“Burri shqiptar është i frustrum deri maje koke, ky vend ka nevoje për “liberalizim” seksual”

Shkruan Zana Avdiu

Definitivisht, burri shqiptar është i frustrum deri maje koke, ( përjashtim i një numri të vogël).

Kudo që lexon ose komente nga ata ( në portale, në profile të çikave e grave, në faqe sporti, lajmeve, kulturë, shëndetësie etj etj), apo te bjen edhe me diskutu me ta nga afër, sheh frustrim të madh, te secili.

Burri shqiptar s’mundet me marrë me mend qe jo çdo njeri të pëlqen dhe don me pasë diçka me të. Ai s’mundet me frenu veten as kur është ne detyre zyrtare: si mjek, si profesor, si mësues, si polic, si zjarrfikës, si pastrues, si futbollist, si gazetar, si avokat, gjyqtar a prokuror, etj etj.. secilën grua e sheh si cope mishi, për shfrytëzim seksual. E tu kane kështu, mendon që edhe secila grua çdo burrë e sheh ashtu.

Tash së fundi, çikat edhe gratë janë tu anku nga policia, se vend e pa vend po i ndalin ato, arsye pa arsye, vetëm e vetëm te ua mësojnë emrin, edhe ta shfrytëzojnë pozitën e tyne për përfitime personale seksuale.

Për mjekë, profesorë universitar, gjyqtare e avokat, kjo punë u kane e dijshme moti. Kush ma shumë se ata nuk e keqpërdorë pozitën, për përfitime seksuale, me ata që janë në nevoje për ta. Dhe jo vetëm këta, por edhe secili burrë që ka pak pozitë, mundësi e hapësirë me keqpërdore, e bënë.

Ama, çudia është, qysh ka mundësi bash secila grua a çikë që kalon para syve te tyne, me iu pelqy? A është e mundun, që këta njerëz (burrat shqiptarë) janë kaq me fat, sa secili njeri me kane në formatin e shijeve dhe preferencave të tyne?!

Unë mendoj që është e pamundun. Madje, ndodh që takon me qindra e mijëra njerëz ndoshta, dhe asnjani apo asnjana nuk është në preferencat e tua. Nuk të pëlqen. Edhe nuk mundet me të pëlqy secili njeri… po kjo tregon që ata janë qaq të frustrum, saqë fytyrat e mendjet, as që ua dallojnë.

Masi jeni kaq të dhanun mas seksit, kaq të frustrum, pse e keni ba tabu këtë punë? Pse e keni vendos “moralin” aty, dhe e keni ba te ndalum?

Ky vend ka nevojë për liberalizim seksual, që njëherë e përgjithmonë me heq frustrimin, që po ju shtyn me ba edhe krim: si kushtëzim seksual, detyrim e përdhunim. Kthjelluni!/ KultPlus.com

Dhunimi seksual i një të miture, do të duhej të çonte disa në shtëpi e disa në burg

Nga Zana Avdiu

Mësuesi- të cilit ia besojmë fëmijën tonë dhe të ardhmen e tij;
Polici- të cilit ia besojmë sigurinë dhe jetën tonë;
Mjeku- të cilit ia besojmë edhe shpirtin tone;
Këta të tre, kanë dhunuar një të mitur për më shumë se një vjet.

Te na, vendet që je më së shumti në rrezik janë këto institucione.

Nuk kalon një ditë e vetme, që nuk ndodh një skandal tronditës, brenda këtyre institucioneve, por ajo çka të çmend edhe më shumë është komoditeti i ministrave të shëndetësisë dhe atij të arsimit, heshtja e drejtorit të përgjithshëm të policisë dhe atij të stacionit në fjalë, heshtja e kryetarit të komunës e drejtorit të arsimit, heshtja e deputetëve e heshtja e të gjithëve që mbajnë përgjegjësi.

Ministri i shëndetësisë, përkundër skandaleve pafund, heshtë dhe nuk flet, të njëjtën e bënë ministri i arsimit, e të njëjtën edhe drejtori i policisë dhe ministri i brendshëm, që kanë përgjegjësi direkt për këtë.

Në momentin që doli ky lajm, është dashur të skandalizohet i gjithë vendi, e do të duhej të deklaroheshin personat përgjegjës, deri tek kryeministri.

Pse duhet të deklarohen? Sepse, lajmi i mbrëmshëm ishte vula e gjendjes së rëndë e mjeruese, dhe të rrezikshme në të cilën gjendet shoqëria jonë e sidomos vajzat dhe gratë.

Dhunimi seksual i një të miture, nga profesori pastaj nga polici, e krejt në fund nga mjeku, do të duhej të çonte disa në shtëpi e disa në burg, menjëherë, e jo të heshtet e të sillemi sikur s’ka ndodh asgjë.

