‘Virgjëresha Shqiptare’ mbyll ‘PriFest’, shpaloset fati i gruas shqiptare nëpërmjet dokeve kanunore

Era Berisha

Filmi që ka bërë bashkë aktorët nga Kosova e Shqipëria zë vend në Shqipërinë e vitit 1958, kur një vajzeje i duhet të sakrifikojë dashurinë e jetës së saj për të vënë drejtësinë në vend. Personazhi i Luanes që vjen nën interpretimin e aktores Rina Krasniqi portretizon njërën ndër traditat tona shqiptare, e që në këtë rast vjen si më e dhimbshmja. “Burrneshat”, janë gratë që sakrifikuan jetën e tyre duke jetuar e vepruar si burra deri në fund të jetës dhe në një moment apo tjetër dëshmohet për rëndësinë që këto gra kanë në trojet shqiptare. Me këtë temë sa të brishtë por aq edhe të guximshme, na shfaqet një histori që nuk e hasim dhe aq shpesh në këtë mënyrë në kinematografinë shqiptare. Andaj, skenaristja Katja Kitendorff, regjisori Bujar Alimani si dhe kasta e mrekullueshme e aktorëve sollën para publikut një temë kaq të veçantë për popullin shqiptar me rastin e premierës së filmit “Virgjëresha shqiptare” në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest‘, shkruan KultPlus.

Pak minuta para se ora të shënonte 21:00, ishin të pranishmit ata që dalëngadalë po hynin brenda hapësirës së Kino Armatës. Ishte një radhë tejet e gjatë e një interesim i paparë deri më tani, për të parë filmin e për të shijuar kryeveprën e regjisorit Alimani. E koha që ky film i shumëpritur nga të pasionuarit për traditat shqiptare dhe jo vetëm, të niste, më në fund erdhi. E vetmja dritë nga ekrani i madh në sallë, do të ishte foleja e publikut përgjatë gjithë 120 minutave.

Qysh në skenën e parë, shikuesi rrëmbehet me lumturinë, ndjesinë e paqes dhe lirinë e portretizuar nga disa fëmijë që luajnë mes vete afër liqenit, por shumë shpejt kokën e fusin edhe mospëlqimet e disa çunave për prezencën e vajzës së vetme të pranishme, Luana, e cila bëri që lojën ta fitojnë kundërshtarët e tyre. Është viti 1958 dhe Luana si vajzë e vogël në atë vend takon Agim Shalën, i cili njashtu kritikohet nga çunat e fshatit se ai është asgjë tjetër pos një armik i popullit ngaqë babai i tij, Zef Shala jeton në qytet dhe me këtë rast ai pëson nga ata një lëndim të vogël në kokë nga guri i gjuajtur në drejtim të tij, por shumë shpejt Luana i vjen në ndihmë dhe shkojnë tek shtëpia e tij, aty ku nëna e Agimit, një mjeke me profesion, ia pastron plagën dhe nis të tregojë një tregim, tregim ky që në mënyrë simbolike do të jetësohet përgjatë gjithë filmit.

Luanës, vajzës së qetë me sy kafe si gështenjë, papritmas i përmbyset e gjithë bota. Babai i saj, ia vë një gjerdan në qafë e i tregon që ajo është e “dhanun” te Flamur Fiku, derisa vdekja t’i ndajë. Ai gjerdan do të jetë dëshmitari i gjithë fëmijërisë së Luanës, derisa ajo të rritet e të kalojë nëpër rrugëtime që do të ndryshojnë krejt rrjedhën e jetës së saj. Por deri atëherë, ajo dhe Agimi, takohen fshehurazi diku afër buzës së shkëmbit, aty ku Luana i dhuron bukë e në shkëmbim ai e mëson të lexojë. Takimet e tyre nuk zgjasin shumë, por për aq sa rrinë bashkë, lindin edhe ndjenja të njëjta mes tyre.

