KultPlus në shtëpinë e çdo lexuesi, në ditët festive me intervista ekskluzive

KultPlus – e para gazetë online shqiptare që i kushtohet raportimit të denjë mbi artin dhe kulturën, edhe këtë fundvit është përkujdesur për lexuesit e saj.

Sukseset e Kosovës ishin të shumta këtë vit nëpër sfera të ndryshme, andaj KultPlus këto suksese do t’i gëzojë edhe njëherë duke sjellur intervista ekskluzive të cilat do të mund t’i lexoni më 31 dhjetor, 1 e 2 janar në ditët e festive të Vitit të Ri 2022.

Arona Zyberi, Zgjim Terziqi, Ferit Zekolli, Memli Kelmendi, Nora Gjakova, Doresa Rexha, Edi Shukriu, Distria Krasniqi, Yllka Gashi, Saranda Bogujevci, Hajrulla Çeku, Kaltrina Krasniqi, Dori Basha e Gzim Gashi vijnë me rrëfime ekskluzive duke sjellur histori shumë interesante nga sirtarët e veprimtarisë së tyre, të gjitha këto intervista mund t’i lexoni në www.kultplus.com, që do të publikohen gjatë ditës së sotme.

Si çdoherë, ju ftojmë të na lexoni por edhe të na shkruani mbi personazhet, tregimet dhe momentet që ju doni t’i shihni në KultPlusin tonë dhe tuajin.

Urime festat! /KultPlus.com

Filmi ‘Zgjoi’ fitues i çmimit Cineuropa në Festivalin e Filmit Mesdhetar në Bruksel

Çmimi i sivjetshëm “Cineuropa” nga Festivali i Filmit Mesdhetar në Bruksel është ndarë në mënyrë “ex-aequo” apo të barabartë për dy filma, konkretisht për “Zgjoi” tëBlerta Bashollit dhe “Murina” të Antoneta Alamat Kusijanovic, shkruan KultPlus.

Hive është një film i parë artistik që tregon historinë e një zonje në një qytet të vogël, e cila përballet me paragjykime dhe pasiguri, ndërsa frymëzon gratë në komunitetin e saj që të marrin kontrollin e fatit të tyre.

Ky çmim jepet për mjeshtërinë me të cilën regjisorja tregon aftësinë e saj në formimin e personazheve dhe punën me aktorët.

Murina arrin të tregojë bindshëm dhunën e përditshme brenda një familjeje të izoluar fizikisht. Kur nuk mund ta krahasoni situatën tuaj me asgjë tjetër, mësoheni me dhunën dhe nuk jeni në gjendje ta ndaloni atë. Është vetëm një pjesë e përditshmërisë suaj. Abuzimi bëhet i dukshëm kur vjen një i huaj dhe ai ofron kontrastin, pasqyrën.

Ky çmim jepet për delikatesën me të cilën trajtohet tema, për interpretimet e aktorëve dhe për tensionin gjithmonë të pranishëm. /KultPlus.com

Yllka Gashi në ditën botërore të personave me aftësi të veçanta: Institucionet duhet të bëjnë më shumë

3 dhjetori shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të veçanta, e për këtë Kuvendi i Kosovës ka shpallur vitin 2022 si vit i dedikuar për këta persona, shkruan KultPlus.

Një postim mbi këtë ditë e ka bërë edhe aktorja e njohur, Yllka Gashi, e cila ka thënë se sot më shumë se kurrë duhet të reflektojmë e të bjmë ndryshime drastike që kjo kategori të përfshihet në të gjitha sferat e shoqërisë sonë.

“Në Kosovë ende ka fëmijë që nuk kanë kushte e mundësi për shkollim gjithëpërfshirës. Kjo është e papranueshme dhe duhet të ndryshojë”, ka shkruar ajo në “Facebook”.

Ajo ndau gjithashtu disa takime që ka pasur në të kualuarën me fëmijët me nevoja të veçanta.

“Si Ambasadore Artiste e Save the Children në Kosovë, kam pasur fatin të takoj fëmijë me nevoja të veçanta dhe jam mahnitur me prindët e tyre, posacërisht me nënat të cilat ua kanë dedikuar jetën dhe bëjnë çdo sakrificë të mundshme që fëmijët e tyre ta kenë jetën më të lehtë e kualitative. Është koha që edhe institucionet përkatëse të bëjnë më shumë për përfshirjen e këtyre qytetarëve në shkollim, vendimmarrje, politikë, kulturë, sport dhe çdo fushë tjetër të jetës”, përfundoi ajo.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë më shumë se një miliardë njerëz ose rreth- rreth 15% e popullsisë së botës – jetojnë me ndonjë formë të kufizimit të aftësive të tyre. /KultPlus.com

May be an image of 1 person, standing and outdoors
May be an image of 2 people, people standing and text that says 'INCLUSIVE EDUCATION HILDREN WITH SPECIAL EDUCATIONAL NEEDS Appreciation Yllka Gashi MY TEACHER ENCOURAGES ME OTHER CHILD. NDILL BECOMEATV PRESENTER! Children'May be an image of 5 people, child and people standing

Yllka Gashi me rrëfime të padëgjuara për filmin Zgjoi: Realizova ëndrrën time të fëmijërisë (VIDEO)

Aktorja dhe ylli i filmit “Zgjoi”, Yllka Gashi, ka dhënë një intervistë virtuale për “CherryPicks” së fundmi, ku ka dhënë detaje të shumta për filmin dhe jetën e saj, shkruan KultPlus.

Gashi fillimisht ndau pjesë nga filmi, ku filloi nga njohja me Fahrijen e deri te realizimi i gjithë filmit.

Fillimi i realizimit të filmit

“Ishte shumë e vështirë, Fahrije është njëra ndër ato njerëzit që është lidere e lindur. Nuk ka një diplomë universitare, por është një vizionare e lindur. Ajo na tregoi se edhe para luftës ishte gjithmonë në kërkim të krijimi të biznesit ose të drejtojë diçka që ka të bëjë me biznesin. E kjo gjë ishte e “ndaluar” për ta bërë në fshatin e saj”, tha ajo.

E pyetur se si ishte takimi i parë me Fahrijen, Gashi deklaroi se nuk e priste që ajo të kishte këtë çiltërsi në fytyrën e saj.

Njohja me gruan e suksesshme, Fahrije Hoti

“Ne të gjithë ishim të magjepsur me të, me dinjtetin e saj dhe personalitetin e saj. Unë nuk e prisja që të takojë një person e cila ka kaq shumë çiltërsi, prisja dikë që është e mërzitur dhe disi e lodhur nga jeta, megjithatë ajo na befasoi neve dhe nuk ishte e vështirë që ta kuptojmë atë dhe të ndjejmë së bashku”, pohoi Yllka.

Në vazhdim, aktorja kosovare tregon se ndjenja e përbashkët me Fahrijen ia mundësoi që ky film të shndërrohej në një mision personal për të dhe të tregohet një histori e fuqishme.

