Bumerangu më i vjetër në botë nuk kthehej mbrapsht!

Bumerangu më i vjetër në botë është më i vjetër nga sa mendohej më parë, duke hedhur dritë të re mbi zgjuarsinë e njerëzve në atë kohë, shkruan BBC.

Vegla, e gjetur në një shpellë në Poloni në vitin 1985, tani vlerësohet të jetë 40 000-vjeçare.

Arkeologët thonë se bumerangu është punuar nga një dhëmbë mamuthi me një nivel të mahnitshëm aftësish.

Nga forma e saj, studiuesit arritën në përfundimin se objekti do të kishte fluturuar pasi të hidhej, por nuk do të ishte kthyer te ai që e kishte hedhur.

Me shumë mundësi është përdorur për gjueti, megjithëse mund të ketë pasur vlerë edhe kulturore apo artistike.

Bumerangu i fildishtë i mamuthit u gjet në shpellën e Oblazowas në Poloninë jugore.

Fillimisht mendohej të ishte rreth 30 000-vjeçar.

Por, datimi i ri dhe më i besueshëm me radiokarbon i kockave njerëzore dhe shtazore të gjetura në vend e vendos atë midis 39 000 dhe 42 000-vjeçare.

“Është bumerangu më i vjetër në botë dhe i vetmi i kësaj forme dhe gjatësie i gjetur në Poloni”, theksoi Dr. Sahra Talamo e Universitetit të Bolonjës në Itali.

Ofron “një pasqyrë të jashtëzakonshme” mbi sjelljen njerëzore, tha ajo, veçanërisht se si Homo sapiens, i cili jetoi deri në 42 000 vjet më parë, mundi të krijonte “një objekt kaq të përsosur” me dijeninë se mund të përdorej për të gjuajtur kafshë.

Bumerangu është ruajtur jashtëzakonisht mirë, me shenja prerjeje që sugjerojnë se ishte lëmuar dhe gdhendur për t’u përdorur nga një individ me dorën e djathtë.

Bumerangu në përgjithësi shoqërohet me kulturën aborigjene australiane.

Megjithatë, gjetjet e rralla në të dhënat historike jashtë Australisë sugjerojnë se ato janë përdorur në kontinente të shumta.

Bumerangu më i vjetër i njohur në Australi daton rreth 10 500 vjet më parë dhe ishte bërë prej druri.

”Megjithatë, imazhet më të vjetra të bumerangut në Australi janë piktura shpellash që datojnë 20 000 vjet më parë”, sipas Muzeut Kombëtar të Australisë.

Një bumerang druri 7 000-vjeçar u gjet në Jutland, një gadishull midis Danimarkës dhe Gjermanisë, ndërsa fragmente të një bumerang lisi 2 000-vjeçar  u gjetën në Holandë./ atsh/ KultPlus.com

Pazari i Vjetër i Shkodrës, ‘hipermarketi’ më i madh mesjetar i Ballkanit

Pazari i vjetër në Shkodër në kohën e lulëzimit të tij, u bë vërtetë një qytet i madh tregtar midis pjesës së vjetër dhe asaj të re të qytetit, i shtrirë në 1.8 km. gjatësi, ku vlonte tregtia dhe ku madhësia e tij lejonte të punonin dhe të blinin aty mbi 10000 njerëz.

Ndërsa në ditët e pazarit, ditët e diela apo të mërkura, aty mund të ishin prezentë më shumë se 30 mijë vetë, çka e tregonte edhe fakti se shkodranët e kanë pasur traditë dhe janë vlerësuar si “mjeshtërit” më të shkëlqyer në tregti.

Aso kohe në breg të Liqenit dhe lumit Buna ankoroheshin dhjetëra anije të vogla e të mëdha deri te avulloret 1000 tonelata, si dhe kishte edhe një pazar anijesh që ishte në “garë” me “Pazarin e Madh” por që ishte edhe si vazhdim i tij. Aty ishin ngritur magazina të mëdha për hyrje – dalje mallrash, kishte zyra të mëdha doganore si edhe banka dhe afër 1500 dyqane të pa përsëritshme, sot e kësaj dite.