Filmi tregon historinë e tyre, të cilët rriten së bashku në fshat por historia e tyre familjare i mban të dy në një shkëmb të varur, por që megjithatë miqësia e tyre do të mbahet e ruajtur për plot 10 vite. Aktorja Rina Krasniqi e sjell Luanen, personazhin kryesor që vazhdimisht rrëshqet nëpërmjet sfidave dhe gropave të krijuara në jetën e saj, por që stabilitetin e saj e arrin atëherë kur zëri i saj bëhet fuqia më e madhe të cilën ajo e posedon.

“Ne nuk jemi kafshë, andaj kemi nevojë për Kanun. Kjo është e vërteta. Lexoje, mësoje Kanunin. Bindu rregullave. Djalin nuk ke me e pa ma”, qenë fjalët e babait të Luanes, drejtuar saj, pasi që fjalët se ata të dy takoheshin vetëm, kishin nisur të qarkullojnë nëpër fshat.

Skenat e radhës vijnë si një pushtim i fuqishëm që shpalosin anët e errëta të fatit të vajzave që rriten në fshat. Një familjare e afërt e Luanës, Angelika, është vrarë nga babai i saj, për arsye të shkeljes së rregullave dhe “çnderimit” të saj, pa martesë. Kjo ndodhi e trondit gjithë familjen deri në rrënjë dhe kësisoj bëhet një “mësim” për Luanën dhe fatin e saj, nëse edhe ajo mendon të ndjek të njëjtën rrugë.

Është viti 1968 dhe Luana, tanimë një e rritur ende është akoma kokë e këmbë e dashuruar me Agimin. Ai ndodhet në shërbimin ushtarak, por kthehet shpejtë dhe duket se asgjë nuk mund t’i ndajë këta të dy. Kur ai merr vesh se Luana së shpejti do të bëhet nuse, ai tenton që ta bind për t’u arratisur nëpërmjet kalimit të liqenit të Shkodrës. Por Luana është kokëfortë e kryelartë, e i thotë që ai të niset vetë.

Ndërkohë, në shtëpinë e saj, ajo kushton 1400 grosh. Ky është çmimi i saj si nuse për Flamur Fikun, i cili në takimin e parë të vetëm me të, e ngacmon seksualisht, duke i thënë se “dëshiron ta dijë a është e ndershme”, e i thotë sa ka dëgjuar ca fjalë për një dashnor. Ai tutje i thotë se do t’i mësojë asaj ca rregulla të reja, ngaqë nuk di të sillet në një mënyrë të caktuar, siç dëshiron ai.

Këtë akt, e dëgjon dhe e sheh duke ndodhë edhe vetë babi i Luanes, i cili në tentim e sipër për ta larguar Flamurin nga shtëpia e për ta ndalur martesën për shkak të sjelljes së tij, ai vritet me pushkë nga Flamuri, i cili tutje konstaton se e ka bërë për vetëmbrojtje. “Nuk e kam vra unë por turpi i vajzës suaj e ka vra”, thotë ai në mes të tjerash.

Pa një burrë mbi katër shtyllat e shtëpisë, tanimë jeta e Luanes është në duart e familjarëve të afërt të saj. Xhaxhai i saj dhe të afërmit e tjerë e shpërfillin gjakmarrjen për babanë e saj dhe tutje vendosin që martesën ta qojnë deri në fund. Dhe për ta vazhduar martesën, ajo “testohet” se a është ende e virgjër apo jo. Pasi që del të jetë e “ndershme” ajo është e lirë të martohet me të fejuarin e saj, Flamurin.

Dashuria është ajo që triumfon mbi të gjitha. Luana nuk dëshiron të shkojë nuse në një shtëpi ku gjaku për babanë e saj nuk është marrë. Ajo vendos që të largohet me Agimin dhe familjen e tij, por që fatkeqësisht nuk del të jetë zgjidhja e duhur. Babai i Agimit vdes nga pushkatimi në liqenin e Shkodrës, ndërsa Luana shpëton, dhe në breg e gjen gjerdanin që vjen si një “mallkim” për të. Ajo e pati heq para se të hyjë në ujë por tanimë e merr në dorë dhe përfundimisht vendos që të hakmerret për vrasjen e babait të saj. Ndërkaq, Agimi në këtë kohë është i arrestuar dhe i rrahur në qeli.

Është një moment mes vdekjes dhe të qenurit e gjallë por e vdekur përbrenda. Luana zgjedh këtë të fundit.

