108 vjet shërbim i jashtëm, përpjekjet për ngritjen e misioneve diplomatike

4 dhjetori 1912 pas shpalljes së Pavarësisë është një tjetër moment i rëndësishëm për shtetin shqiptar pasi shënon krijimin e shërbimit diplomatik dhe Forcave të Armatosura shqiptare.

Ndër vendimet e para të qeverisë së përkohshme të Ismail Qemalit ishte pikërisht dhe ajo që ngarkonte Ministrin e Punëve të Jashtme me përgatitjen e misionit diplomatik për në Londër ku kishte filluar punën Konferenca e Ambasadorëve.

Me vendimin e 8 dhjetorit u miratuan edhe tezat politike për misionin që do të nisej në Londër e do të punonte për njohjen e shtetit të pavarur shqiptar nga pjesëmarrësit e Konferencës, dhe me 9 dhjetor u miratuan edhe anëtarët e këtij misioni.

Në të gjitha përçapjet e saj diplomatike pranë Fuqive të Mëdha dhe shteteve fqinje, Qeveria e Përkohshme e Vlorës doli si qeveri përfaqësuese e gjithë shqiptarëve në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Në një prej letrave dërguar shqiptarëve jashtë, shihen përpjekjet e Ismail Qemalit që Shqipëria të përfaqësohet denjësisht në Londër.

“Mbledhja e sotme e këshillit të ministrave vendosi që tu hiqen tejshkrime Mehmed Bej Konnicës, Filip Nogës në Vier, dhe z. Sotir Koleas në Brindisi që të shkojnë në Paris, të takohen me Rasik bej Dinon dhe të gjithë bashkë të venë në Londër ku do të përpiqen për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë. Mehmet Bej Konicës dhe z. Filip Nogës ju dërguam 100 napoleon me anën e z. Pierron në Vienë“, thuhet në letrën e tij. /dp/ KultPlus.com

Panairi i artizanëve dhe grupeve polifonike labe në Vlorë

“Zeje, Avaze, Polifoni”, është titulluar panairi i zejtareve profesioniste dhe folkloristeve në qendrën historike të Vlorës.

Artizanë të instrumenteve muzikore, të fyellit apo cylave, artizanë të veshjeve popullore si dhe të punimeve artistike në dru kanë treguar pasionin e tyre shumëvjeçar, pasion i cili vetëm pasurohet, edhe pse aktivitetet e tyre jo gjithnjë e gjejnë tregun e duhur.

Kryebashkiaku i Vlorës i ka ftuar artizanët që të tregtojnë punimet e tyre në dyqanet e qendrës historike të Vlorës, një ambient tashmë i restauruar.

”Zona historike u rikonstruktua që këto zotërinj të vijnë këtu, të marrin me qira këto objekte dhe të promovojnë veprat e tyre”, deklaroi kryetari i Bashkisë, Dritan Leli. Gjatë këtij panairi kanë interpretuar grupe polifonike dhe ato të këngës labe.

100 vjet nga Lufta Kombëtare e Vlorës, ekspozitë me dokumente e fotografi në pedonalen e qytetit

100-vjetori i Luftës Kombëtare të Vlorës bëri bashkë në qytetin historik studiues, autoritetet vendore, deputetë të qarkut Vlorë si dhe përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Muzeu Historik Kombëtar dhe Muzeu Kombëtar Vlorë, të cilët ishin dhe organizatorët e ekspozitës së realizuar me këtë qëllim.

Ekspozita përmbante dokumente që datonin që nga fillesat e organizimit të luftës, deri në fund të çlirimit të qytetit të Vlorës, foto të vullnetarëve në luftë, telegrame për çlirimin e vendit, fotografi nga festimet e çlirimit, dekoratat dhe vlerësimet për heronjtë e luftës, si dhe krahës ekspozitës ishin paraqitur disa objekte muzeale.

Lufta e Vlorës, e njohur ndryshe si Lufta e 20-ës, ishte një seri betejash mes forcave italiane dhe patriotëve shqiptarë për zotërimin e qytetit të Vlorës.

