Prishtina është përzgjedhur si kandidati më i përshtatshëm për Bienalen e Artit Manifesta 2022

Në fillim të nëntorit merret vendimi përfundimtar për qytetit e radhës që do të jetë nikoqir i Bienales së Artit Manifesta në vitin 2022. Prishtina është përzgjedhur si kandidati më i përshtatshëm në mesin e të gjithë kandidatëve tjerë për këtë ngjarje, andaj drejtori i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova ka njoftuar se tashmë kanë zotuar përmes buxhetit dhe një letre nga kryetari i Komunës një pjesë të investimeve për këtë organizim, përcjellë KultPlus.

Por, nga juria e Manifestas kërkohet garanci e shkruar se Prishtina mund të mbulojmë të paktën 50% të shumës së nevojshme për organizmin e saj të suksesshëm.
Për të arritur këtë siguri, Rugova ka kërkuar bashkëpunim ndërinstituciona.

“Kemi bërë kërkesë te Ministria e Kulturës, Ministria e Integrimeve Evropiane, Ministria e Punëve të Jashtme dhe te partnerë të tjerë për ta mbështetur Prishtinën në këtë sipërmarrje të rëndësishme, por na duhet edhe pak angazhim për garancionin final. Andaj ju bëjmë ftesë publike këtyre institucioneve për ta marrë parasysh këtë bashkëpunim të gjerë, prej të cilit kish me përfitu jo vetëm kultura, por shoqëria në tërësi.

Manifesta nënkupton të paktën 4 milion investime në burime njerëzore, rrjetëzim ndërkombëtar, adaptim dhe ndërtim të hapësirave për art, kulturë dhe urbanizëm. Manifesta është projekt sa artistik aq edhe urbanistik e zhvillues. Sipas disa llogaritjeve diku 200,000 vizitorë do ta vizitonin Prishtinën, dhe rreth 20 milionë euro të hyra mund të vijnë nga ky proces.

Në vitin 2020 Manifesta organizohet në Marseille të Francës. Kurse tash jemi shumë afër që kjo ngjarje në vitin 2022 të vijë edhe në kryeqytetin tonë.

T’i lëmë anash dallimet partiake, dhe ta vendosim Prishtinën në vëmendje të artit ndër”, ka shkruar Yll Rugova në Facebook. /KultPlus.com

Yll Rugova: Mësuesit nuk e kanë përgatitjen e duhur për mësim

Drejtor i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova ka reaguar përmes një statusi në Facebook rreth rezultateve të dobëta të nxënësve në PISA, përcjellë KultPlus.

Por, ai përmes këtij statusi njëkohësisht ka bërë edhe fushatë për partin politike të cilës i takon, duke thumbuar dhe i akuzuar për këto rezultate të dobëta ata që janë në pushtet.

“Nxënësit kanë rezultate të dobëta në PISA, sepse mësuesit nuk e kanë përgatitjen e duhur për të dhënë mësim.

Mësuesit nuk e kanë përgatitjen e duhur për mësim, sepse politikat nuk po mirren me arsim.

Politikat nuk po mirren me arsim, për shkak të koalicioneve të intereseve personale që po krijohen nga politikanët.

E koalicionet e intereseve do të ndërpriten.”, ka shkruar Rugova në Facebook. /KultPlus.com

Filloi renovimi i Shkollës së Parë Shqipe në Prishtinë

Tashmë ka filluar renovimi i Shkollës së Parë Shqipe në Prishtinë. Lajmin për fillimin e renovimeve e ka bërë të ditur drejtori i kulturës në Komunë e Prishtinës, Yll Rugova, shkruan KultPlus.

Ndërtesa e shkollës së parë shqipe gjendet në pjesën perëndimore të qendrës historike të Prishtinës, në trekëndëshin që e formojnë rrugët “Trepça” dhe “Ilir Konushevci”. Ndërtesa me etazhitet P+1 është ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XIX nga Avdurrahman Pasha, shqiptar nga Prishtina.

Në vitin 1880 është djegur, por është rindërtuar prapë nga djemtë e Avdurrahman Pashës. Më 1908, në këtë ndërtesë hapet gjimnazi (Idadije) që kishte rreth 250 nxënës shqiptarë. Pas Luftës së Dytë Botërore një kohë është shfrytëzuar si kazermë e ushtrisë së ish-Jugosllavisë. Ndërsa që një kohë kjo ndërtesë është shfrytëzuar edhe për banim nga disa familje, të cilat kanë qenë në rrezikshmëri të lartë nga shembja e ndërtesës. Komuna kohë më parë pati siguruar strehimin adekuat për këto familje, si dhe pati shpallur edhe tenderin për stabilizim dhe më pas konservim të ndërtesës.

