Qendra mesjetare e Beratit, ridimensionim i plotë i Xhamisë Mbret dhe Teqesë se Helvetive

Transformimi i qendrës mesjetare të Beratit ku ndodhen Xhamia “Mbret” dhe Teqeja e “Helvetive” do të vijojë me rehabilitimin e plotë të hapësirave të tjera.

Lajmi bëhet i ditur nga kryetari i bashkisë Berat Ervin Demo, i cili njoftoi se ka filluar transformimi i qendrës mesjetare.

Xhamia “Mbret” dhe Teqeja e “Helvetive”, dy nga atraksionet më të veçanta të qytetit, janë ridimensionuar totalisht në çdo hapësirë të tyre duke ofruar për mijëra vizitorë copëza identitare të trashëgimisë sonë kulturore.

“Së shpejti do të fillojë transformimi i plotë i hapësirave të tjera në zonën mesjetare, të cilat do të jenë vlerë e shtuar për qytetin e Beratit dhe pikënisja kryesore për çdo turist të huaj”, shprehet Demo.

Xhamia Mbret dhe Teqeja e Helvetive janë dy objekte mahnitëse që i japin vlerë të gjithë zonës duke mbajtur në themele shekujt e mesjetës dhe shpalosur bukuritë arkitekturore.

Xhamia Mbret është një nga objektet e kultit islam më i rëndësishëm në qytetin e Beratit dhe monument kulture i kategorisë I i shpallur që në vitin 1948. Ajo është pjesë e kompleksit të Qendrës Islamike dhe është ndërtuar nga Sulltan Bajaziti II në fund të shekullit XV. Xhamia Mbret është një nga më të vjetrat në Berat, e ndërtuar nga Sulltan Bajaziti i II-të rreth vitit 1480. Xhamia përbëhet nga minareja, salla elutjeve dhe nga portiku. Faqet murale anësore kanë dritare të bollshme që sigurojnë ndriçim në pjesën e brendshme të objektit të kultit. Ndërtesa brenda ndahet në dy kate, arkitektura e të cilave përbëhet nga kolona, harqe dhe dekoracione shumëngjyrëshe. Gdhendja e drurit është një element i jashtëzakonshëm në këtë ndërtesë, pasuruar me finesë nga domethëniet fetare.

Teqeja e Helvetive është një tjetër monument i qendrës mesjetare të Beratit dhe një nga realizimet më të mira të arkitekturës në qytet. Teqeja është ndërtuar në shekullin e XV-të dhe është rindërtuar nga Ahmet Kurt Pasha në fund të viteve 70-të të shekullit XVIII. Objekti i përket sektit me të njëjtin emër dhe ndodhet në pjesën lindore të Xhamisë Mbret. Teqeja është e rrethuar nga oborri, i pasuruar me shumë konakë siç quhen në gjuhën lokale ballkonet./atsh/KultPlus.com