Kjo luftë zgjati 3 muaj dhe më 3 shtator 1920 pas shumë luftimesh, forcat shqiptare arrijnë të çlirojnë qytetin duke i detyruar pushtuesit italianë të largohen jo vetëm nga rrethi i Vlorës, por edhe nga Saranda, Durrësi dhe Shëngjini. Nuk duhet lënë pa përmendur dhe kapedani Hodo Zeqiri i cili ka qenë një ndër heronjtë dhe udhëheqësit legjendarë të kësaj lufte.

Ekspozita do të jetë e hapur për të gjithë vizitorët gjatë gjithë ditës së sotme në pedonalen e Vlorës.

Monumenti historik kushtuar Luftës së Vlorës i shtohet listës së ndalesave turistike

Monumenti historik kushtuar Luftës së Vlorës, në një nga kodrat më të bukura të qytetit, i është shtuar listës së stacioneve të turistëve që vizitojnë Vlorën dhe simbolet e ngjarjeve të saj më të rëndësishme historike.

Kryetari i bashkisë së Vlorës inspektoi sot nga afër këtë monument që pritet të përurohet nesër.

“Ndërmarrja e gjelbërimit në ditët e nxehta të gushtit bëri një punë kolosale për të shndërruar një vend që ishte lënë pothuajse në harresë plot me plehra e hedhurina në një destinacion të ri turistik në respekt të qytetit, të luftës së Vlorës dhe në respekt të këtij monumenti fantastik. Që është një nga veprat e artit historik që ne kemi në një kodrat më të bukura të qytetit pavarësisht se këtu ka ndërtime pa leje, që janë ndërtuar kaq pranë objekteve historike duke prishur edhe peizazhin”, – theksoi Leli.

Kryebashkiaku  Leli u shpreh se kjo ndërhyrje që u bë me shumë sakrificë, përkushtim njerëzor dhe me mbështetje të donatorëve, si Dhimo, që ka sjellë gurin nga zona e lumit të Vlorës, për pjesën e  shkallares dhe Thimo që ka bërë tapetin e betonit këtu dhe ka ndihmuar në tapetin e barit”.

Leli falënderoi edhe Ndriçimin një nga banorët e lagjes, që ka ruajtur shkrimin në piedestal të monumentit, i cili ishte futur mes hedhurinave të viteve të fundit për të na treguar të gjithëve se duhet të jemi të kujdesshëm dhe të vëmendshëm për historinë. “Për fat vazhdon të jetë falë ruajtjes së banorëve të zonës dhe punës së shkëlqyer të “Shehaj Metal” që e risolli përsëri në piedestalin e këtij monumenti”, tha Leli.

Kryetari i bashkisë së Vlorës u shpreh se ““është shtruar edhe rruga që lidh Qafën e  Babicës, deri tek monumenti. Ky monument do të përurohet në  kuadër të 100- vjetorit të luftës së Vlorës”. atsh / KultPlus.com

Të rinjtë shqiptarë me videomesazh, “Më ka marrë malli për Vlorën” (VIDEO)

“Më ka marrë malli për Vlorën” mban titullin një videomesazh i realizuar me të rinjtë shqiptarë të qytetit të Vlorës që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, si Nju Jork, Dallas, Bremen, Milano, Pragë e Vjenë.

Pjesë e kësaj videoje promovuese janë profesionistë e artistë të mirënjohur të skenave ndërkombëtare, si balerini Eno Peçi.

Anni, një vajzë e cila jeton me bashkëshortin e saj në SHBA, Nju Jork shprehet se ka mall për Vlorën. Dashurinë e saj për Vlorën dëshiron të ja tregojë eshe bashkëshortit të saj. “Unë kam lindur në Vlorë dhe jetoj në Nju Jork bashkë me familjen time. Kam shumë dëshirë t’ia tregoj bashkëshortit”,- tha Anni.

Ndërsa bashkëshorti Christopher, shprehet se mezi pret të udhëtojë drejt Vlorës. “Mezi pres ta vizitoj Vlorën e bukur, të shoh plazhin spektakolar dhe zonat atraktive të pabesueshme. Shpresoj të vij sa më shpejt”,- pohoi ai.

