Daniel Craig për rolin e Bondit: Për çudi, tani ju besoj njerëzve shumë më shumë

Aktori i njohur britanik, Daniel Craig, ka thënë se portretizimi i rolit të agjentit të famshëm James Bond e ka bërë “të ketë besim më të madh” te të tjerët.

Aktori 53-vjeçar e ka luajtur rolin e 007-shit për herën e pestë dhe të fundit në filmin e ri “No Time To Die” dhe ka pranuar se portretizimi i agjentit ikonik për 15 vjet radhazi e ka ndryshuar shumë si person.

Craig ka thënë për revistën “SiriusXM” se ka reflektuar shumë për këtë gjë kohëve të fundit.

“Vërtet mund ta vëresh se sa shumë më ka ndryshuar. Një person duhet të ndryshojë, një person duhet ta ekzaminojë jetën e tjetrit dhe kur punoni e shihni veten në një vend tjetër. Por dikur kam pasur vështirësi shumë me autoritetin”, ka thënë ai. “Tani jam person që gjithmonë shikoj se çfarë ka qosheve. Nuk jam i sigurt, jam tepër dyshues, por tani nuk jam edhe aq shumë. Kam kaluar nëpër tërë këtë proces. Jam shumë më i hapur. Për çudi, ju besoj njerëzve shumë më shumë”.

Ylli i filmit “Knives Out” gjithashtu ka rikujtuar se sa vlerë ka pasur për të këshilla e regjisorit Mike Nichols, me të cilin kishte punuar në “Betrayal”.

“Ai më tha: ‘Daniel, mos puno me budallenj’. Dhe unë e pranova se kishte të drejtë. Sa më shumë që vitet po kalojnë po e kuptoj se ka pasur shumë të drejtë. Mos puno me budallenj. Nëse keni mundësi dhe mund t’iu shmangeni budallenjve, atëherë do të mund ta shfaqni më të mirën para të tjerëve e edhe të tjerët do të mund t’ju përgjigjen njësoj”, ka theksuar ai.

Filmi i fundit që e sjell aktorin Craig në rolin e agjentit i ka arkëtuar gjithsej 56 milionë dollarë në javën e parë të shfaqjes nëpër kinematë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë.

Pas 18 muajsh vonese në lansim, si pasojë e pandemisë, “No Time to Die” ka debutuar në arkat filmike të Amerikës Veriore.

Dhe projekti në të cilin aktori britanik e portretizon për herë të fundit agjentin 007 arriti që t’i fitojë gjithsej 56 milionë dollarë nga shitja e biletave brenda një jave të vetme.

Kështu, “No Time To Die” me lehtësi ka arritur që të pozicionohet në vendin e parë të arkave filmike./ KultPlus.com

Ylli i “James Bond”, Olga Kurylenko ka rezultuar pozitive me koronavirus

Ylli i dikurshëm i filmit “James Bond”, Olga Kurylenko, pas testimit ka rezultuar pozitive me koronavirus. Lajmin e ka bërë të ditur vet aktorja, të dielën mbrëma.

40-vjeçarja e cila e portretizoi rolin e Camille Montes në filmin e vitit 2008, “Quantum of Solace”, tha se është diagnostikuar me koronavirus pasi për një javë i kishte pasur simptomat e kësaj sëmundjeje, si temperatura dhe lodhja e tepërt, transmeton Koha.

Tani, aktorja po ballafaqohet me fazën e izolimit në shtëpi, me ç’rast mbrëmë e ndau një fotografi me fansat e saj në Instagram me mesazhin, “Kujdesuni për veten dhe merreni seriozisht këtë pandemi”.

Ylli i filmit “The Death Of Stalin” e cila ka lindur në Ukrainë por tani e posedon shtetësinë franceze, ka më shumë se një dekadë që jeton në Londër. Besohet se atje është edhe duke e kaluar periudhën e vetizolimit.

“Për ta ulur temperaturën, mjekët kanë thënë të përdorë paracetamol. Dhe kështu jam duke bërë. Natyrisht, po vazhdoj të marrë vitamina për ta rritur imunitetin, si dhe po konsumojë më shumë hudhër. Po ashtu, konsumoj shumë ujë me limon. Kjo është e tëra që mund të bëjë,” citohet të ketë thënë aktorja.

Diagnoza e Kurylenkos vjen disa ditë pasi aktori, Tom Hanks dhe gruaja e tij Rita Wilson, u bënë yjet e parë të Hollywoodit që e pranuan se janë prekur me koronavirusi.

Çifti ishte dërguar në spital në Australi, ku Hanks po e xhironte një film për Elvis Presleyn, me regji të Baz Luhrmannit. Çdo person që ka pasur kontakt me dyshen e famshme gjatë qëndrimit të tyre në Australi, ishte urdhëruar të vetizolohet.

Sipas “The Hollywood Reporter”, Olga Kurylenko së fundmi i ka përfunduar xhirimet e filmit të ardhshëm, “The Bay Of Silence”. Ende nuk dihet nëse edhe dikush tjetër do të detyrohet të vetizolohet si pasojë e rezultimit të saj pozitiv me koronavirus. / KultPlus.com