Gratë dhe fuqia e tyre

“Kur gratë mlidhen së bashku, ndodhin magji. Ne punuam shumë që të gjejmë emocionet e duhura dhe të shfaqim te publiku atë që duhet parë, duke filluar nga psikologjia, emocionet dhe gjithë ndjenjat e kaluara. Blerta na bëri gjithçka më të lehtë dhe sigurisht prania e Fahrijes e bëri të mundur realizimin e një filmi të tillë”, shtoi ajo.

Sa i përket një filmi të tillë, 39 vjeçarja kishe ëndërruar që ta bënte që kur ishte një fëmijë i vogël dhe madje me realizimin e “Zgjoi” u realizua edhe ëndrra e saj.

Vështirësitë më të mëdha në film

“Orët e gjata të xhirimeve, moti i përkeqësuar dhe ai i nxehtë ishin sigurisht disa prej momenteve të vështira që i përjetuam në realizimin e këtij filmi, por ajo se çka mësova më së shumti ka të bëjë me atë se Fahrije kishte një ëndërr për ta bërë një biznes nga nevoja, e njësoj e ndjeva edhe unë këtë gjë. E kisha përgjegësi që ta bëjë këtë film, do ta bëjë më të mirën time. Ne qamë, qeshëm e të gjitha këto. Ëndrra ime u bë realitet kur u realizua ky film”, tha fituesja e tre çmimeve në Festivalin “Sundance”.

Bletët dhe gratë – dy gjëra të ndryshme por me vizion të njëjta

“Pjesën me bletë e dashuroj, unë mendoj se gratë janë sikurse bletët, të cilat janë shumë të rëndësishme për jetën tonë. Duhet t’i kushtojmë më shumë rëndësi atyre. Gratë, çfarë të them më shumë, ne jemi të mrekullueshme dhe gjithmonë duhet të kemi mbështetjen e njëra tjetrës. Sikurse në film, me bashkimin e grave, ato krijuan të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre”, përfundoi ylli i filmit “Zgjoi”.

Ndërkaq, ‘Zgjoi’ tashmë është në pritje të publikimit të listës së ngushtë të ‘Oscars’, e ku përfundimisht do të kuptohet nëse ky film do ta përfaqësojë Kosovën në akademinë e çmimeve më të njohur në gjithë botën.

Intervistën e plotë në “Cherry Picks” mund ta shikoni më poshtë. /KultPlus.com

Linja e Kritikëve Ndërkombëtarë: ‘Zgjoi’ shpresëdhënës për Oscar të Kosovës

Gazeta e njohur amerikane, Deadline, e cila merret kryesisht me lajmet e New Yorkut ka bërë një analizë mbi filmin shumë të suksesshëm të kinematografisë së Kosovës “Zgjoi”, shkruan KultPlus.

Deadline vendos që përmes përshkrimit të filmit, të jap edhe komente e kritika mbi atë se çfarë ka krijuar Blerta Basholli së bashku me gjithë ekipin e “Zgjoit”.

Regjisorja Blerta Basholli dhe kineatori Alex Bloom zgjodhën të xhironin Hive sikur të ishte një dokumentar për jetën e fshatit. Nuk ka skena madhështore dhune, nuk ka rikthime të betejës, nuk ka zjarre. Dhurata e veçantë e Bashollit është të përcjellë rraskapitjen e plotë të trishtimit. Këto gra e pranojnë fatkeqësinë si fatin e tyre; çdo gjë tjetër thjesht kërkon shumë energji. Kur dikush — me sa duket burrat që i pështyjnë nga kafeneja, ose ndoshta gratë që kundërshtojnë sipërmarrjen që i quajnë “bushtra” — hyn brenda natës në bodrumin e Fahrijes për të thyer kavanozat e ajvarit të vendosur me kujdes, gratë thjesht psherëtin dhe marrin fshesat e tyre. Përveç Fahrijes, e cila largohet nga xhami i thyer me një pamje të nervozuar në fytyrë. Ajo nuk do të humbasë tërë vetëm e saj, por nuk do ta durojë as këtë.

Pjesa më e madhe e forcës morale të tregimit varet nga Yllka Gashi, e cila ishte e shkëlqyer, një prani e një force kaq të ndaluar saqë kur tiparet e saj zbuten qoftë edhe për një moment – duke i hedhur një sy djalit të saj në rritje ndërsa ai bën dush, ose duke parë diellin që perëndon mbi malet – jemi të “egra”. Fahrija nuk është një personazh i dashur, por ne jemi në anën e saj. Shikojeni atë teksa shpërthen bën mjalt në turmën e bletëve, lan vjehrrin e saj, shërben çaj, lufton me një përdhunues dhe bind një bandë fqinjësh të saj që nuk e pëlqejnë shumë të ngrihen për veten e tyre; ajo është edhe një objekt i palëvizshëm edhe një forcë e pandalshme.

Pikërisht në fund shohim gratë e vërteta të Krushës të ulura në rreth, duke qëruar specat. Ka një pamje të afërt të një palë duarsh të veshura nga puna dhe më pas, shumë shkurt, një kornizë e ngrirë mbi Fahrijen e vërtetë. Kjo është ajo. Një grua e bukur, por Zoti e di se ajo fytyrë ka parë shumë jetë të tmerrshme, ishte përshkrimi shumë i gjatë që Deadline i bëri filmat dhe vlerësoi se “Zgjoi” është shprësëdhënës që Kosova të arrijë të fitojë një Oscar. /KultPlus.com

Yllka Gashi: Nuk kam guxuar të ëndërroj se gjashtë vjet më vonë, ky qytet do të më nderojë me mirënjohje për punën në ‘Zgjoi’

Aktorja Yllka Gashi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se qyteti i Stamfordit në Konektikat e ka nderuar atë me një mirënjohje nga kryetari i komunës për punën në filmin “Zgjoi”, një ​​film kosovar i nominuar për Oscar, përcjell KultPlus.

“Kjo mirënjohje është edhe më e veçantë sepse m’u dha dje teksa po festonim festën e Pavarësisë/Flamurit Shqiptar”, ka shkruar Gashi.

KultPlus ju sjell njoftimin e saj të plotë:

Në vitin 2015 kur unë dhe familja ime erdhëm për të jetuar në Amerikë, qyteti i Stamfordit në Connecticut, u bë shtëpia jonë larg shtëpisë!

Së bashku me vajzën time, ecja çdo ditë në rrugët e qendrës së qytetit – Mill River Park, Biblioteka Ferguson dhe këndi i lojërave Cove Beach – ishin ndër destinacionet tona të preferuara. Çdo ditë duke shëtitur lagjet dhe duke mësuar gjëra të reja dhe ndërsa më mungonte familja dhe vendlindja ime, Stamford arriti të më sillte gëzim dhe siguri në jetë. Edhe pse ne tashmë jetojmë në një tjetër qytet,Stamfordi ende mbetet një shtëpi e dytë për ne!