Ndërsa Mario është nga Teksasi i SHBA. Ndër gjërat që i ndjen më së shumti mungesën, ai përmend shëtitoren e Vlorës. “Na mungon Vlora, shumë”,- thekson ai.

“Këtu është një mbrëmje e mrekullueshme, por do dëshironim vërtet të ishim në plazhet e Vlorës së bashku me familjet tona”, – shprehet nga ana tjetër Carson, bashkëshortja e  Marios.

Edhe Bimi Gunbardhi nga Bremen në Gjermani mezi pret që të udhëtojë drejt Vlorës. “Urojmë që çdo gjë të rregullohet, biletat i kemi gati dhe urojmë të nisemi sa më shpejt drejt Vlorës për të kaluar tre javë të mrekullueshme muzike dhe frymëzimi në bregdetin e bukur”,- u shpreh ai.

Nga Milano, Genci Tepelena thotë se: “dëshirën më të madhe e kam që pushimet t’i kaloj në bregdetin e Vlorës. Të festojmë daljen nga pandemia atje, bashkë me familjen time”.

Paola Rrapaj nga Praga nuk i fsheh emocionet kur flet për Vlorën. “Është dashuria ime, më bën ta ëndërroj. Miqtë dhe familjarët që kam atje ma bëjnë edhe më të madhe dëshirën për t’u kthyer në Vlorë”,- u shpreh ajo.

Balerini i njohur Eno Peçi nga Viena, kërkon që Vlorën t’ia prezantojë fëmijëve të tij. “Më ka marrë malli për Vlorën, mezi pres t’ia tregoj fëmijëve të mi bukurinë e Vlorës”.

Këto janë vetëm një pjesë nga shqiptarët në të gjithë botën që janë nga Vlora dhe që iu mungon ky vend.

Video e realizuar nga Deputeti Fate Velaj ka për qëllim prezantimin e disa prej të rinjve ekselentë nga Vlora të cilët kanë arritur suksese në botë në fusha të ndryshme, me qëllim sensibilizimin për të sjellë përvojën e marrë në botë në vendlindjen e tyre. /KultPlus.com

Rama publikon fotot: S’është 3D jo, është zemra e Vlorës

Qendra historike e Vlorës ka marrë shkëlqimin multidimensional të një pike referimi historiko-kulturor dhe me impakt në zhvillimin ekonomik dhe turistik të qytetit bregdetar.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar mbrëmjen e sotme foto nga transformimi I këtij investimi në Vlorë.

“S’është 3D jo. Është zemra e VLORËS”, shprehet Rama duke publikuar foto nga Qendra historike e qytetit bregdetar,  një zonë e cila ruan ende gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19‐të dhe fillimit të shekullit të 20‐të.

Brenda kufijve të zonës ku dhe është investuar, ndodhen disa monumente kulture të kategorisë së parë si edhe rruga më e rëndësishme e qytetit për nga vlerat arkitektonike‐historike që mbart: rruga “Justin Godard”.

Investimet e realizuara nga qeveria përfshinë restaurimin e 68 banesave, mes të cilave, Shtëpinë e Marigosë, Xhaminë e Tabakëve, Rrugën e Hebrenjve, Sheshin e Sahatit dhe Shtëpinë e Qeverisë.

Në zonën qendrore të Vlorës, me një sërë objektesh të trashëgimisë kulturore, e shndërrojnë këtë qytet jo vetëm në perlë të bukurisë turistike, por edhe të historisë dhe kulturës.

Vlora e vitit 1920, njё nga faqet më të lavdishme të historisë sonë kombëtare

Epopeja e Luftёs sё Vlorёs nё vitin 1920 ёshtё njё nga faqet mё tё lavdishme tё historisё sonё kombёtare.

Mё 29 maj 1920 u mbajt kuvendi nё Barçalla, njё shpat mali pranё Dukatit ku pjesemarrёsit aprovuan propozimin pёr tё filluar sa mё parё kryengritjen çlirimtare kundёr pushtuesit Italian. Mё 26 prill 1915 midis qeverive tё Italisё dhe Antanёs u nёnshkrua Traktatit i Fshehtё i Londrёs pёr copёtimin e trojeve shqiptare.