Filmi me skenar të Katja Kitendorff, trajton tema mjaft komplekse, dualistike. Ka konceptin ‘burrnesha’ si koncept e nocion ekzistues i Kanunit, që është një nga shtyllat kryesore të këtij filmi. Jo vetëm për ‘burrneshën’ e brendshme të Luanes, por edhe atë të jashtme, në momentin që legjitimohet vendimi i saj për tu bërë pikërisht e atillë.

Luana tanimë si burrneshë, me flokë të prera, me veshje të burrit, e me pushkë në dorë, niset të marrë hakun. Para derës së shtëpisë të Flamur Fikut, në një pozicion gati në mes të ballit, ajo e vret Flamurin me vetëm një plumb. Luana tanimë nuk është nuse për t’u “dhanë” por është “burri” i shtëpisë dhe është personi që motrën e vetë e jep nuse për dashurinë e një djaloshi që kërkon dorën e motrës. Një dashuri të cilën Luana nuk pati fatin ta jetojë.

Karakteri i fuqishëm i Luanes krijohet si rrjedhojë e vendimeve, sakrificave, vizionit dhe gjindshmërisë në momente vendimtare dhe të vështira në jetë, tipare këto që i “përkasin” vetëm një burri. Por, Luana është ajo që i ka të gjitha këto tipare, që s’i patën as edhe familjarët e saj, me ç’rast në një moment të fuqishëm ajo iu drejtohet atyre duke i thanë: “Ju nuk ishit aq burra me marr gjakun për babën tem.”

Shtysa e brendshme mentale e shpirtërore është forca e çlirimit dhe emancipimit, e cila rrjedhimisht në këtë kontekst, e bënë karakterin e Luanes të marrë vendime bazuar në racionalitetin e fakteve, parimeve morale dhe vizionit të së ardhmes.

Përmes këtij filmi është shpalosur para botës një sakrificë e dashurisë për një qëllim të lartë siç është drejtësia në vend. Sakrifica, besimi, komunikimi e respekti, janë shtyllat kryesore të dashurisë.

Pamundësia e marrjes së vendimeve, vendosjes së drejtësisë apo ruajtja e trashëgimisë duke qenë një grua, cilësohen si disa nga arsyet se pse një grua, lejuar nga Kanuni, merr vendimin që të bëhet burrneshë. Prandaj, dhe është një ndër trajtat më dualistike në jetën e atyre grave, gjersa ato të detyruara sakrifikojnë veten e tyre që të fitojnë për herë të parë të drejtat e barabarta në rrethin familjar dhe shoqëror.

‘Besa’ është një normë e virtyt moral, i cili qëndron konstant përgjatë gjithë historisë shqiptare. Mbrojtja e saj është pothuajse e përjetshme në kontekstin e mbajtjes së një ndërgjegjeje të pastër. Luana është një vajzë e cila e mbron me mish e shpirt këtë virtyt, i cili rrjedhimisht lidhet me premtimet e dhëna ndaj familjes dhe ruajtjes së nderit familjar.

Është Luana ajo e cila tani bënë jetën e një “burri”. Pozicioni i uljes, pirja e rakisë, mbajtja e pushkës, veshja, qëndrimi, karakteri, duket se nuk qenë të vështira për t’u portretizuar nga aktorja Rina Krasniqi. Me orën e babit në dorë të saj, ajo tani ka detyrën që të qetësojë gjakrat mes dy familjeve. Dhe këtë e arrin në mënyrë të jashtëzakonshme.

Tani krejt çka mbetet është paraqitur në vitin 1990. Tanimë, djem e vajza luajnë afër liqenit dhe nuk ka më dallime në mes tyre. Ndërkohë, Luana takohet edhe një herë me dashurinë e saj të parë e të vetme dhe pas kaq shumë kohësh, shikimet mes tyre rrezatojnë plot mall e dhimbje.

Me një copë qelqi është krejt ajo se me çfarë mahnitshëm mbyllet skena e fundit. Në bjeshkë të malit, në vendin e tyre të fshehtë, me qiellin e pastër si uji sipër saj, Luana drejton atë copë drejt diellit dhe gjen paqen në brendësinë shpirtërore të saj, edhe pse copa e zemrës së saj do të mbetet përherë e thyer.

