ekonomik në Pejë; si dhe përfaqësuesve të organizatave italiane që kanë mbështetur projektin./KultPlus.com