Nё kёtё traktat Vlora, ishulli i Sazanit, Himara dhe Hinterlandi i saj ju la Italisё. Pёr kёtё arsye nё Kuvendin e Barçallasё ku ishte pjesmarrёs dhe kryeministri i Qeverisё sё Lushnjёs Sulejman Delvina, u zgjodh njё Kёshill Kombёtar prej 30 vetёsh dhe nga gjiri i tij doli Komiteti “Mbrojtja Kombёtare” prej 12 anёtarёsh, tё cilёve ju ngarkua drejtimi i kryengritjes.

Kryetar i komitetit u zgjodh patrioti Osmёn Haxhiu. Mё, 2 qershor 1920 nё Beun u mblodhёn rreth 4000 luftёtarё nё pёrgjigje tё thirrjes sё Komitetit tё Mbrojtjes dhe lidhёn besёn pёr tё luftuar deri nё vdekje kundёr pushtuesve.

Kjo ishte njё luftё jetike pёr mbrojtjen e kufijve tё shtetit shqiptar, tё cilat pёrveç rrezikut Italian, rrezikoheshin tё coptoheshin nё veri dhe jug nga ushtritё greke e serbe.

Bashkimi i Vlorёs dhe mbarё Shqipёrisё nё kushtrimin pёr liri kundёr ushtrisё Italiane bёri qё tё fitohej njё nga luftrat mё tё rёndёsishme nё historinё moderne tё Shqipёrisё, ku nё harkun kohor tё 5 qershorit dhe 3 shtatorit tё vitit 1920 trupat italiane tё mposhteshin nga ato shqiptare dhe tё ktheheshin kokёulur nё Gadishullin Apenin.

Udhëheqës të Luftës së Vlorës ishin Qazim Koculi, Ahmet Lepenica dhe Osmën Haxhiu. Çlirimi i Vlorёs i hapi rrugё çlirimit dhe tё krahinave tё tjera shqiptare qё mbaheshin tё pushtuara nga ushtritё greke e serbe, duke mundёsuar nё kёtё mёnyrё çlirimin e gjithё trojeve Shqiptare.

Betimi i datës 29 Maj 1920 në Barcalla: “Me ndihmë e pa ndihmë të viseve të tjera të Shqipërisë, do të luftojmë deri sa të bashkohemi me shtetin tonë ose, në mos e arrifshim këtë ideal, të vdesim me armë në dorë që ta marrë vesh bota e qytetëruar se shqiptari për lirinë e vet din të vdesë dhe kur vendos të vdesë, s‘e trembin milionat me ushtri e topa”./KultPlus.com

Qendra historike e Vlorës merr një pamje të re

20 objekte dhe struktura të shembura për t’i hapur rrugën rikostruktimit të 60 godinave mes të cilave dhe shtëpisë së Marigo Posio, e njohur si vajza që qëndisi flamurin e Pavarësisë, dhe rezultati është ky në qendrën historike të qytetit të Vlorës.

Rikualifikimi i kësaj zone është bërë i mbulur falë mbështetjes së Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe për të është shpenzuar një buxhet prej afro 180 milionë Lekësh. Kryeministri, i cili ishte në ceremoninë e inagurimit në krah të Majkell Granof, kryetarit të Bordit të Drejtorëve të Fondit Shqiptaro-Amerikan, e vlerëson si një transformim që i ka tejkaluar dhe përfytyrimet e tij optimiste.

Por Kryeministri i cili thotë se gjatë qeverisjes së tij i ka dhënë me investimet e qeverisë një fytyrë të re Vlorës, flet dhe për projektet e pritshme në këtë qytet, që e cilëson si qendrën e gravitetit të gjitheë rajonit të jugut.

