Kuptimi i moskuptimit

Vjollca Dibra – Ibrahimi

(Ilir Muharremi “Moskuptimet”, Gutenberg, 2016 Prishtinë)

Për lexuesin e rëndomtë ose, siç themi ndryshe, mesatar, në aspektin e dijeve, të informacionit dhe të kulturës libri “Moskuptimet” vërtet vjen i moskuptuar. Kur i shtohet këtij fakti edhe mungesa e informacionit për autorin dhe vokacionin e tij të duket sikur po futesh në një denduri pyjesh të pashkelura kuptimore. Ndoshta paraqitje të këtilla kishte parasysh eruditi Umberto Eko kur shkroi ekskursionin e tij nëpër pyjet narrative.

Mua ma thotë mendja se Iliri e bën këtë (pra mosparaqitjen e shënimeve për autorin) nga intenca e thyerjes së klishesë, nga modestia dhe, së fundi, ngaqë rëndësia dhe pesha e një libri qëndron në substancën e tij.

Pavarësisht se e kam në konsideratë këtë fakt, unë nuk e shmang dot së paku informatën bazë për autorin si një çelës a hyrje në rrëfimin e tij.

Ilir Muharremi lindi më 1983 në Pejë. Diplomoi më 2004 në Fakultetin e Arteve, Dega e Aktrimit, në klasën e profesor Luan Dakës. Pas diplomimit qe angazhuar në disa shfaqje teatrale, si: “Sfida e madhe” e autorit Nebi Islami, “Nata e dymbëdhjetë” e William Shekspeare-t, “Duart e ndyta” e Zhan Pol Sartre-t, “Shkolla e grave” e Molierit etj.

Në vitin 2007, me dramën “Van Goghu kosovar”, ka kryer magjistraturën në Degën e Dramaturgjisë në Prishtinë. Ndërsa, në vitin 2010, ka doktoruar me temën: “Ekspresionizmi, absurdi, ekzistencializmi dhe çmenduria: katër dramat shqiptare/shfaqjet”, në Fakultetin e Filologjisë “Kiril i Metodij” në Shkup.
Ka mbi 20 punime shkencore në revista rajonale dhe ndërkombëtare të artit. Kryesisht merret me absurdin dhe postmodernizmin. Në formimin e tij intelektual ndihen dukshëm ndikimet e Friedrich Nietzsche-s, Albert Kamy-s dhe Zhan Pol Sartre-it. Është profesor në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë. Deri tash ka botuar veprat: “Djalli në qytetin tim” (1996), poezi “Dera e fundit e çmendurisë” (2003), poezi “Van Goghu kosovar”, (2010), dramë “Kafeneja”, (2013), komedi “Unë me veten”, (2013), dramë, “Moskuptimet”, (2016), libër shkencor “Psycho”, (2017), roman.

Paraqitja e biobibliografisë së autorit nuk është qëllim më vete, një akt prezantimi, por ka korrelacion të ndërlikur dhe gjeneroz me profilin e krijuesit, përkatësisht me anamnezën e preokupimeve të tij. Studimet e derisotme kanë nxjerrë në pah se jo rrallë biografia e autorit profilizohet edhe në krijimtarinë e tij. Këtu nuk bëhet fjalë thjeshtë për elementet biografike si projeksion autorial, por së përbërës në formimin e karakterit dhe të ndërgjegjes krijuese. Libri për të cilin po flasim është botuar në vitin 2016 që i korrespondon moshës së Ilirit prej 33 vjetëve, një koincidencë befasuese me moshën e profetit të parafundit në hierarkinë e profetëve. Derisa Jezusi, Krishti strukturon doktrinën e besimit të krishterë, autori ynë strukturon të kundërtën: antidoktrinën religjioze.

Nuk vijnë prandaj së koti në veprën e tij një galeri personazhesh, një nomenklaturë e tërë sa e sferës religjioze (Zot, Djall… etj), po aq edhe e filozofisë e artit (Kamy, Sartër, Toma Akuini, Van Gogu…), pa lënë mëjanë fenomenete përkatëse (çmenduri, psycho e të tjera).

Vetë titulli i kësaj vepre, nocioni në shumës “Moskuptimet”, nuk ka pikë reference agnosticizmin, pamundësinë e njohjes, por lajthitjet dhe eklektizmin, raportin midis dhënësit – krijuesit dhe marrëzit – lexuesit.

Pas leximit të librit “Moskuptimet” të përkund dilema e përcaktimit teoriko-letrar, dilema e zhanrit shkrimor e tipit e kështu me radhë. Diçka që nuk e ka definuar as botuesi dhe as katalogimi i Bibliotekës kombëtare. Përmbajtja e lëndësisë së tij që në krye të herës të drejton metodologjikisht në domenin e teksturës së përsiatjeve. Ky konstatim gjen mbështetje edhe në parimet e përgjithshme të postmodernizmit ku tejkalohen format e ngurta të përkufizimeve teorike.