As në një milion vjet atëherë,nuk kam guxuar të ëndërroj se gjashtë vjet më vonë, në vitin 2021, ky qytet do të më nderojë me mirënjohjen e kryetarit të komunës për punën në “Hive” – ​​kandidatin e Kosovës për Oscar 2022 dhe dashtë Zoti të nominuarin.

Jam thellësisht e nderuar dhe mirënjohëse!

Kjo mirënjohje është edhe më e veçantë sepse m’u dha dje teksa po festonim festën e Pavarësisë/Flamurit Shqiptar.

Në këtë ceremoni vjetore të organizuar nga Qendra Rinore Shqiptare në Greenwich dhe z. Richard Llukaj – biznesmen, filantrop dhe patriot i suksesshëm shqiptaro-amerikan – ndër të ftuarit specialë që na nderuan me praninë e tyre ishin edhe kryetari aktual i Stamfordit z. David Martin.

Kryetarja e sapozgjedhur e bashkisë znj. Caroline Simmons,

z. Jim Himes – Përfaqësuesi i SHBA (D-CT 4th District) dhe

z. Ferit Hoxha – Ambasador i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në New York City.

Faleminderit të gjithëve për punën tuaj të palodhur, përfshirjen dhe vlerësimin e komunitetit shqiptar në SHBA!

Faleminderit Stamford!

Do ta kesh një vend të veçantë në zemrën time përgjithmonë! / KultPlus.com

Fahrije Hoti – model i një gruaje të suksesshme

Organizata jo-qeveritare She Inspires Me, e cila merret me promovimin e punëve të grave nëpër botë, ka organizuar natën e filmit bashkë me gra të suksesshme nga komuniteti i biznesit të sektorit publik dhe atij privat, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyratre “Facebook”, She Inspires Me ka bërë të ditur se kanë shikuar filmin e “Zgjoit”, si një përzgjedhje e dedikuar për historinë dhe rrugëtimin e Fahrije Hotit drejt përballjes me një mentalitet tradicional.

Gjithashtu, aty u treguan edhe sfidat që rrodhën nga menaxhimi i një biznesi, duke synuar mbijetesën dhe përfshirjen e grave të Krushës së Madhe.

“Kjo ngjarje me karakter artistik”, e përshkruan She Inspires Me filmin, duke uruar regjisoren Blerta Bashollin dhe protagonisten Yllka Gashi.

“Zgjoi” po vazhdon të shfaqet nëpër kinema të Kosovës, derisa ka shënuar një rekord prej 20 mijë shitjeve në Cineplex Kosova. /KultPlus.com

Aktorja Yllka Gashi, presidente e jurisë në ‘Art Without Limit International Film Festival 2021

Protagonistja kryesore e filmit “Zgjoi”, Yllka Gashi, do të jetë pjesë e jurisë në edicionin e dytë të Festivalit të Filmit, “Art Without Limit International Film Festival”, shkruan KultPlus.

Në këtë festival, i cili do të zgjasë nga data 1 deri në 3 dhjetor, Gashi do të jetë presidente e jurisë.

AWLIFF është i vetmi Festival në Ballkan ku të gjithë filmat të cilët janë në program për tu shfaqur, kanë si temë personat me aftësi të kufizuar.

Festivali është organizuar nga një grup i grave Artiste dhe NGO “Art Ëithout Limit” me drejtoreshë ekzekutive Ganimete Sava, ndërsa drejtor Artistik është regjisori; Burim Haliti, dhe drejtor i programit; Michael Stoeger.


Shumë filma nga 80 vende të Botës kanë aplikuar për të qenë pjesë e programit të festivalit, selektorët e festivalit kanë përzgjedhur 50 nga ta për tu shfaqur në edicionin e dytë në konkurrencë zyrtare.

Hapja zyrtare e këtij festivali do të bëhet më 1 dhejtor me fillim nga ora 18:00 në Kino Armata në Prishtinë me premierën vendore të dokumentarit të shkurtër “Light Sparks”.

Në anën tjetër, gjatë ditës së dytë do të shfaqen filmat konkurrues në Kino Armata në Prishtinë, ndërsa me datën 3 dhjetor në orën 18:00 do të bëhet ceremonia e ndarjes së çmimeve në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Në këtë edicion, festivali do të përbëhet nga 3 juri të ndryshme, ku në të parën bëjnë pjesë juria kryesore, në të dytën juria e mediave dhe juria e organizatave të aftësisë së kufizuar në Kosovë.

Juria kryesore e festivalit është e përbrë nga Yllka Gashi, Cristiano Palozzi, Agron Domi, Donna Russo, Rolf Killius dhe Lou Fugeroa.

Secila juri do të bëjë ndarjen e çmimeve të ndryshme, që kanë të bëjnë me 50 filmat e përzgjedhur.

Data 3 Dhjetor po ashtu shenohet si ditë Ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuar. /KultPlus.com

“Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit, shpërblehet me çmimin ‘Fischer’ të publikut në Festivalin e Selanikut

Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit, shpërblehet me çmimin ‘Fischer’ të publikut në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Selanik, shkruan KultPlus.

Filmi “Zgjoi” ndërkaq sjell historinë e vërtetë të Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Por heroina e filmit shpërfill fyerjet, thashethemet por edhe sulmet fizike me qëllim që të ngris lart të drejtën dhe shembulltyrën e grave për të qenë të pavarura.

Ky film me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, me Yllka Gashin në rolin kryesor, konsiderohet si filmi më i sukseshëm i kinematografisë shqiptare deri sot, fitues i trefishtë në Sundance 2021 dhe fitues i shumë çmimeve të tjera ndërkombëtare.

“Zgjoi“ është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj. / KultPlus.com

Dua Lipa: Uroj që filmi “Zgjoi” të merr çmimin Oscar (VIDEO)

Këngëtarja e famshme Dua Lipa e cila mbrëmjen e fundit e kaloi duke parë filmin artistik të metrazhit të gjatë “Zgjoi”, për ndjekësit e saj ka ndarë emocionet për këtë film.

Ajo në profilin e saj në instagram ka treguar për këtë film me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, e cila e vlerëson si një histori të bukur, prekëse dhe frymëzuese, histori kjo e Fahrije Hotit, e cila është realizuar në film.

https://www.instagram.com/p/CWGIN3WMDF9/?fbclid=IwAR0rR3vcJyrl0PPGSTiLsZqbTxXcdODGOpoK8Pk1aGYCXYhpbrYYHyJV6rQ

“Këtë histori lufte dhe këmbëngulëse duhet treguar”, ka shkruar Dua Lipa, duke shtuar se ky film tregon për përvojën kosovare.  