Në qendrën historike janë në proces restaurimesh dhe rikonstruktimesh dhe ish-Galeria e Arteve, dy muze, ai Etnografik dhe Historik si dhe kulla e sahatit./tv klan/ KultPlus.com

Shqipëria parajsa e re mesdhetare

Imagjinoni Mesdheun! Çfarë ju vjen në mendje? Brigjet gjarpëruese të mbushura me shkëmbinj dhe limane. Qielli fantastik, pa një njollë reje. Dhe sigurisht, një det i jashtëzakonshëm, për të cilin nuk ka epitet që mund ta përshkruajë. Nëse nuk i keni planifikuar ende këto pushime verore, ju jeni ende në kohë për të bërë zgjedhjen e duhur. Plazhet fantastike të jugut të Shqipërisë janë perlat e Mesdheut dhe ju duhet patjetër t’i vizitoni, shkruan Traveler.es.

Shqipëria, objektivi juaj i ardhshëm.

Mundohuni të kujtoni plazhe si Costa Brava, Costa Azur ose bregdetin amalfitan… janë destinacionet e para që vijnë në mendje për disa pushime verore të paharrueshme në vijën e bardhë gurore dhe ujin blu të plazheve. Është koha për të shtuar në këtë listë edhe një vend të ri: Rivierën Shqiptare.

Plazhet më të mira të Rivierës Shqiptare

Shqipëria më në fund ka hapur dyert e saj për turistët dhe pushuesit dhe nuk ka nevojë për shumë argumente, thjesht shikoni fotot. Plazhet i ngjajnë parajsës në tokë (dhe disa janë pothuajse të braktisura). Surpriza arkeologjike dhe të gjitha me ndjenjën e zbulimit të një prej sekreteve të mirëfshehura në anën tjetër të Mesdheut.
Një breg i mbushur me surpriza

Riviera nuk ka kufij të përcaktuar, por nëse doni të vendosni një portë, ndoshta do të jetë në Vlorë, 150 kilometra në jug të kryeqytetit shqiptar, Tirana. Këtu është vendi ku Adriatiku takon Jonin, në një takim detar që ju fton të bashkoheni që nga momenti i parë. Vlora vjen me një ngarkesë të madhe historike: Aty u shpall pavarësia e Shqipërisë nga Perandoria Osmane në vitin 1912. Që atëherë, ajo është rritur për t’u bërë një qendër për aktivitetin e rëndësishëm të portit, gjithashtu dhe një nga plazhet kryesorë të Rivierës fantastike .

Plazhi më i ri në dispozicion mund të jetë zgjedhja e ardhshme nëse nuk doni ta ndani veten në shumë bare të këtij plazhi. Uji i Ftohtë, vetëm dy kilometra larg, është një shtrirje e plazheve më pak të frekuentuar, por me një nivel të aktivitetit për t’u pasur zili.

Nëse dëshironi një ofertë të mirë për kohën e lirë, Vlora duhet të jetë zgjedhja juaj.

Pas bregdetit në jug, ndalesa tjetër është qyteti i qetë i Himarës, i ndarë midis vendpushimeve moderne dhe tavernave tradicionale greke. Pak me larg nga Himara është Llamani, një plazh i bukur, i rrethuar nga dy kodra, shumë popullor për turizmin vendas.

Po kërkoni një eksperiencë më të relaksuar? Shkoni në Qeparo, një fshat piktoresk i kapur pas dy shkëmbinjve dhe me pamje nga skena e Mesdheut, pikërisht ajo që keni në mendjen tuaj: portin e artë, detin bruz dhe qiellin e përjetshëm.

Mbërritja në Sarandë, qendra strategjike e Rivierës dhe një destinacion që po fiton popullaritet në Ballkan. Saranda, përkundër popullsisë modeste të saj, po përjeton një periudhë rritjeje të lartë, e cila dallon dukshëm nga “bumi” i ndërtesave në të gjitha kodrat përreth qytetit bregdetar. Por, për momentin (dhe fatmirësisht), Saranda mbetet një opsion i këndshëm si një bazë për të eksploruar plazhet aty pranë, kur ju i keni parë tashmë ata që janë në rrugë.

Oazet e Ksamilit

Midis tyre, Ksamili merr trofeun më të mirë, jo vetëm në zonë, por ndoshta në të gjithë Rivierën. Ky arkipelag i vogël, 20 milje në jug të Sarandës, ka tre plazhe të vogla gurore që pothuajse mund të bashkohen me njeri-tjetrin. Ksamili është shumë afër qytetit të lashtë të Butrintit, sot një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri. Me një park kombëtar, Butrinti tregon shenja të vendbanimeve të lashta romake dhe greke që kanë jetuar aty, në një përzierje interesante që do t’ju marrë një gjysmë dite, për t’ju nxjerrë kështu nga peshqiri i plazhit.

