Nëna e qëndresës dhe sakrificës – figura e Zahide Jasharit përjetësohet më 18 qershor

Në Ditën e Lirisë, në oborrin e çerdhës “Nëna Zahide” në Skenderaj, do të vendoset një skulpturë kushtuar Nënës Zahide Jashari, nënës së heronjve Adem e Hamëz Jashari.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, i cili tha se kjo skulpturë është më shumë se një monument – është një simbol i dashurisë së nënës për fëmijën dhe i dashurisë së një kombi për lirinë.

“Nëna Zahide nuk ishte vetëm nënë e familjes Jashari, por nënë e gjithë kombit. Ajo përfaqëson sakrificën, qëndresën dhe dashurinë e pakusht për atdheun,” tha Nura.

Skulptura e re do të vendoset në ambientet e jashtme të çerdhës dhe do të jetë një kujtesë e përhershme për brezat e rinj që rriten aty. Sipas Nures, përmes kësaj vepre, Skenderaj nderon jo vetëm Nënën Zahide, por të gjitha nënat shqiptare që kanë sakrifikuar për liri./Kult Plus.com

Kur burrat luftonin kundër policisë serbe, Zahide Jashari u jepte kurajo rejave, mbesave dhe nipave

Zahidja ka qenë bija e Shaban Gecit nga Llausha e Drenicës. Lindi në vitin 1924 Ishte motër e vetme e katër vëllezërve. Familja Geci e Llaushës ka qenë ndër familjet më të shquara të Drenicës, e njohur për besëmbajtje, trimëri dhe rezistencë kundër të gjithë pushtuesve. Zahidja, e cila në moshën 17-vjeçare, u martua me Shaban Jasharin e Prekazit.

Nga kurora e harmonishme martesore e Zahides me Shaban Jasharin, atyre u lindin 14 bij e bija, nga të cilët u rritën dhe u trashëguan: Hava, Rifati, Zyla, Zoja, Hamza, Ademi, Qamilja dhe Halimja.

Në rrethimin e parë të kullës, më 30 dhjetor të vitit 1991, nënë Zahidja u jep zemër bijve.
Në kohën kur bijtë, Hamza dhe Ademi, kishin filluar jetën ilegale, zemra e nënës nuk gjen dot qetësi, por nuk jepet. Djali tjetër, Rifati, ishte tretur në gurbet, në Gjermani.

Më 22 janar të vitit 1997, sapo kishte ngrënë syfyrin me bashkëshortin Shabanin, të birin Hamzën dhe rejat, breshëria e armëve të serbit kishte goditur kullën. Nënë Zahidja, edhe në moshën 74-vjeçare, nuk jepet. Kur burrat luftonin kundër policisë, ajo u jepte kurajo rejave, mbesave dhe nipave të vegjël.

Në orët vendimtare të historisë sonë më të re, që ndodhi në Prekaz të Drenicës, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, nënëmadhja Zahide Jashari, ndodhej në bodrumin e fortifikuar të kullës, vetë e trembëdhjeta, me rejat, mbesat dhe nipat. Edhe pse plakë dhe e kërrusur nga vitet e rënda të jetës, nënë Zahidja iu jepte kurajo të gjithëve, duke mbështetur besimin e saj te “zoti i gjithëfuqishëm”.

Bashkëshorti, Shabani, së bashku me bijtë, po luftonte. Tri ditë ngujuar në bodrum me fëmijët dhe rejat. Ditën e tretë të rrethimit dhe të qëndresës heroike, predha e topit 220 milimetërsh, kishte goditur bodrumin.
Burimi: RadioKosovaeLirë