E, megjithatë, formulimi i përmbajtjes, jo vetëm përcakton kapituj a tërësi, po edhe nënkapituj. Unë veçoj tri tërësi a pjesë, do të thosha labirintesh, ku përvijohet vrojtimi i autorit: Religjioni, Arti, Njeri. Pjesën e parë ai e përmbledh brenda kornizës së titullit “Zoti dhe ekzistenca”, të dytën, “Arti dhe vlera” dhe të tretën “Njeriu i revoltuar si dominues”.

Te “Zoti dhe ekzistenca”, që unë e kornizova me nocionin RELIGJIONI, ai nuk bën historinë as kategorizimin e feve politeiste, monoteiste, abrahamike e të tjera, porse merret me teorinë e konceptualizmit, duke e trajtuar religjionin, pra besimin, Zotin sipas filozofisë dhe sociologjisë gjuhësore, si formë të ndërgjegjes shoqërore. Këtu ai nuk merret me teori e teorira, me aksioma e konkluzione logjike e përfundime skolastike. U mor vesh, baza e trajtimit të tij gjen mbështetje te korifenjtë e ekzistencializmit që nga paraformat e mendimit të lashtësisë e deri tek Kamy e Sartri.
“Arti dhe vlera” është pjesa e dytë që ndjek po atë diskurs, diskursin e superstrukturës së ndërgjegjes shoqërore të njeriut.

Në pjesën e tretë, “Njeriu i revoltuar si dominues” ai pos dijeve nga bota e të njohurve sjell edhe përvojën personale prej poeti, sjell këndvështrimin autorial mbi botën, ekzistencën dhe artin.
Pjesa e katërt, “Letrari dhe absurdi” në sinkroni me Aristotelin tangjenton raportin: letërsia dhe historia, ekzilin e autorit nëpër labirintet dhe shtjellat e absurditetit për të ngarendur në pjesën e pestë “Përjetësia e artit skenik”, një kthinë ku autori ndihet pothuajse më së mirë, ndoshta ngaqë përafron me vokacionin e tij të profesionit, të prirjes e të interesimit specifik!
Në një paraqitje të këtillë përurimi është pothuajse e pamundur të përfshihen shtresimet e një libri si ky, ku përthekohet një vëllim prej rreth katërqind faqesh, e megjithatë nuk mund të mos konstatosh gjuhën a, më saktë, kulturën gjuhësore, strukturën kompakte të frazës dhe begatinë e ngjyrimit të figurshëm.

Dhe, e fundit për këtë paraqitje, libri “Moskuptimet” është krejt i mëvetësishëm në këtë hapësirën tonë kulturore dhe letrare./KultPlus.com

U promovuan dy librat e Ilir Muharremit “Moskuptimet” dhe “Psycho”

Sot në Klinë, në kuadër të aktiviteteve të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në sallën e Kuvendit Komunal u organizua promovimi i dy librave të autorit Ilir Muharremi. Më fjalë përshëndetëse në emër të shoqatës u paraqit Bashkim Hoti, kurse me një fjalë urimi dhe mirënjohje u paraqit Skënder Merturi, drejtor DKRS-Klinë

Për librin ‘‘Moskuptimet’’ me një kumtesë u paraqit Vjollca Dibra, e cila ligjëron në ndër të tjera tha se formulimi i përmbajtjes, jo vetëm përcakton kapituj a tërësi, po edhe nënkapituj. “Unë veçoj tri tërësi a pjesë, do të thosha labirintesh, ku përvijohet vrojtimi i autorit: Religjioni, Arti, Njeriu. Pjesën e parë autori e përmbledh brenda kornizës së titullit “Zoti dhe ekzistenca”, të dytën, “Arti dhe vlera” dhe të tretën “Njeriu i revoltuar si dominues””, ka thënë ajo.

Me një recension analitik për romanin ‘‘Psycho’’ të autorit Ilir Muharremi u paraqit para të pranishmeve kritiku letrar Mahir Morina i cili theksoi se struktura e librit nuk e paraqet një ngjarje, po bëhet ngjarje e paraqitjes, ku romani zhvillohet si rrëfim i së kaluarës, ideve, pikëpamjeve e bindjeve krejt brenda një mbrëmje në një lokal nate, me një personazh kryesor, dhe një femër banakiere si personazh dytësor, ku i pari i rrëfen të dytit nga ngacmimi deri të trillimi, edhe pse i ngarkuar me trajtimin e shumë temave, nuk ndahet në kapituj, fillon e mbaron pa respektuar rregulla letrar, fokusohet në fuqinë e mendimit si determinim i vlerës dhe esencës e cila efektizon funksionin e idesë.
Pas kumtesave u organizua edhe një debat të cilin e filloi shkrimtari Vilson Culaj. Ai diskutoi për konceptet filozofike veçanërisht ato ateiste që përmban libri “Moskuptimet”. “A duhet të jesh ateist të shkruash për ateizmin”, kurse Muharremi ka replikuar “Jo gjithherë duhet të jesh ateist të shkruash një vepër ateiste siç është “Moskuptimet”.

Të pranishëm në promovim ishin profesorë, drejtorë shkollash, drejtor komunal e nxënës të shkollave si një kombinim i natyrshëm të cilin e ndërton aktiviteti artistik./KultPlus.com