Ejani dhe zbuloni parajsën e re mesdhetare. Apo keni nevojë për më shumë arsye?”, përfundon Traveler.es./KultPlus.com

Vlorë, qytetit turistik i rikthehet qendra historike

“Qytetit bregdetar do t’i kthejmë ‘Vlorën historike të harruar”,
kështu u shpreh kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, gjatë inspektimit të punimeve në rehabilitimin e qendrës historike të qytetit të Vlorës së bashku me zëvendësministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli.

“Kemi vizituar të gjitha pjesët e projektit, kemi koordinuar punën me të gjithë ata që janë duke punuar, me inxhinierët e firmës që po zbaton projektin, në mënyre që të gjejmë zgjidhjet më oportune për të kapërcyer çdo vështirësi që del hap pas hapi në këtë projekt, do të thoja nga më kompleksët që kemi realizuar në bashkinë Vlorë”, theksoi Leli.

Leli falënderoi Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe qeverinë shqiptare për mbështetjen e këtij projekti.

“Pak muaj më parë ishte një hapësirë e bllokuar, jo në përdorim të qytetarëve, po merr formë tërësisht të re për ta kthyer në një shesh të madh, ku do të ndërtojmë muzeun e parë të hebrenjve”, tha Leli.

Leli u shpreh se “pjesa e parë e projektit rruga “Justin Godard” do të përfundojë në prag të sezonit turistik. Projekti do të zgjerohet në vijimësi me mbështetjen e qeverisë dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit për të arritur atë që ne duam një zonë historike tërësisht të restaruar”.

Zv/ministri Shkreli duke përgëzuar punën e bashkisë tha se “Vlora do të jetë destinacioni i ri turistik jo vetëm në kuadër të Shqipërinë, por edhe në kuadër mesdhetar”.

Sipas tij, këto projekte i përshtaten morfologjisë historike të këtij qyteti.

Qendra historike e Vlorës është zona ku qyteti i Vlorës ruan ende gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të. Brenda kufijve të zonës së projektit ndodhen disa monumente kulture të kategorisë së parë si edhe rruga më e rëndësishme e qytetit për nga vlerat historike që mbart: rruga “Justin Godard”.
Rruga “Justin Godard” ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes dhe Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor i saj të nxjerr tek Sheshi i Flamurit, kurse ana lindore në lagjen “Partizani” në drejtim të Babicës, ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920.

Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik. Degëzimet e rrugëve sekondare të çojnë tek ish-pazari, “lagja e hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga. Në fund, nga ana lindore ka qenë dhe xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit. Rruga ka pasur disa ndërtesa shoqërore në shekullin XIX, si një sahat (kullë) dhe Postën e qytetit.
Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Godard ka qenë mik i shqiptarëve dhe ka ndihmuar dhe me fonde ekspeditën e arkeologut Leon Rey në Apoloni./ atsh

E diela me diell, mbush Vlorën me vizitorë

Moti i ngrohtë mblodhi sot qytetarë të shumtë dhe vizitorë nga qytete të tjera të vendit në Vlorë.

Fëmijë dhe të rinj mes lojërave të ndryshme sportive po kalojnë momente argëtuese. Ndërsa qytetarë të shumtë po shijojnë këtë ditë me diell në bregun e Lungomares.

I konceptuar si një hapësirë ku alternohen 3 lloje lëvizjesh, ajo me automjete, me biçikleta, si dhe pedonalja, në Lungomare qytetarët gjejnë vetveten, në varësi të dëshirave të tyre.

Por, ka nga ata që kanë zgjedhur si destinacion të tyre edhe vizitat në pikat turistike të qytetit, ose në lokalet pranë bregdetit.

Në disa fotografi të publikuara bashkia e Vlorës na sjell momente nga dita e sotme e qytetarëve vlonjatë, por edhe e vizitorëve nga qytete të ndryshme të vendit dhe jashtë tij.

