Fakulteti i Mjekësisë angazhon mbi 300 vullnetarë në parandalimin e Covid-19

Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës ”Hasan Prishtina”, përveç stafit akademik që janë edhe punëtorë të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ka angazhuar edhe mbi 300 vullnetarë në luftën për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në vendin tonë.

Sipas njoftimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, thirrjes nga Ministria e Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike i janë përgjigjur:

280 vullnetarë (mjekë të rinj, mjekë specialistë, mbi 55 studentë vullnetarë të Fakultetit të Mjekësisë, infermierë, psikologë, punëtorë socialë etj.);

41 vullnetarë – studentë absolventë të Fakultetit të Mjekësisë, aktivë në qendrat e mjekësivë familjare në vend;

14 vullnetarë – aktualisht po ndihmojnë në Qendrën e Thirrjeve në Fakultetin e Mjekësisë dhe Katër vullnetarë – studentë absolventë të Fakultetit të Mjekësisë në Qendrën e Studentëve;

Shumë vullnetarë të tjerë, studentë të Fakultetit të Mjekësisë, me vendbanim nëpër komuna të Kosovës, janë në vazhdimësi duke shprehur dëshirë të ndihmojnë, e që janë duke u evidentuar të angazhohen sipas nevojës.

Qendra e Thirrjeve në Fakultetin e Mjekësisë:

Qendra e Thirrjeve (UP- IKSHPK-MSH) aktualisht gjendet e pozicionuar në dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë dhe është në shërbim të qytetarëve, duke ofruar informacionet e duhura përmes telefonit.

Në këtë qendër, e cila qëndron e hapur 24 orë në ditë, raportohet të pranohen 200 deri në 300 thirrje brenda ditës, të cilat pranohen nga personeli i IKSHPK-së apo ndonjë nga vullnetarët (mjekë apo studentë) e Fakultetit të Mjekësisë.

Numri kontaktues i qendrës është: 038 200 80 800.

Universiteti i Prishtinës vazhdon t’u përgjigjet me profesionalizëm të gjitha kërkesave të institucioneve shëndetësore për ta ndihmuar vendin në situatën e krijuar nga pandemia COVID-19. / KultPlus.com

Mjekja kosovare e papunë, vullnetarisht në ndihmë të kolegëve të saj

Tashmë të gjithë qytetarët janë solidarizuar për shkak të virusit korona, që ka prekur edhe vendin tonë.

Derisa sot janë shënuar edhe katër raste të tjera, duke çuar kështu numrin e të infektuarve në nëntë dhe Qeveria e Kosovës me rekomandim të Ministrisë së Shëndetësisë e ka shpallur gjendjen si të jashtëzakonshme.

Por, në vijën e parë qëndrojnë mantelbardhët, ata të cilët bëjnë në apel që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa vet janë duke kryer misionin e tyre të shenjtë, shpëtimin e jetëve.

Janë krijuar edhe grupe të ndryshme në të cilat kërkohet puna vullnetare e stafit mjekësor, ndërsa tashmë po lajmërohen edhe të rinjtë të cilët janë diplomuar në këtë lëmi.

Është Jehona Krasniqi, mjeke e përgjithshme, ajo e cila ka thënë se duke parë situatën, do t’iu del në ndihmë kolegëve të tyre.

Ky është postimi i saj

Une jam Jehona, mjeke e pergjithshme.

T’u e pa situaten, ofrohem si vullnetare mjeke me ndihmu ne menaxhimin e situates edhe me ju dal ne ndihme kolegeve tane kudo qe eshte nevoja.

Besoj se duhemi te gjithe te mobilizohemi, jemi shume mjeke papune edhe ndoshta mospervoja mundet me i frikesu organet kompetente me na angazhu, po besoj se me ni lider ne grup edhe me nje rregullore te dergume apo te postume ne forme elektronike se qysh me u sjell me rastet me COVID19, mundemi me ndihmu ne menaxhimin e situates.

Respekte e po shpresoje qe te gjithe jeni mire.

Jehona /KultPlus.com