Pastaj, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta ato që në publik dëgjoheshin në një masë tejet të madhe dhe vazhduan për një kohë të gjatë. Ndërsa, pas shfaqjes së filmit ishte ekipi i “Virgjëresha shqiptare”, anëtarët e së cilit dolën në skenë për një fjalë rasti.

“Faleminderit shumë që keni ardhur sonte për të parë premierën e filmit që njëkohësisht përmbylli këtë festival. Është një nder i madh për mua për të japë premierën e filmit këtu sonte. Ky është një film për gratë e forta dhe gjegjësisht është edhe një dedikim për gruan e fortë, Vjosa Berisha”, ka thënë producentja Anita Elsani.

Kurse, sot në një konferencë për media për të treguar më shumë rreth rrugëtimit të filmit ‘Virgjëresha shqiptare’, të pranishëm ishin aktorët: Alban Ukaj, Rina Krasniqi, Kasem Hoxha dhe Shkurte Sylejmani, producentja Anita Elsani si dhe këngëtarja Eda Zari.

“Herën e parë që lexova për virgjëreshat shqiptare ishte në një artikull në ‘New York Times’ dhe gjithashtu në disa gazeta gjermane dhe më lanë shumë përshtypje. U futa më thellë në këtë temë dhe kjo ishte atëherë në vitin 2008. Prindërit e mi janë nga Prizreni dhe unë kam lindur në Gjermani, por me luftën e humbëm lidhjen me zonat në Shqipëri dhe Kosovë. Doja të rilidhesha në një moment artistik, kështu që iu afrova një shkrimtareje gjermane dhe ajo më pyeti pse do të shkruante një histori shqiptare, kështu që i thashë se ajo është një shkrimtare shumë e mirë dhe është mirë të ekzistojë një këndvështrim nga perëndimi mbi fenomenin. Ne filluam procesin e zhvillimit dhe ishim shumë të suksesshëm me këtë. Por ishte shumë e vështirë dhe një proces i gjatë për të realizuar një film shqiptar nga Gjermania. Pak nga pak, e kemi përfunduar. Dhe na u deshën 10 vjet, sepse është një strukturë e pazakontë. Gjithçka është xhiruar në Shqipëri dhe Kosovë me aktorë shqiptarë dhe kosovarë. Jam e kënaqur që tani gjithçka ka përfunduar dhe tani mund ta nxjerr në botë.” – Anita Elsani

“Ky film mua më ka rritur shumë edhe profesionalisht edhe personalisht si njeri, qenie e aktore. Ka qenë një proces jashtëzakonisht i rëndë por njëkohësisht shumë i mirëfilltë e i dashur për mua për arsye se e kemi bërë me shumë pasion e motiv shumë të madh. Kur njoftohesh me njerëz të nivelit profesional, atëherë edhe ti lartësohesh profesionalisht. Aq sa ka qenë e vështirë, aq ka qenë edhe e lehtë, sepse ka rrjedhë gjithçka si një lum. Është një nga eksperiencat më të veçanta në jetën time. Kemi xhiruar tre muaj gati dhe shpeshherë mbes pa fjalë kur e mendoj se çka kemi kaluar gjatë procesit të xhirimeve. Ne i kemi parë edhe njerëzit që jetonin me të vërtetë atje, në ato skena që ju i shihni në film dhe kjo ka qenë shumë ndihmuese për mua.” – Rina Krasniqi

“Dëshira ishte që muzikalisht tema të rrumbullakoset me një tingull dhe ai tingulli të jetë në vendin e duhur, kohën e duhur. Kemi pasur edhe një ngërç të vogël sepse tema e punës bazohet në një këngë që është e folkut të jugut, asaj pjese të repertorit toskë dhe interesantja ishte qe ndodheshim në veri, që e bënë këtë edhe më epike. Por, i mirë qe edhe bashkëpunimi me kompozitorin kryesor, që ka bërë një ngjizje efikase dhe emocionale, duke afruar kuadrin pranë rolit kryesor, dhe nga ana tjetër është kapur çasti më i fuqishëm emocional.” – Eda Zari

