‘Vox Baroque’ dhe OSFA në kalanë e Petrelës, në një ngjarje muzikore të rrallë në Shqipëri

Festivali Ndërkombëtar “Vox Baroque” përmbylli edicionin e tij të dhjetë me një koncert unik në kalanë e Petrelës në Tiranë.

Në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura, ky edicion jubilar u prit me shumë entuziazëm nga publiku.

Solistët Fabio Ceccarelli, Sonja Hoxhallari, Xhudi Dodaj dhe themeluesi i këtij festivali Jusuf Beshiri, i dhuruan artdashësve një koncert dhe natë të mrekullueshme, duke interpretuar një repertor të zgjedhur nga Vanhal, Vivaldi dhe J.S. Bach.

“Vox Baroque” mbetet aktiviteti i vetëm në llojin e tij në Shqipëri që ka arritur të sjellë muzikën baroke për publikun shqiptar për një dekadë të tërë.

Me vlerësime të shumta për vlerat artistike dhe profesionale të saj, Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura po ofron një kontribut të rëndësishëm në promovimin e kulturës dhe artit në Shqipëri./atsh/KultPlus.com

Skënderbeu dhe portreti i tij në barok erdhi përmes Festivalit “VOX BAROQUE”

Festivali i Muzikës së vjetër “VOX BAROQUE” i cili i kushtohet tërësisht repertorit barok po i kthen skenat e hapura të trashëgimisë dhe sheshet e qyteteve në skena artistike.

Edicioni i pestë i këtij festivali përkon me 550-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, ndaj dhe ky edicion i dedikohet figurës së tij duke përfshirë në repertorin e këtij viti muzikë të kompozitorëve të periudhës baroke kushtuar heroit tonë.

Jehona e tij qe aq e madhe në Evropë sa kompozitorë si Vivaldi e Rebel i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë duke kompozuar opera në emër të tij.

Një nga titujt më të rëndësishëm të zhanrit lirik francez “ tragedie lyrique” është opera SCANDERBEG e Francois Rebel me libretin e A.H.de La Motte e kompozuar në Francë, në një shoqëri ku shija për heronjtë dhe ekzotikun ishte shumë prezentë.

Qyteti Muze i Beratit ishte ndalesa e dytë e festivalit të Muzikës Baroke. Në mjediset mbresëlënëse të Muzeut Etnografik interpretuan “Trio hollandeze” dhe e ftuara e mbrëmjes sopranoja Erida Agolli.

Shfaqja ishte një mbrëmje e mahnitshme dhe për të pranishmit pasi përkoi me 10-vjetorin e përfshirjes se këtij qyteti në listën e pasurive të trashëgimisë botërore UNESCO-s nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore.

Ky festival është pjesë e kalendarit turistik veror 2018, hartuar nga Ministria e Kulturës, me gjithëpërfshirje nga jugu në veri, në bashkëpunim me institucionet artistike në vend, TKOB, Teatri i Kukullave, Cirku Kombëtar, AQSHF.

Kalendari përfshin rreth 70 shfaqje në zonat bregdetare nga Velipoja në Dhërmi, nga Shëngjini në Korçë, nga Shkodra në Ksamil.

Përhapja e kësaj muzike të luajtur me instrumente origjinale në respekt të plotë të stilit, rregullave dhe mënyrës së interpretimit të asaj kohe shikimi i muzikës me një këndvështrim tjetër historik dhe kritik duke kërkuar gjithmonë qasje të reja, shkruan a.t.a./KultPlus.com