Drejtori i kulturës në Komunë e Prishtinës, Yll Rugova po ashtu ka njoftuar se së shpejti do të fillojnë punën edhe të shtëpia e Sali Safqe në qendrën historik të qytetit të Prishtinë./ KultPlus.com

Komuna e Prishtinës hapë tenderin për konservimin e Shkollës së Parë Shqipe në Prishtinë

Drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës-Yll Rugova, sot përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se komuna ka hapë tenderin për stabilizimin dhe konservimin e ndërtesës që ishte shkolla e parë shqipe e hapur në vitin 1908 në Prishtinë, e njohur (lagjja te plepat), shkruan KultPlus.

“Në Prishtinë shkolla e parë shqipe është hapur në vitin 1908 dhe kishte 250 nxënës. Kjo ndërtesë, që po shihet edhe në fotografi (dhe që ndodhet krejt afër Komunës së Prishtinës), sot është e privatizuar. Për këtë arsye institucionet e kanë pasur të vështirë ndërhyrjen për rehabilitim deri më tani.

Deri para ca javësh aty jetonin disa familje pa strehë, në rrezikshmëri të lartë nga shembja. Komuna e ka siguruar strehimin adekuat për këto familje, kurse dje e kemi shpallur edhe tenderin për stabilizim dhe më pas konservim të ndërtesës. Nëse çdo gjë shkon në rregull me prokurim muajin tjetër fillojnë punimet.

Paralelisht me të do të nisë konservimi edhe i një ndërtese tjetër në Qendrën Historike, dhe kështu të nisim mbarë dhe konkretisht projektin për rehabilitim të trashëgimisë kulturore në Prishtinë në bashkëpunim me CHwB, QRTK dhe IKMM”, ka shkruar Yll Rugova./ KultPlus.com

“Prishtina turistike po merr formë”

Së shpejti kryeqyteti do të ketë Panelet Turistike për orientim, shkruan KultPlus.

Një gjë të tillë e publikoi sot, drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova, duke treguar se do të jenë gjithsej 13 panele që do të vendosën nëpër pikat kryesore turistike të kryeqytetit.

“Kështu do të duken panelet turistike për orientim në Prishtinë. Në kuadër të këtij pilot projekti do të vendosim fillimisht 13 sosh nëpër pikat kryesore turistike të qytetit, së bashku edhe me tableta tjera informuese shtesë. Ekipi që po mbështetet nga SwssContact, CHwB dhe një ekip për narrativën e qytetit është duke punuar në përpilimin e teksteve. Diku në muajin gusht po shpresojmë se do të jenë gati. Prishtina turistike po merr formë!”, ka shkruar Yll Rugova./ KultPlus.com

Rugova: Prishtina brenda vitit bëhet me Muzeun “Ibrahim Kodra”

Drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova, përmes një njoftimi në profilin e tij në Facebook, ka thënë se Prishtina brenda këtij viti do të bëhet me Muzeun që do të mbajë emrin e artistit të njohur “Ibrahim Kodra”.

“Është kënaqësi që sot në 100 vjetorin e lindjes së mjeshtrit të artit Ibrahim Kodra, mund të jap njoftimin në emër të Komunës së Prishtinës se brenda vitit do ta kemi të gatshëm Muzeun Ibrahim Kodra në Prishtinë”, ka shkruar Rugova.

“Brenda javëve e nënshkruajmë marrëveshjen për nisjen e punimeve të Muzeut Ibrahim Kodra në Prishtinë. Tashmë jemi dakorduar me planin edhe me Fondacionin Kodra në Lugano, për bartjen e koleksionit të tyre në ekspozim permanent në Prishtinë”, ka thënë ai.

Ibrahim Kodra (1918-2006) është ndër piktorët më të njohur shqiptar të viteve 50, 60 dhe 70. Kubist dhe post-kubist që ka ekspozuar edhe me Picasson në Paris.

(Në foto piktura me titull “Konformistët”, vaj në pëlhurë, 50 x 60 cm, 1968).