Apeli pezullon vendimin për rinisjen e punës së VOA

Gjykata e Apelit në Uashington më 3 maj miratoi pezullimin e vendimit të shkallës së parë në rastin që përfshin gazetarët e Zërit të Amerikës (VOA), duke bllokuar përkohësisht urdhrin që kërkonte rikthimin e tyre në punë dhe vazhdimin e financimit për transmetuesit ndërkombëtar, të financuar nga Shtetet e Bashkuara.

Më herët gjatë ditës, organizata joqeveritare Reporterët pa Kufij dhe një gazetar i VOA thanë se Departamenti amerikan i Drejtësisë kishte njoftuar se kjo media mund të riniste punën javën e ardhshme.

Këshilltarja e lartë e administratës së presidentit, Donald Trump, për Agjencinë e SHBA-së për Media Globale (USAGM) – që mbikëqyrë Zërin e Amerikës –, Kari Lake, e quajti vendimin e Apelit, “fitore të madhe” për administratën amerikane.

VOA, që është transmetues i financuar nga shteti amerikan, ka audiencë ndërkombëtare dhe është mbyllur që kur Trump urdhëroi Agjencinë e SHBA-së për Media Globale (USAGM), që mbikëqyrë VOA dhe transmetues të tjerë – përfshirë Radion Evropa e Lirë –dhe gjashtë agjenci të tjera federale që të ulnin në minimumin e kërkuar nga ligji punën e tyre.

“Një avokat i Departamentit të Drejtësisë i ka dërguar një email avokatit tonë, David Seide, për ta informuar që USAGM pret që stafi i VOA të mund të nisë ‘rikthimin me faza’ në punë dhe transmetimi të rinisë javën e ardhshme”, tha më herët gjatë së shtunës, gazetari i VOA, Steve Herman në një postim në X.

Organizata joqeveritare Reporterët pa Kufij tha se avokatët e tyre, së bashku me ata të Zërit të Amerikës, ishin njoftuar nga Departamenti i Drejtësisë se punëtorët e transmetuesit do të lejoheshin që të ktheheshin në punë.

Më 21 mars, VOA ngriti padi ndaj administratës Trump, duke argumentuar se lëvizjet e administratës për mbylljen e transmetuesit ishin të paligjshme.

Më pas, USAGM dërgoi në pushim më shumë se 1.000 punonjës dhe ndërpreu kontratat me rreth 600 bashkëpunëtorë, duke e detyruar VOA, që për herë të parë që nga themelimi më 1942, të ndalë transmetimin.

Padi ndaj USAGM ka ngritur edhe Radio Evropa e Lirë, për të “shmangur dëmin e pariparueshëm” ndaj transmetuesit për shkak të mbajtjes pezull të grantit – të miratuar nga Kongresi – si pjesë e përpjekjeve të USAGM-it për të ndërprerë financimin e REL-it.

Më 2 maj, Gjykata e Apelit në SHBA lëshoi një vendim për pezullimin e përkohshëm të vendimeve paraprake gjyqësore dhe duke lejuar administratën Trump që përkohësisht të ndalë financimin për REL-in dhe transmetuesit e tjerë.

Ky vendim, sipas gjykatësve të Apelit, u mor në mënyrë që të ketë mundësi të shqyrtohen kërkesat e paraqitura nga Departamenti i Drejtësisë në emër të USAGM.

Vendimi i Apelit erdhi disa ditë pasi një gjykatës federal urdhëroi USAGM-in t’i lëshojë REL-it fondet për muajin prill.

USAGM është agjenci e pavarur qeveritare që mbikëqyrë REL-in, Zërin e Amerikës dhe transmetues të tjerë të financuar nga SHBA-ja, që së bashku transmetojnë lajme dhe informacione në pothuajse 50 gjuhë për rreth 361 milionë persona në javë./REL/ KultPlus.com

Gjykata bllokon përpjekjet e Trumpit për të ndaluar Zërin e Amerikës

Një gjykatës federal ka bllokuar përpjekjet e administratës Trump për të ndaluar funksionimin e transmetuesit ndërkombëtar amerikan Zëri i Amerikës, duke e quajtur masën një “rast klasik të vendimmarrjes arbitrare”.

Gjykatësi James Paul Oetken bllokoi Agjencinë Amerikane për Median Globale (USAGM), e cila drejton Zërin e Amerikës, nga shkarkimi i më shumë se 1200 gazetarëve, inxhinierëve dhe stafit të tjerë që ajo mënjanoi dy javë më parë, pasi presidenti Donald Trump urdhëroi shkurtimin e financimit të saj.

Bëhet e ditur se Oetken lëshoi ​​një urdhër të përkohshëm kufizues që ndalonte agjencinë nga “çdo përpjekje e mëtejshme për të ndërprerë, reduktuar në fuqi, vendosje në pushim” punonjës ose kontraktorë, dhe nga mbyllja e çdo zyre ose për t’u kërkuar punonjësve jashtë shtetit të kthehen në SHBA, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

“Kjo është një fitore vendimtare për lirinë e shtypit dhe Amendamentin e Parë, dhe një qortim i ashpër ndaj mospërfilljes së plotë të administratës Trump për parimet që përcaktojnë demokracinë tonë”, tha avokati Andrew G. Celli Jr.

Oetken vendosi pasi një koalicion i gazetarëve të Zërit të Amerikës, sindikatave të punës dhe grupit jofitimprurës të gazetarisë Reporterët pa Kufij paditi administratën Trump javën e kaluar për të bllokuar shkurtimet.

Në fund të fundit, ata kërkojnë që Zëri i Amerikës të kthehet në transmetim.

Ndryshe, Trump dhe republikanë të tjerë e kanë akuzuar Zërin e Amerikës për një “paragjykim të majtë” dhe dështim për të projektuar vlera “pro-amerikane” për audiencën e tij mbarëbotërore, edhe pse është i mandatuar nga Kongresi për të shërbyer si një organizatë jopartiake e lajmeve./ KultPlus.com