“Jam shumë krenare për atë që ka arrit Blerta Basholli”, ka shkruar Dua Lipa, duke uruar në fund që ky film të shpërblehet edhe me Oscar./ KultPlus.com

Dikur ishin refugjate, tashmë gra të fuqishme

Fotografia e sotme ku shihen bashkë katër gra shumë të suksesshme të Kosovës, presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, këngëtarja botërore Dua Lipa, regjisorja Blerta Basholli dhe aktorja shumë e suksesshme Yllka Gashi po shënojnë suksesin e filmit artistik të metrazhit të gjatë “Zgjoi”, që po shfaqet në këto momente në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filmi “Zgjoi” po i shpërfaqë botës vuajtjet e popullit të Kosovës, të cilët përjetuan tmerrin nga ushtria dhe paramilitarët serb, e si pasojë, përpos vrasjeve të shumta, përdhunimeve dhe mijërave të zhdukur, një përqindje e lartë e popullsisë ishte detyruar të lëshojë edhe vendin, duke kërkuar strehim në të katër anët e botës.

Dhe pikërisht nga kjo foto e suksesit, ku shihen katër gra të suksesshme në profile të ndryshme, që të katërtat kanë përjetuar në lëkurën e tyre ndjesinë e refugjatit. Përpos Dua Lipës, e cila prindërit i kishte emigrantë në Angli, por që këtë histori e ka shumë të afërt nga rrëfimet e prindërve të saj, tri gratë tjera e kanë përjetuar në vetën e parë.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani gjatë luftës në Kosovë, ishte refugjate në Mal të Zi, Yllka Gashi në Maqedoni, kurse Blerta Basholli në Gjermani.

Ndërkohë, presidentja Osmani, përpos që ka marr pjesë në premierën e filmit “Zgjoi” në Amerikë, do të shoqërojë edhe Dua Lipën në ceremoninë e Këshillit Atlantik, ku Dua Lipa do të nderohet me çmim ndërkombëtar, kurse presidentja Osmani do të paraqitet me një fjalim./ KultPlus.com

Gratë e fuqishme të Kosovës takohen në Washington DC

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani po qëndron ë SHBA, dhe gjatë kësaj vizite ka realizuar edhe një takim me skenaristen dhe regjisoren e filmit “Zgjoi”, Blerta Bashollin, film që është duke u shfaqë në Amerikë, shkruan KultPlus.

Ky film ka bërë bashkë një numër të madh të grave të Kosovës, të cilat janë të suksesshme në fusha të ndryshme. Në një fotografi shihen bashkë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, këngëtarja e suksesshme botërore Dua Lipa, Blerta Basholli e cila po shënon një sukses të jashtëzakonshëm me filmin “Zgjoi”, dhe Yllka Gashi, figura kryesore e këtij filmi, e cila për rolin e saj tashmë ka marrë disa çmime të mëdha ndërkombëtare.

Të katër gratë duken mjaftë elegante, të cilat edhe kanë zgjedhur të vishen me ngjyrë të zezë./ KultPlus.com

Yllka Gashi edhe me një çmim të madh, aktorja më e mirë në Scottsdale të Arizonës

Yllka Gashi, ylli i kinematografisë shqiptare, merr edhe një çmim tjetër ndërkombëtar

Aktorja nga Kosova, Yllka Gashi, ka marrë bujë të madhe përmes filmit “Zgjoi” më portretizimin e Fahrije Hotit, shkruan KultPlus

Gashi ka marrë çmimin si aktorja më e mirë në rol kryesor në edicionin e sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Scottsdale të Arizonës.

Ky është çmimi i tretë i Gashit, derisa para disa ditëve kishte fituar çmimin e aktores më të mirë në Festivalin Spanjoll “Seminci”.

Së fundmi, kinemaja “Cinneplex” ka njoftuar se filmi “Zgjoi” është duke thyer rekorde në shikueshmëri, me mbi 10 mijë bileta të shitura.

Filmi që ka për bazë historinë e Fahrije Hotit, gruas që ngriti biznesin e ajvarit në Krushë të Madhe, tashmë ka marë shumë shpërblime edhe në nivel ndërkombëtar, sikurse që është duke u shfaqë në rrjete të kinemasë, poashtu në nivel ndërkombëtar.

Filmi është propozuar nga Kosova edhe për çmimin prestigjioz Oscar. Rolin e Fahrije Hotit e luan aktorja Yllka Gashi, e cila së fundi edhe u shpërblye për rolin më të mirë në Festivalin e Filmit në Spanjë. /KultPlus.com

10 mijë bileta të shitura në Cineplexx Kosova për filmi “Zgjoi”, rekord i shikueshmërisë

Filmi “Zgjoi” me skenar dhe regji të Blerta Bashollit është duke zgjuar interesim të jashtëzakonshëm te audienca e Kosovës, shkruan KultPlus.

Filmi tash e disa javë është duke u paraqitur në shumë terminë brenda Cineplexx Kosova, ku për këtë periudhë janë shitur 10 mijë bileta, kanë njoftuar nga kinemaja më e madhe në vend.

Filmi që ka për bazë historinë e Fahrije Hotit, gruas që ngriti biznesin e ajvarit në Krushë të Madhe, tashmë ka marë shumë shpërblime edhe në nivel ndërkombëtar, sikurse që është duke u shfaqë në rrjete të kinemasë, poashtu në nivel ndërkombëtar.

Filmi është propozuar nga Kosova edhe për çmimin prestigjioz Oscar. Rolin e Fahrije Hotit e luan aktorja Yllka Gashi, e cila së fundi edhe u shpërblye për rolin më të mirë në Festivalin e Filmit në Spanjë./ KultPlus.com

Për shkak të interesimit të lartë, shtohen oraret për filmin vendor “Zgjoi” në Cineplexx

Që nga fillimi i shfaqjes së filmit vendor “Zgjoi” interesimi ka qenë jashtëzakonisht i lartë. Kjo është arsyeja pse kinemaja më e madhe në vend, Cineplexx, tashmë ka vendosur që ti jap më shumë orare shfaqjeje këtij filmi, duke i rritur numrin në 9 termine ditore.

Filmi ka qenë duke u shfaqur në 6 orare çdo ditë, në të dy kinematë, ndërsa nga dita e sotme, 5 nëntor, filmi do të shfaqet në 9 orare në Prishtinë dhe në 7 orare në kinemanë në Prizren.

Filmi “Zgjoi”, një nga filmat më të sukseshëm vendor të shfaqur në Cineplexx deri tani, që dalëngadalë po i afrohet thyerjes së rekordit për filma vendor, ka arritur që të mbushë sallat plot në çdo shfaqje të saj që nga premiera e më 28 tetor.

Filmi pëcjellë Fahrijen e cila është në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë. Ajo fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetësën e familjes së saj në një ambient tradicional patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin e saj për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me veten për të jetuar në një situatë të re për të.

Oraret për ta shikuar filmin “Zgjoi” mund ti gjeni duke klikuar këtu.

https://www.cineplexx-ks.eu/movie/Zgjoi/

Për pesë ditë, 5200 bileta të shitura, filmi “Zgjoi” me rekord të shikueshmërisë

Filmi “Zgjoi” me skenar dhe regji të Blerta Bashollit është duke zgjuar interesim të jashtëzakonshëm te audienca e Kosovës, shkruan KultPlus.

Këto ditë është duke u shfaqë në Cineplexx, dhe përgjegjësit e kësaj kinemaje kanë njoftuar se vetëm për pesë ditë, filmi “Zgjoi” është parë nga 5200 persona.

