Worcester, një projekt historik për diasporën më të vjetër shqiptare në SHBA

Në Uster të Shteteve të Bashkuara të Amerikës jeton një ndër komunitetet më të vjetra të diasporës shqiptare në SHBA.

Gjatë një vizite në Worcester, që njihet ndryshe Uster, në Massachusetts, ambasadorja shqiptare në SHBA, Floreta Faber zhvilloi takime me përfaqësuesit e diasporës, drejtuesit e Muzeut Historik të Uster, Presidenten e Institutit Politeknik te Usterit WPI, si dhe vizitoi një numër biznesesh shqiptare.

Që në fillim të shekullit të kaluar, shqiptarët e ardhur kryesisht nga Korça dhe Shqipëria juglindore, por jo vetëm, të vendosur në Worcester, kanë ruajtur me shumë përkushtim gjuhën, dashurinë për atdheun, si dhe shumë nga traditat dhe kulturën shqiptare. Ndërkohë, këta qytetarë shqiptaro-amerikanë kanë dhënë një kontribut të çmuar në jetën ekonomike, politike si edhe kulturore në SHBA.

Në kuadër të veprimtarisë së tyre, komuniteti shqiptar, me mbështetjen e Muzeut Historik të qytetit dhe të Institutit Politeknik WPI po zhvillojnë një projekt shumë dimensional i cili do përqëndrohet në historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan të Worcester dhe njohjes së publikut me të.

Ambasadorja zhvilloi takime me të dy institucionet me qëllim mbështetjen e këtij projekti, rëndësinë e tij në evidentimin e punës dhe jetës së këtij komuniteti në 100+ vitet e fundit. Ambasadorja kërkoi bashkëpunimin e këtyre institucioneve për të vijuar projektin dhe falenderoi për punën e filluar dhe vijuar edhe gjatë periudhës së pandemisë.

Ambasadorja dakordësoi me përfaqësuesit në organizimin e një aktiviteti madhor në Uster, gjatë vitit 2022, që përkon me 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. /diasporashqiptare/ KultPlus.com

Shoqëria e dramës “Dora D’Istria” në Worcester më 1941 (FOTO)

Më katër korrik 1923 komunitet shqiptar në SHBA do të shihte për herë të parë Faik Konicën e letrave, në rolin e regjisorit të teatrit, ku do të ngjiste në skenën e “Arlington Theatre”, Boston tragjedinë “Otello” përkthyer në shqip nga vet shkrimtari shqiptar.

Konica nuk ishte i vetmi shqiptar në SHBA që bëri art në gjuhën shqipe.  Sipas të dhënave të komunitetit shqiptarë në Worcester ka ekzistuar një shoqëri e dramës e cila mbante  emrin ‘Dora D’Istria’.

Gjatë sezonit artistik të viti 1941 kjo shoqëri ka vënë në skenë dramën shqiptare “Karl Topija” (1923) të Kristo Floqit.

Në këtë foto kortezi e Albanian Community of Worcester është trupa e plotë e aktorëve të shfaqjes. / dp/ KultPlus.com