Në të djathtë të Urës së Bunës ka qenë Zyra Doganore, ku kryheshin të gjitha veprimet financiare për import eksportet e mallrave në Shkodër, shkruan “Faktor.al”.

Dyqanet ishin vendosur në mbi 30 sokakët (rrugët) e pazarit, të cilat ishin ndarë sipas zanateve (zejeve) e ku punonin disa qindra zanatçinj e çirakë që mësonin e punonin çdo ditë. Brenda Pazarit të Vjetër kishte rregull dhe disiplinë të veçantë si edhe kryheshin shërbime kafeje, berberhaneje, hekurosje etj.

Gjatë kohës së punës, tregtarët për nevojat e tyre komunikonin njëri me tjetrin me anë dritaresh të vogla dhe në fund të ditës së punës, dyqanet mbylleshin me taraba, qepena, si dhe siguroheshin me roje dhe elemente të tjerë sigurie.

Vlen të informojmë lexuesit se Pazari i Vjetër përveç anës ndërtimore, ka qenë i sistemuar edhe në pjesën nëntokësore, e konkretisht ka pasur 5 kanale të tillë, të cilët largonin ujin nga pazari dhe ishin afër 1.8 metër të thellë. Kanali i parë mblidhte ujin e kodrave, i dyti përshkonte “sokakun e pemëshitësve”, një i tretë kalonte “skelën e peshkut”, i katërti përshkonte “sokakun e kasapëve” dhe i pesti kalonte përmes “Pazarit të madh”, por që të pesë këto kanale ujin e mbledhur e derdhnin në Bunë. Sigurisht që kanalet pastroheshin çdo vit nga punëtorë të veçantë. Pra, që në atë kohë sistemimit të pazarit i është dhënë një rëndësi e madhe si në anën ndërtimore ashtu edhe në relacion me funksionimin e plotë të tij për zhvillimin e tregtisë e të zejtarisë.

Kështu shumë shpejt Pazari i Vjetër u bë qendra më e madhe tregtare e trevave Shqiptare e më gjerë në eksport – importin e mallrave nga Kosova, Mali i Zi, Serbia, Manastiri, Bullgaria dhe anasjelltas, pra në gjithë Rumelinë e asaj kohe. Në planin tregtar dhe financiar, Pazari i Madh në Shkodër është vlerësuar nga të tjerët si “Hipermarketi” më i madh i asaj kohe në Ballkan, si dhe ka qenë i pakonkurrueshëm për nga madhësia, pasuritë që kishte brenda dhe kapacitetet përpunuese të mallrave, i krahasuar me pazaret e tjerë të fqinjëve tanë, çka vërteton se Shkodra ka qenë Metropoli i Arbërisë. / KultPlus.com

Artizanet e Korçës, hapin ekspozitë në Pazarin e Vjetër

Korça është e njohur për traditën e artizanatit që zonjat korçare e ruajnë ende.   

E pasur me elementë të shumtë dekorativë kryesisht për shtëpitë puna artizanale korçare ka të përbashkëtat dhe veçantitë e saj me zonat e tjera të vendit.  Gjatë një ekspozite të hapur në pazarin e vjetër të Korçës artizanet kanë shpalosur punimet e tyre të realizuara me mjeshtëri ndërsa tregojnë disa nga punimet tipike të Korçës, të cilat ruhen ende.

Korça, historikisht ka pasur këtë traditë. E kanë pasur të parat tona, nënat, mamatë, vjehrrat, motrat më të mëdha dhe na e ka trashëguar edhe ne”, thotë një artizane.

Zona e Korçës ka të veçantë punimin e gjilpërë, që japin një punim më fin, më të lezetshëm nga grepi, tregon një zonjë.

Mjeshtëria e tyre gjendet nga punimet e vogla e deri tek ato me sipërfaqe të mëdha.

Prej vitesh punimet e artizaneve korçare kanë tërhequr vëmendjen e blerësve të huaj ndërsa kanë gjetur përdorim të gjerë në bujtinat e Korçës dhe më pak në ambientet familjare./Tch/KultPlus.com