“Filmi Zgjoi është në rrugë për t’i thyer të gjitha rekordet e shikueshmërisë për filma vendorë 😍

5200 bileta të shitura për vetëm 5 ditë! 🔥😱

Përmendi personat që duhet ta shohin këtë super-film”, është thënë në njoftimin e Cineplexx Kosova.

Filmi që ka për bazë historinë e Fahrije Hotit, gruas që ngriti biznesin e ajvarit në Krushë të Madhe, tashmë ka marë shumë shpërblime edhe në nivel ndërkombëtar, sikurse që është duke u shfaqë në rrjete të kinemasë, poashtu në nivel ndërkombëtar.

Filmi është propozuar nga Kosova edhe për çmimin prestigjioz Oscar. Rolin e Fahrije Hotit e luan aktorja Yllka Gashi, e cila së fundi edhe u shpërblye për rolin më të mirë në Festivalin e Filmit në Spanjë./ KultPlus.com

MKRS: Në kinematografinë kosovare po shkruhet histori e re

Filmi ‘Zgjoi’ nga regjisorja, Blerta Basholli, ka fituar dy çmime kryesore në edicionin e 66-të të “Valladolid International Film Festival” në Spanjë.

Për këtë sukses të filmit ‘Zgjoi’ ka reaguar edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila e ka konsideruar një histori në kinematografisë kosovare.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të MKRS-së:

“Zgjoi” fiton dy çmime të reja, kësaj radhe në Spanjë

Në kinematografinë kosovare po shkruhet histori e re.

Filmi “Zgjoi” nga Blerta Basholli mori dy çmimet kryesore në edicionin e 66-të të “Valladolid International Film Festival” në Spanjë.

Yllka Gashi është zgjedhur aktorja më e mirë ndërsa “Zgjoi” ka fituar çmimin “Fundos”.

Filmi që tregon historinë e vërtetë të grave të Krushës të cilat refuzojnë t’i dorëzohen tragjedisë së luftës, por marrin në dorë fatin e jetës së tyre dhe me punën e tyre krijojnë një jetë të re për veten dhe familjet, tashmë po i prezentohet gjithë botës.

Storja e tyre po tregohet nga dy gra që po na bëjnë krenarë të gjithëve. Regjisorja Blerta Basholli dhe Yllka Gashi që po inspirojnë shoqërinë tonë me punën e tyre.

Shumë urime dhe suksese tutje!/KultPlus.com

Yllka Gashi kërkon nga Spanja ta njohë Kosovën shtet

Yllka Gashi, aktorja më e mirë në Javën e 66-të të Filmit Ndërkombëtar të Valladolidit (Seminci) për rolin e saj kryesor në filmin “Zgjoi”, me regji të Blerta Bashollit, ka shprehur dëshirën e saj që Spanja ta njohë Kosovën si shtet.

“Do ta përdor zërin tim sonte për të shprehur një ëndërr që unë si artiste kosovare dhe i gjithë populli im e kam: që vendet tona të bukura, Spanja dhe Kosova, së shpejti të krijojnë lidhje diplomatike që Spanja ta njohë Kosovën”, tha Gashi, duke shtuar se të dyja vendet ndajnë më shumë të përbashkëta sesa ato që i ndajnë.

Ajo këto komente i bëri gjatë gala përmbyllëse të festivalit, pasi kujtoi se artistët janë “ambasadorët dhe përfaqësuesit më të mirë të vendeve të tyre” dhe se kanë në dorë “një mjet të veçantë” që mund ta përdorin për të “luftuar për ndryshim dhe ndryshim dhe ngre zërin”, transmetojnë mediat spanjolle./KultPlus.com

Yllka Gashi flet pas pranimit të çmimit në Spanjë: Ka qenë nderi i jetës sime të luaj këtë rol dhe të nderoj Fahrijen

Aktorja Yllka Gashi ka marrë çmimin për aktoren me të mirë, për portretizimin e Fahrije Hotit në Festivalin spanjoll “Seminci”.

Gashi ka deklaruar se ka qenë një nder i jetës të luajë rolin e Fahrije Hotit gjatë pranimit të çmimit.

“Është një histori e veçantë, specifike, e që ndodh në Kosovë, por është gjithashtu një histori universale që frymëzon këdo në botë. Sepse tregon historinë e dikujt që vuan por që i duhet të kalojë këtë situatë e të arrijë qëllimet e veta. Është një histori e vërtetë dhe më pëlqen që në filma mund të shohësh edhe gra të forta, jo vetëm viktima. Pra të shohësh gra që janë të afta të marrin në dorë fatin e tyre. Ka qenë nderi i jetës sime të luaj këtë rol dhe të nderoj Fahrijen”, ka thënë Gashi./KultPlus.com

Yllka Gashi, aktorja më e mirë në Festivalin e Filmit në Valladolid

Yllka Gashi është shpallur fituese e çmimit për aktoren më të mirë, në Festivalin e Filmit në Valladolid, përcjell KultPlus.

Gashi ka fituar këtë çmim për rolin e saj në filmin “Zgjoi”, film ky i realizuar nën regjinë e Blerta Bashollit.

Ndërkaq, lajmi u bë i ditur nga aktorja Adriana Matoshi, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, e cila së bashku me njoftimin për çmimin e fituar, kishte shkruar:

Një çmim i meritum për Yllka Gashi në një festival të madh.
Aktorja më e mirë e Festivalit International ‘Seminci’, Yllka me rolin e saj i tregoj botës, historinë e trishtë të zonjës Fahrije Hoti.
Urime Yllka e ky është vetëm një fillim për sukseset e tua në vazhdim.
/ KultPlus.com

‘Zgjoi’ potencial për nomimin në Oscars, Basholli: Kemi shanca të mira drejt Oscarit për shkak të ‘Sundance’

Xhemile Hysenaj

Historia e një gruaje të fuqishme që duke i bërë ballë dhimbjes, paragjykimeve e mentalitetit të ulët patriarkal, ia doli të ngritet e të bëhet ndër figurat më inspiruese të qytetit të saj dhe jo vetëm. Bëhet fjalë për historinë e Fahrije Hotit, e cila tash e sa kohë ka zënë vend në skenat më prestigjioze botërore përmes filmit ”Zgjoi” të regjisores Blerta Basholli, i cili kësaj radhe për publikun kosovarë do të vijë në ambientet e Cineplexx, shkruan KultPlus.

Sot, në një konferencë për media ku të pranishëm ishin regjisorja Blerta Basholli, aktorja Yllka Gashi si dhe producentët Yll Uka dhe Valon Bajgora, u shtjellua më detajisht rreth rrugëtimit të filmit si dhe pritshëmrive të tyre për nominimin e ”Zgjoi-t” në Oscars.