Por, edhe ne (populli) duhet të reagojmë, duhet të ngitemi në këmbë e të kërkojmë drejtësi dhe përgjegjësi, për vajzën e mitur. Ne duhet të jemi zëri dhe mbështetja më e madhe e saj.

E le ta dimë, që nëse sot heshtim, nesër secilit prej nesh do t’i ndodh e njëjta gjë.

Nëse nuk e bëni për vajzën në fjalë, bëjeni së paku për fëmijët tuaj, të cilët nesër mund të jenë viktima të një krimi të ngjashëm. Përgjegjësit, duhet të përgjigjen, për krimet e bëra. Nuk duhet të heshtim! Mos të heshtim! Sepse, nëse sot ne heshtim, nesër do të na ndodh neve e njëjta gjë, por atëherë s’do të jetë askush që do të flet e veprojë, për ne! 

———————————————————————
“Së pari ata erdhën për socialistët, dhe unë nuk thash asgjë – Sepse unë nuk isha socialist.

Pastaj ata erdhën për sindikalistët dhe unë nuk thash asgjë – Sepse unë nuk isha sindikalist.

Pastaj ata erdhën për çifutët, dhe unë përsëri nuk thash asgjë – Sepse unë nuk isha çifut.

Pastaj ata erdhën për mua, dhe nuk kishte mbetur njeri për të folur për mua.” – Martin Niemöller

“Gratë, njëherë e përgjithmonë duhet me heqë dorë prej arit, dallamave, dimijave, e këtyre broçkullave tjera të zbukurimit”

Shkruan Zana Avdiu

“Gratë, njëherë e përgjithmonë duhet me heqë dorë prej arit, dallamave, dimijave, e këtyre broçkullave tjera te zbukurimit.

Secila grua duhet të dalë prej moçalit në të cilin gjendet. Ka ardh koha me kuptu secila grua, që ajo nuk është objekt zbukurimi, seksi e prodhimi.

Ndaloni ti kushtoni rëndësi dukjes së jashtme, por jepni rëndësi asaj që duhet me ia dhanë, kokës! Luftoni pak që ta merrni atë që ju takon, sepse të drejtat e juaja askush nuk ua jep, ju vet duhet ti merrni ato.

Gjendja e gruas te shqiptarët në përgjithësi është e mjerueshme. Nuk janë të arsimuara, nuk trashëgojnë, nuk gëzojnë asnjë privilegj njerëzor. Vlera e gruas qëndron vetëm te kilogramët e arit që ajo i vë në trupin e saj, flokëve të gjatë, linjave seksi, edhe aty përfundon.

Mungesa e madhe e arsimimit të grave, mbyllja e tyre nëpër shtëpi, trajtimi i tyre si vegla nën shërbimin e burrit, sigurisht ka bë që ato çdo rëndësi të ia kushtojnë vetëm dukjes. Edhe tash, që kanë një hapësirë ma të madhe të lëvizjes, janë të përqendruara vetëm tek fiziku. Fundja, në këtë shoqëri superpatriarkale, gruaja është objekt zbukurimi e kënaqësie, dhe si e tillë duhet të investojë aty ku e ka vlerën.

Pra, në dukje.

Por kjo nuk është ma e keqja, por është që gratë po vazhdojnë ta pranojnë këtë, duke e ndihmuar që edhe më tutje të zgjasë kjo gjendje e mjerueshme. Gratë janë mirëmbajtëset ma të mëdha të patriarkalizmit për momentin. Po refuzojnë me çdo kusht që ta ndryshojnë këtë gjendje.
Të gjitha gratë për momentin rëndësinë më të madhe i kushtojnë: martesës, fustaneve, dimijave, dallamave dhe arit dhe sigurisht mirëmbajtjes së patriarkalizmit. Secila vajzë e re është e dhënë pas grimit, thonjve, veshjes dhe stolive. Më së shumti gratë të kundërshtojnë dhe kritikojnë, kur dikush flet kundër dhunës së grave dhe të drejtave të tyre. Në asnjë grup, ku ka veç gra nuk e gjen një diskutim që do të ishte i dobishëm për ato dhe të ardhmen e tyre. (Normal, duke e përjashtuar një numër të vogël, këtu).

Edhe gratë, ma shumë se burrat bile, refuzojnë që vajzat të trashëgojnë, të shkollohen, të gëzojnë të drejta të barabarta me djemtë si në punësim e martesë e kudo. E mjerueshme është dëshira e tyre për me pas fëmijë djem, një trashëgimtar të fisit.

Pse? Çka po ua thotë mendja?

Dilni nga mendësia e dallamave e dimijave, kanaxheqeve e ditave të grave. Heqni dorë me u zbukuru si bredh dhe me konsideru veten si vegël e burrave.

Të dashura gra, ju jeni njerëz dhe jo objekte zbukurimi, seksi e prodhimi, andej edhe trajtojeni vetën si të tillë.” /KultPlus.com