Shkëlqimi dhe ‘rënia’ e Zana Nimanit

Rreth vitit 1980 këngëtarja Zana Nimani ishte një yll shqiptar në Beograd.

Zana ishte këngëtarja më e njohur shqiptare në Ballkan. Asnjë këngëtar nga Shqipëria as Kosova, në ato vite nuk kishte popullaritetin e Zana Nimanit jashtë botes shqiptare .

Ajo u lind në Beograd , në vitin 1962. U shkollua dhe u afirmua, në kryeqytetin e nacionalizmit antishqiptar. Viteve të 80-ta, në Beograd akoma jetonin rreth 20,000 shqiptarë.

Zana Nimani ishte e bija e Antigona Nimanit, spikeres së parë televizive shqiptare nga Kosova. Prindërit e saj jetonin e punonin në Beograd. I ati i saj ishte ministër federativ i rezervave shtetërore. Zana kishte diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Beograd, ndaj në muzikë hyri rastësisht. Ajo u popullarizua shumë shpejtë si soliste e grupit “Zana” i cili u pagëzua sipas emri të saj.

Ndonëse Zana ishte bërë yll e idoll i gjeneratës së saj, pas shpërthimit të demonstratave shqiptare në Kosovë në vitin 1981, ajo e kuptoi se nuk ishte e lehtë të jesh shqiptar në Beograd, madje as atëherë kur prezantohesh si “jugosllav”.

Në vitin 1990 edhe Zana me prindërit mërgoi në Suedi, ku u martua. Pak kohë më vonë, u vendos në Toronto të Kanadasë.

Sot, me bashkëshortin Gjorgjio dhe një vajzë – Tea, Zana Nimani bën një jetë të qetë e anonime familjare. Ajo tani është biznesmene e suksesshme e cila merret me shitblerjen e pasurisë se patundshme. Fama, shkëlqimi e muzika e dikurshme, kanë mbetur vetëm në fotografi e albume të kohëve të shkuara. Njëra ndër këngët e sajë më të popullarizuara qe dëgjohet shumë edhe sot është ajo me titull Dodirni mi Kolena, shkruan Albumi AK.

Grupi “Zana” i cili edhe sot mban emrin e Zana Nimanit , pas 30 vitesh ekzistencë vazhdon karrierën. Drejtuesit e tij, kanë ftuar disa herë Zana Nimanin që të bashkohet me ta, mirëpo ajo ka refuzuar. Zana shqiptare e Beogradit, tani është Zanë e Kanadasë, por jo edhe e muzikës. / KultPlus.com