Ishte Yllka Gashi ajo e cila portretizoi figurën e Fahrije Hotit, duke e jetësuar edhe një herë historinë e kësaj zonje historia e të cilës shkeli edhe botën. Gashi theksoi se një rol i tillë nuk ka qenë aspak i lehtë dhe se vështirësi të shumta kanë ardhur me këtë rol. ”Ka qenë e vështirë si çdo projekt tjetër që është i vështirë kur e merr me seriozitet, por fatmirësisht unë kam qenë e involvuar në këtë projekt që nga viti 2011 kur Blerta e ka pasur idenë për këtë projekt dhe kam jetu një kohë të gjatë me dëshirën me lu zonjën Fahrije, mandej kur e kemi fillu punën konkrete me prova e me biseda të gjata e shumë intime me Blertën në lidhje me qysh dojmë me ndërtu këtë personazh edhe qysh dojmë dhimbjen e saj me pasqyru në film, ka qenë pak e lodhshme emocionalisht me e mbajtë gjithmonë ndjenjën e dhimbjes e ndjenën e pasigurisë që e ka me burrin e pagjetur, megjithatë me një regjisore të mirë si Blerta e me udhëzimet që m’i ka dhënë besoj që kemi arritë me ba një punë të mirë”, është shprehur tutje Gashi.

Gashi, po ashtu ka treguar se zonjën Fahrije e konsideron të jetë një udhërrëfyese e të gjitha grave të Krushës dhe se kjo e fundit e ka inspiruar edhe atë edhe ekipin e filmit. ”Mesazhi i këtij filmi shkon në atë se sado jeta të jetë e vështirë, gjithmonë mundesh me triumfu dhe se ia vlen me luftu për me mbërri një të ardhme më të mirë”, deklaroi Gashi.

Filmi ”Zgjoi” bëri bujë të madhe kur u shpall fitues i tre çmimeve kryesore në Festivalin prestigjioz të filmit, ”Sundance”’. Ky film artistik nga një vend i vogël si Kosova fitoi çmimin për Filmin më të mirë, për regjinë më të mirë si dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA.

Basholli theksoi se nuk ka qenë shumë optimiste për këtë festival duke pasë parasysh se ka pasur konkurencë nga e gjithë bota, mirëpo siç thekson tutje regjisorja, pranimi në këtë festival ka qenë ëndrra e saj më e madhe. Ndërkaq, sa i përket nominimit potencial për Oscar, Basholli pohon të jetë një garë tejet e madhe dhe e vështirë dhe se për t’u arritur një nominim i tillë duhet një kampanjë shumë e madhe për filmin.

”Po konkurojmë me shtete e regjisor që kanë marrë Oscar disa herë, ata kanë buxhete shumë më të mëdha se na, ekipe më të mëdha se na. Mirëpo, pas Sundance e kemi formuar një ekip shumë të mirë në Amerikë dhe jemi duke punuar sikur nominimi të ishte i garantuar dhe mendoj se kemi shanca shumë të mira drejt Oscarit pikërisht për shkak të Sundance”, theksoi tutje Basholli.

Ndër të tjera ajo ka treguar se ”Zgjoi” tashmë ka fituar 12-të çmime nëpër botë dhe se bota po e njeh dhe përmend këtë film. Ndërsa sa i përket asaj se çfarë Basholli tenton të arrijë përmes këtij filmi, ajo ka potencuar se shpreson që ky film të ngritë diskutim rreth çështjes gjinore e patriarkale. ”Nuk jam pesimiste por jam shumë realiste dhe e di se në nëntor e kemi një garë shumë të vështirë para vetes dhe na pret shumë punë. Shpresoj që filmi të ngritë edhe një diskutim rreth çështjeve gjinore, rreth patriarkatit dhe e di që vetëm një film nuk mjafton mirëpo edhe Fahrija kur ka fillu me biznesin e saj, edhe ajo ka mendu që nuk ka bë shumë por ka bë më shumë se shumë, ka bë më shumë se një kampanjë e vetëdijësimit”, deklaroi Basholli.

”Kampanjën e kemi filluar një muaj më herët, kampanjës ka me i parapri edhe shfaqja e filmit në kinema, që së pari do të shfaqet në New York më 5 nëntor të këtij viti e pastaj edhe në LA e më pas edhe në 15-të shtete tjera të Amerikës”, tregon producenti Yll Uka. Ai po ashtu ka shtuar se janë duke punuar edhe për promovim të filmit për “Oscars”, EFA”, “BAFTA” e çmime të tjera të rëndësishme në kinematografi.

Për sa i përket financimit të rrugëtimit të ”Zgjoi-t” në Oscars, Uka ka treguar se janë në bisedime me MKRS-në dhe këta të fundit janë duke u konsulltuar edhe me institucione tjera që jo vetëm kësaj radhe por njëherë e përgjithmonë të rregullohet buxheti i promovimit të filmave nga Kosova, jo vetëm për Oscars por edhe për festivale tjera. Ndërkaq Uka tregoi se në kampanjën e ”Zgjoi-t” në Amerikë është duke punuar një ekip tejet profesional, ku ndër të tjera veçoi njërin nga publicistët i cili kishte punuar në kampanjën e filmit të famshëm ”Parasite”.

Regjisorja Basholli për herë të parë bëri të ditur se njëherit është duke punuar edhe në një film që shpalosë jetën e saj personale. Ajo bëri të ditur se ngjarja do të zë vend në Prishtinën e viteve të 90-ta deri në fillimin e luftës së fundit në Kosovë ku protagoniste kryesore do të jetë një vajzë adoloshente. Mirëpo, për sa i përket rrugëtimit të mëtutjeshëm të këtij filmi regjisorja nuk ka treguar diçka më konkrete, përpos se ka pohuar që Kosova ka shumë ngjarje që vlen të tregohen para botës. ”Tash është koha që kinematografia t’i tregojë storjet tona”, ka theksuar Basholli.

Filmi do të filloj shfaqjen për publikun në Kosovë me datën 28 tetor, në Cineplexx Prishtinë dhe Prizren. E producenti Valon Bajgora ka treguar se përveç në “Cineplexx” – e nga 29 tetori edhe në “Cinemarine” në Prizren – “Zgjoi” do të shfaqet dhe në Maqedoni e Shqipëri.

”Zgjoi” përcjell Fahrijen e cila është në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë. Ajo fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetësën e familjes së saj në një ambient tradicional patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin e saj për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me veten për të jetuar në një situatë të re për të.

“Zgjoi” ka për producent Yll Ukën, Valon Bajgorën dhe Agon Ukën; ndërsa në rolin kryesor luan Yllka Gashi, dhe në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj; “Zgjoi“ është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe me drejta të shitjes globale nga LevelK.

Për premierën e këtij filmi, Cineplexx me datën 28 tetor, në të dy kinematë, në Prishtinë dhe Prizren, do të organizojë eventin Ladies Night, pra, nga kjo ditë e tutje do të jetë i qasshëm për publikun Kosovar. Oraret për filmin Zgjoi do të bëhen publik së shpejti. / KultPlus.com

“Zgjoi” do të shfaqet edhe në Australi

Filmi “Zgjoi” i regjisores kosovare, Blerta Basholli, është dhënë premierë tashmë në shumë vende të botës. Në nëntor edhe Komuniteti Shqiptar në Australi do të ketë mundësinë të ndjek filmin e shumë vlerësuar “Zgjoi”.