Vlora me brigjet e saj, Karaburunin, Sazanin, Llogoranë, kalanë e Kaninës, Lagunën e Nartës, plazhet e shumtë, monumentet, njerëzit, prodhimet e tokës dhe të detit është gjithnjë e më shumë e frekuentuar nga turistët vendas dhe të huaj./ ata

Çfarë ka ndodhur më 29 Nëntor 1912

Më 29 nëntor 1912, Ismail Qemal bej Vlora, me cilësinë e kryetarit të Qeverisë së Përkohshme dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, formuloi notën e parë diplomatike drejtuar përfaqësuesve të Rusisë, Asutrisë dhe Italisë në Vlorë, me të cilën i njoftoj për shpalljen e pavarësisë se Shqipërisë dhe kërkonte vendosjen e marrëdhënieve zyrtare me qeverinë e re kombëtare.

Në të njëjtën ditë ai iu drejtua me telegrame qeverive ballkanike duke u bërë të ditur shpalljen e pavarësisë dhe dëshirën e popullit shqiptar për të jetuar në paqe dhe miqësi me të gjitha vendet fqinje. Këto ishin hapat e parë të diplomacisë shqiptare që u rilind bashk me shtetin e ri shqiptar pas pesë shekujsh robërie./ KultPlus.com

Vlora me 8 kështjella e dy dete, në krye të turizmit shqiptar

Tetë kështjella të ndërtuara në rajonin e Vlorës dhe që përfaqësojnë periudha të ndryshme historike, vlerësohen si objekte të rëndësishme në funksion të zhvillimit të turizmit kulturor në këtë rajon bregdetar.

Miradministrimi i tyre mund të krijojë të ardhura të konsiderueshme, por njëkohësisht ndikon në ndërtimin e një imazhi të qëndrueshëm tek turistët e huaj.

Ndër kështjellat më të spikatura është kalaja e Vlorës, e ndërtuar në vitin 1531 nga Sulltan Sulejmani, gjurmë të të cilës janë zbuluar në afërsi të Skelës. Qëllimi i ngritjes së saj, sipas historianëve, ishte mbrojtja e gjirit të Vlorës nga sulmet e venedikasve.

Krahas saj, në listën e kështjellave përfshihet edhe ajo e Gjon Boçarit, e cila ndodhet në fshatin Tragjas dhe është ndërtuar në periudhën mes shekujve XVI-XVII. Ajo ka formë drejtkëndore dhe gjerësia e mureve arrin deri në 1.25 metra dhe lartësi deri në 5.5 metra.

Ndërsa kalaja e Himarës i përket një periudhe shumë më të hershme. E ndërtuar si një fortifikim i fisit të Kaonëve, ajo përmendet shpesh në dokumentet bizantine. Në shekullin VI kalaja u riparua me urdhër të Perandorit Justinian, për t’u bërë ballë sulmeve të barbarëve, gotëve e husëve.

Pak kilometra nga qyteti i Himarës, ndodhet dhe kështjella e Porto Palermos, ose e njohur ndryshe kalaja e Ali Pashë Tepelenës. Ajo u ndërtua në fillim të shekullit XIX nga pashai i famshëm, si një dhuratë për zonjën e vet, Vasiliqinë. Kalaja u projektua nga një inxhinier francez në formën e një pesëkëndëshi, me muret që arrijnë një trashësi prej 1,6 metra dhe u ndërtua nga specialistë italianë dhe shqiptarë. Ky objekt i trashëgimisë kulturore ruhet në një gjendje mjaft të mirë dhe është shndërruar prej disa vjetësh në një qendër mjaft të rëndësishme turistike që ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve shqiptarë dhe të huaj.

Në listën e tetë kalave me vlera në rrethin e Vlorës përfshihet dhe ajo e Kaninës. E ndërtuar mbi një qendër të vjetër banimi, në shekullin III p.e.s, kjo fortesë ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 3.625 hektarë. Kalaja u rindërtua nga Perandori Justinian, në shekullin V, ndërsa rëndësia e saj spikati veçanërisht gjatë rezistencës së shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu ndaj pushtuesve turq.