“Kur kam biseduar me Anitën për të luajtur Fikun, që është një burrë në moshë dhe vetë fakti që djali im në film, nuk ka dallim shumë të madh në moshë me mua, ka qenë diçka në të cilën unë kam dyshuar. E dija që grimi bëhej por nëse nuk gjetet një farë ritmi i brendshëm, grimi shkon poshtë. Ndonëse mund të dish ecjen e posaçme, pozitën e trupit, ritmin e posaçëm të brendshëm e jashtëm, përsëri është diçka që nuk mund të gënjehet kur shikohet në sy. Dhe aty e kam pasur ndoshta edhe dyshimin më të madh. Dyshoja se a mund ta arrij të ndërtoj një marrëdhënie që kur personazhi futet në një shtëpi fisnike shqiptare të asaj kohe, vërtetësia e tij të jetë e shpalosur në atë mënyrë që i duhet filmit. Kam qenë goxha skeptik dhe nga paranoja ime, i kam bërë presion të gjithëve. Nuk kam pasur një vetëbesim të duhur por unë kam përcjell shumë rrethanat dhe besa e kam vjedhë ecjen e Arben Camajt, trajneri i kuajve në film.” – Alban Ukaj

“Fillimet e filmit tek ‘Virgjëresha shqiptare’ kanë qenë interesante, e sidomos kur e kujtoj audicionin. Kam parë shumë aktorë të tjerë dhe nuk kam besuar që mund të hyj në një film kaq të gjatë si ky, andaj ka qenë shumë e bukur për mua. Në fillim nuk është se i kam besuar shumë vetës për të arrirë deri aty por falë ndihmës së Anitës dhe Bujarit, që më kanë ndihmuar shumë për të kaluar këtë sfidë, unë ia kam arritur. Roli i Luanës si fëmijë, është një rol shumë sfidues por unë kam arritur të njoh një burrneshë që më ka ndihmuar shumë në rol, e ajo është Rina Krasniqi. Ajo më bëri të besoj se burrneshat ekzistojnë dhe ato janë shumë të forta. Ndihem shumë e lumtur që jam në film.” – Shkurte Sylejmani

“Të qenit shqiptar dhe të jetuarit si shqiptar në Gjermani, e për të bë filma në Kosovë e Shqipëri, është një sfidë me vete, por është shumë e bukur. Në Shqipëri si dhe në Kosovë, është një dashuri tjetër për të bërë filma dhe kjo ndoshta vjen nga mundësitë e pakta që kemi. Unë vij këtu dhe luaj me një pasion krejt tjetër, sepse e gjej këtë dashuri këtu dhe ajo të rrëmben shumë lehtazi dhe i harron të gjitha. Por ndoshta kjo është ajo që na mban me këmbë në tokë, ajo që na bënë të dashurojmë filmin.” – Kasem Hoxha

Kujtojmë se filmi ”The Albanian Virgin” pas premierës botërore në edicionin e 37-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, në kategorinë zyrtare të konkursit ndërkombëtar, ka fituar dy çmime kryesore, “Çmimin Special të Jurisë” si dhe “Çmimin Ekumenik”.

Po ashtu, “Virgjëresha Shqiptare” ka triumfuar edhe në Festivalin e Filmit në Ostend, duke fituar “Çmimin e Publikut”.

Gjithashtu, aktorja Rina Krasniqi me rolin e saj në “Virgjëresha Shqiptare” është shpërblyer me ‘Special Mention’ në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Cabourg.

Në filmin ”The Albanian Virgin” luajnë: Rina Krasniqi, Astrit Kabashi, Gresa Pallaska, Aurita Agushi, Fatlume Bunjaku, Alban Ukaj, Shkurte Sylejmani, Lum Veseli, Mimoza Azemi, Rebeka Qena, Blerta Surroi, Valmir Krasniqi, Viktor Zhusti, Nik Xhelilaj, Lulzim Zeqja, Igli Zarka, Jonida Vokshi, Gezim Rudi, Erjon Hodo, Ersiljano Xhelollari etj. / KultPlus.com