Filmi “Zgjoi” (Hive) do shfaqet në Sydney nga data 5 Nëntor, biletat janë në shitje dhe mund të gjenden në www.sff.org.au

Filmi Zgjoi ka fituar tri nga çmimet më të rëndësishme të festivalit më të madh të pavarur të filmit, “Sundance”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe shumë çmime në Festivale të tjera të filmit.

Regjisorja Blerta Basholli rrëfen se frymëzimi i saj për filmin ishte jeta e zonjës Fahrije Hoti, e cila portretizon një histori të zakonshme, mirëpo shumë të gjallë dhe të fortë./ diaspora shqiptare/KultPlus.com

‘Zgjoi’ nga Blerta Basholli hap Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë

Duke filluar nga dita e nesërme, Festivali i Filmit Ndërkombëtar në Tiranë fillon me edicionin e vet të 19-të, një Festival ky kualifikues për Akademinë Oscars, përcjell KultPlus.

Lajmi u bë i ditur në faqen zyrtare të Festivalit, ku ndër të tjera u bë e ditur se duke filluar nga nesër, 24 shtator, Festivali do të zgjasë deri më 30 shtator.

”Ky edicion çelet premierën kombëtare të filmit “Zgjoi” nga Blerta Basholli, fitues i tre çmimeve kryesore në Sundance Film Festival 2021 dhe mbyllet me premierën kombëtare të filmit “Në Kërkim të Venerës” nga Norika Sefa, i cili ka fituar çmim në Rotterdam International Film Festival (2021) dhe në Sarajevo Film Festival (2021)”, shkruhet në njoftim.
Ky festival është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Për më shumë informata në lidhje m Festivalin, klikoni linkun më poshtë. / KultPlus.com

Program 2021 – TIFF (tiranafilmfest.com)

‘Zgjoi’ hap ‘PriFest’, Basholli: Ne po qajmë sonte, Fahrija e familjet e personave të pagjetur qajnë çdo ditë

Era Berisha

Frymëzuar nga një histori e vërtetë, filmi “Zgjoi” mbrëmë para publikut kosovar në edicionin e 13 të PriFest, shpalosi të vërtetën e personazhit kryesor, Fahrije Hoti, tek e cila nën aktrimin mahnitës të aktores Yllka Gashi, qysh në minutat e parë të filmit, ambicia për tu përballuar me një realitet patriarkal ku puna e grave nuk mund të kalojë përtej dyerve të shtëpisë, vërehet në sytë e saj në të cilat po të përhumbeshe thellë, atëherë do të ndjeje dhimbjen e madhe për zhdukjen e burrit të saj në luftën në Kosovë, shkruan KultPlus.

Pak para se ora të shënonte 21:00, ishte pamja para Teatrit Kombëtar të Kosovës, ajo që kapte vëmendjen e çdo kujt që kalonte pranë. Sytë e moshave nga më të ndryshmet po vëzhgonin tapetin e kuq të shtruar e në të cilën reflektoheshin dritat e kaltërta e vjollcë që njëkohësisht portretizonin ngjyrat e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest’. E nën meloditë e këngëve të bendit ‘Sytë’, artdashës të shumtë po kaplonin vendin ngadalë për të mbushur komplet secilën hapësirë të shkallëve të Teatrit, një nga tre vendet në të cilat u shfaq premiera e filmit ‘Zgjoi’ i regjisores Blerta Basholli.

Tashmë kishte ardhur koha që filmi të jetësohej në Prishtinë, e nën dritën e hënës dhe errësirës që rrethonte të pranishmit, nisi filmi në ajër të hapur.

I vendosur në fshatin e vogël kosovar të Krushës së Madhe, personazhi i Fahrije Hotit i mbushur deri në pikën e fundit me shpresë të pakrahasueshme, po jeton vërtet në një gjendje të paqartë e të mbushur me përplot dilema, një nga to mbetet edhe supozimi se burri i saj i zhdukur është mbytur apo pushkatuar. Teksa, Fahrija jeton me vjehrrin e saj i cili po ashtu shpreson se djali i tij një ditë do të kthehet, ajo përballet çdo ditë me dhimbjen e luftës civile jugosllave por të cilën nuk e shfaq para askujt deri në një moment ku ajo shpërthen dhe qan duke pranuar tashmë se ëndrra e saj në fakt është një ëndërr e pamundur.

Ndonëse, ëndrra e saj që burri një ditë do të kthehet nuk ka një rezultat në realitet, ëndrrat e tjera të saj që të ndihmonte akoma më shumë familjen e saj vetëm sa vinin e fuqizoheshin nga momenti në moment. Derisa biznesi i vogël i mjaltit të familjes së saj mezi arrinte të mbulonte disa fatura, ajo papritmas mendon të filloj të shesë ajvar shtëpiak, një ushqim me të cilin të gjithë banorët e fshatit ishin të njohur.

Regjisorja Blerta Basholli, solli para publikut një vështrim të qartë të një shoqërie patriarkale ku puna, dëshira e pasioni për të arritur diçka në jetë, në një fshat të tillë konsiderohej shenjë e mosrespektimit të burrit. Por, regjisorja, frikën, brengën e shpresën i ngërthen në një fuqi të vetme, përmes së cilës personazhi i Fahrijes arrin të realizojë edhe marrëveshjen e shumëpritur me një blerës të një supermarketi për të shitur ajvarin e përgatitur nga duart e tyre të arta.

E se si ka filluar çdo nisje e një biznesi të vogël në Kosovë, filmi e tregon këtë më së miri. Heshtja e vazhdueshme e rolit kryesor të luajtur nga aktorja Yllka Gashi, ndaj jo vetëm epiteteve të ndyra që vinin nga burrat e atij fshati, problemeve që i shkaktonin asaj për arsyen se ajo ka arrirë të ngasë një makinë, thashethemeve, sulmeve fizike, por edhe mosbesimit të shfaqur nga dy fëmijët e saj, tregon se regjisorja pavarësisht pengesave të vazhdueshme, vazhdimisht nxjerr në pah rëndësinë e arritjeve të Fahrijes të cilat janë krejtësisht natyrale e të domosdoshme për të mbijetuar pa pasur frikë deri në palcë.

‘’Zgjoi’’, një xhevahir kinematografike, përqendrimin e ka në fuqizimin e personazheve të cilat kanë një synim apo mision, e për të cilën edhe pas dështimeve të shumta, biznesi i tyre vazhdon të jetësohet tutje. E teksa këto gra vajtonin zhdukjen e personave më të dashur, për të cilët nuk dihet se ku gjenden, ato vazhdojnë të ‘lundrojnë’ në jetë po njëlloj si lundrimi i shpresave e ëndrrave të tyre, pavarësisht habisë së madhe që ka kapluar fshatin nga arritjet e tyre këmbëngulëse e të njëpasnjëshme.