Kalaja e Mavrovës ndodhet në Luginën e Shushicës dhe është ndërtuar në shekullin IV p.e.s. E veçanta e kësaj kështjelle lidhet me faktin se muret janë punuar me blloqe gurësh gëlqerorë.

Por, një kështjellë e hershme është edhe ajo e Kukumit, në fshatin Qeparo, në afërsi të gjirit të Porto Palermos, ndërtimi i të cilës daton në shekullin II p.e.s.

Dy detet që lagin brigjet e Vlorës Adriatiku dhe Joni, duke krijuar dhe dy laguna të mëdha si ajo e Nartës dhe Orikumit, janë atraksioni kryesor për turizmin e jugut shqipëtarë. Nisin me plazhet e shumtë të Zvërnecit, me gjire të bukur e rërë të pastër dhe vazhdojnë me plazhin qëndror të Lungomares, Uji i Ftohtë, Radhimë, Orikum, Palas, Dhërmi,Himarë e pa fund plazhe që frekuentohen në këtë periudhë nga pushues të shumtë.

Vlora mbetet kështu qendra e gravitetit për turizmin shqiptar duke i shtuar dhe parqet e shumtë natyrorë si ai i Llogarasë, i Luginës së Vjosës dhe së fundmi Nivicën me kanionet e famshëm për turizmin e aventurës.

Vetëm Parku i Llogarasë për vitin që shkoj u vizitua nga rreth 90 mijë turist. Po kështu dhe Zvërneci kapi mbi 20 mijë vizitorë pa llogaritur plazhet e Vlorës ku pushuesit janë të shumtë. Vlora i ka të gjitha dhe duhet vizituar…

Pas Vlorës, aeroport turistik edhe në Sarandë

Qeveria shqiptare tashmë po bën realitet ëndrrën dhe ambicien e shprehur ndër vite për fuqizimin e infrastrukturës aeroportuale.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Tepelena, ku mori pjesë në ceremoninë e çeljes së punimeve për bypass-in e Tepelenës se paralelisht me infrastrukturën rrugore, mund të themi se ëndrra dhe ambicia e shprehur në fushata elektorale për të fuqizuar infrastrukturën aeroportuale të Shqipërisë është në rrugën e realizimit.

“Jemi në proces dhe së shpejti do të finalizojmë edhe kontratën për të çelur aeroportin e Kukësit. Po ashtu jemi në proces dhe së shpejti finalizohet kontrata për të ndërtuar aeroportin e ri ndërkombëtar të Vlorës. Kemi nisur procesin për të bërë vlerësimet e nevojshme për të ndërtuar aeroportin turistik të Sarandës”, informoi kreu i qeverisë./KultPlus.com

Kroçera gjermane zgjedh Vlorën, 400 turistë zbulojnë Shqipërinë (FOTO)

Edhe pse sezoni turistik ende nuk ka nisur zyrtarisht, Shqipëria me bukurinë dhe historinë e saj ka bërë për vete turistët e huaj, të cilët kanë zgjedhur të zbulojnë më shumë rreth saj.

Ditët e fundit në portin e Vlorës, u ankorua kroçera “BERLIN” me rreth 400 turistë gjermanë të ardhur nga Porti i Kotorrit, Mali i Zi.

Turistët vizituan qytetet turistike të Shqipërisë si Vlora (Llogara), Apolonia e Fierit dhe Beratin.
Kjo është kroçera e parë që ka mbërritur për këtë vit në portin e Vlorës. Më pas udhëtimi i turistëve gjermanë vazhdoi drejt Korfuzit.

Porti i Vlorës është kthyer tashmë në një pikë të rëndësishme të itinerarit të anijeve turistike që përshkojnë Mesdheun.Bashkëpunimi i frytshëm mes “Portit Detar” Vlorë sh.a, dhe kompanive turistike vendase e të huaja ka rritur në mënyrë të ndjeshme numrin e turistëve që mbërrijnë në portin e Vlorës.


Kjo është hera e dytë që Krocera “Berlin” viziton Poritn e Vlorës./ATSH