Një shoqatë ndërkulturore në nder të ikonës arbëreshe Zef Kakoca

Miqtë e kantautorit arbëresh Zef Kakoca, që u nda nga jeta në shkurt të këtij vitit për shkak të COVID-19, kanë themeluar “Shoqatën Ndërkulturore Ndërkombëtare Zef Kakoca”.

Lajmin e bën të ditur studiuesi Italo Elmo, i cili gjithashtu shkruan për procedurat e fundit të realizimit të dokumenteve të shoqatës. Pjesë e kësaj shoqate do të jetë organigrama “Amici di Zef” (Miqtë e Zefit), që do të ruajë dhe promovojë përmbajtjet kulturore, artistike dhe didaktive të nisura prej vitesh nga poeti dhe kompozitori Kakoza.

Për mbrojtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë artistike, muzikore, gjuhësore, dhe didaktike të Kakocës, është parashikuar që brenda shoqatës të krijohen sektorë të veçantë sipas kategorive të nismave që synohet të çohen përpara.

Ngjarja “Nata e Oskarëve në Arbëri”, Koncerti i Artistëve dhe Grupeve të Folklorit të ndryshëm në kujtim të Zef Kakocës, do të kurohet nga artistët e pranishëm në Shoqatë; Çmimi kombëtar për poezinë në arbërisht “Zef Kakoca”: Jemi një kulturë çë ngë mënd vdes” do të kurohet nga mësuesit e pranishëm në shoqatë, ndërsa ngjarja ndërkombëtare “Pisepiselle” (Festivali i këngëtarëve të vegjël arbëreshë), u është besuar për drejtim personave dhe grupeve folklorike të pranishme në shoqatë. Sektorët tjerë do të shtrijnë aktivitetet në fusha si etnomuzikologjia, riti fetar, gjuha arbëreshe, trashëgimia kulturore e prekshme dhe e paprekshme e traditës arbëreshe, si dhe sektori i promovimit të turizmit, medias dhe marrëdhënieve kombëtare dhe ndërkombëtare./ KultPlus.com