Fahrija, një rol me përmbajtje të guximshme, përfaqësoi një numër të madh grash në fshatin kosovar, burrat e të cilave u zhdukën gjatë luftës e trupat e tyre nuk janë gjetur kurrë. Kurse përpjekjet e autoriteteve për të gjetur të zhdukurit ishin tejet zhgënjyese. Zgjuarsia e Fahrijes, mbi kaloi sfidat që banorët e fshatit me një mendësi të palëkundur kishin shtruar para rrugëtimit të saj, duke fuqizuar kështu një komunitet të grave për të qenë të pavarura.

E gjithë kjo histori e ngërthyer brenda 1 ore e 24 minutave, paraqiti shfaqjen e jashtëzakonshme e shumë emocionuese të aktores Yllka Gashit dhe debutimin e rrallë të regjisores Blerta Basholli. E momentet kulminante që hynin thellë brenda shpirtit njerëzor të pranishëm, ato nga të cilat nuk ka nevojë për fjalë, ishin pikërisht shkrepjet e kamerës në një distancë të afërt ndaj gjelbërimit të pasur e ujit të kaltër, që portretizuan faktin se përmes dëshpërimit në heshtje, kjo histori intime arriti të tregojë detajet e vogla se si bletët paksa agresive qysh në fillim, rolit kryesor i kanë gumëzhuar në vesh për të ecur drejt pranimit të faktit që një ditë eshtrat e burrit të saj do të jenë në një nga ato qeset e bardha që mbërrijnë me kamionë të mbushur e ku më në fund paqja do të mbizotërojë në shpirtin e saj.

Pas shfaqjes së filmit që u shoqërua me qetësinë absolute të të pranishmëve por edhe me zhurmën e përditshme të qytetit, ishin duartrokitjet e brohoritjet e publikut që thyen heshtjen e gjatë duke mos u ndalur në asnjë sekondë të vetme. E në mesin e tyre ishin edhe ekipi i filmit ‘Zgjoi’ të cilët ngadalë dolën në skenën e Teatrit Kombëtar për një fjalë rasti.

“Fillimisht, jemi shumë të emocionuar për shkak të temës. Ne po qajmë sonte e Fahrija e familjet që i kanë personat e pagjetur, qajnë çdo ditë edhe i presin çdo ditë edhe ende nuk i kanë gjetur më të dashurit e tyre”, thotë Basholli.

Sipas saj, ajo shpreson se filmi ka arritur që sado pak të portretizojë dhimbjen e tyre për arsye se ka qenë shumë e vështirë, mirëpo në anën tjetër përkundër dhimbjes që këto gra e kanë edhe sot, ato e kanë gjetur forcën që të punojnë për fëmijët e tyre e për të mbijetuar përkundër paragjykimeve, pengesave, e vështirësive tjera që i kanë pasur si gra.

“Pa këto gra, pa Fahrijen, as Krusha e Madhe nuk do të ishte e njëjtë sot, e as Kosova nuk do të ishte e njëjtë sot, as për mua e as për vajzat tjera, e as për djemtë e burrat sepse puna e tyre na ka bërë që ti perceptojmë ndryshe gratë. Për mua, Fahrija ka qenë inspirim prej ditës së parë që e kam takuar, ashtu edhe gjithmonë do të jetë”, përfundon Basholli.

Po ashtu, Fahrije Hoti, jeta e së cilës është shndërruar në film artistik, tregoi rreth kësaj eksperience të veçantë.

“Ka qenë e vështirë në vitin 1999 por tash Krusha ka një format krejt tjetër ku tash edhe burrat kanë nisur të bëjnë ajvar. Pavarësisht nga gjithë ajo që e kam përjetuar unë, por edhe shumë gra të tjera, Krusha tani zhvillon një ekonomi shumë të mirë” ka thënë Hoti.

Kurse, sot në një konferencë për media për të treguar më shumë rreth rrugëtimit të filmit ‘Zgjoi’, të pranishëm ishin regjisorja dhe skenaristja Blerta Basholli, producenti Yll Uka dhe producenti Valon Bajgora.

“Për ne është kënaqësi me qenë në PriFest në Prishtinë për të shfaqur filmin. Ne kemi kaluar shumë mirë me publikun tonë. E për çmime është shumë mirë që i kemi por tani shohim se si do të na shkojë në PriFest”, thotë Basholli.

Sipas saj, kur filmi është bazuar në ngjarje të vërtetë, përgjegjësia ka qenë shumë e madhe, e aq më tepër kur bëhet fjalë për një temë kaq të ndjeshme siç është tema e personave të pagjetur në Kosovë.

“Për mua ka qenë sfidë shumë e madhe sepse Fahrija ka qenë shumë në televizion e në filma dokumentarë dhe normalisht është që të mendojmë se çka duhet të mbajmë në film e çka jo sepse duhet të përcjellësh vijën dramaturgjike. Ajo ka qenë pjesa më sfiduese sepse në kuptimin e artistikes dhe dokumentarit, ne e kemi zgjedhur një qasje dokumentareske për shkak të vërtetës, të realizmit sepse doja të kem një qasje më realiste në film edhe një qasje ku fokusohet aktrimi dhe karakteri kryesor”, thotë Basholli.

Ndërsa, producenti Yll Uka foli rreth se sa me fat është industria e filmit që arrin ti tregojë temat interesante që posedon Kosova.

“Ne jemi shumë me fat që kemi shumë tema interesante. Kritikë të filmit gjithmonë na kanë thënë se kemi tema shumë të mira që Evropa nuk i ka e sidomos Kosova. E sukseset e viteve të fundit në kinematografinë e Kosovës, pikërisht kanë qenë këto tema. Unë besoj dhe do kisha dëshirë që edhe të tjerët të punojnë sa më shumë me këto tema”, thotë Uka.

Po ashtu, producenti tjetër Valon Bajgora, tregoi përshtypjet e tij ndaj çmimeve të fituara nga një vend i vogël sic është Kosova.

“Ne jemi një popull i vogël por kemi kujtime shumë të mëdha. Kur ballafaqohemi me filma të tjerë në festivale që kanë tema të tjera, e temat tona janë tema sociale të cilat trajtojnë etapat në të cilat ka kaluar populli ynë, dhe kur arrijmë që të fitojmë çmime atëherë kjo neve na bënë shumë krenarë dhe na inkujaron që ne të vazhdojmë tutje sepse tregimet tona kanë interes”, thotë Bajgora.

Fahrije Hoti, jeta e së cilës është shndërruar në film artistik të metrazhit të gjatë nga Kosova, “Zgjoi”, me regji nga Blerta Basholli, bëri historinë duke fituar tri çmimet kryesore të “Sundance Film Festival”: Filmi më i mirë, Regjisorja më e mirë, dhe Çmimi i publikut.

Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj; me producent Yll Ukën, drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë Valon Bajgorën, Agon Ukën, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n.

“Zgjoi“ është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicërr), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Industria Film dhe Ikonë Studio me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV. / KultPlus.com