Rasti Zeqir Veselaj, doktoratura me shumë përshkrime dhe kopjime

Rasti Zeqir Veselaj / ADMOVERE

Në vitin 2006 Zeqir Veselaj kërkon nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) që t’ia nostrifikojë doktoraturën e mbrojtur më 2005 në Universitetin e Tiranës me titull «Mycoflora në disa masive pyjore të Kosovës». MAShT-i kërkon vlerësimin e një komisioni për këtë doktoraturë. Komisioni i krijuar nga profesorë të Departamentit të Biologjisë të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore në UP konstaton në raportin e lëshuar se doktoratura e Veselajt, «përmban gjëra që nuk janë rezultat i punës së kandidatit», «ka shumë përshkrime dhe kopjime» dhe se «kapitujt ku bëhet fjalë mbi […] njohuri për vegjetacionin, kandidati i merr tërësisht nga dr. Ferat Rexhepi». Megjithëkëtë, MAShT-i e nostrifikon diplomën e Veselajt. Gjetjet për plagjiaturë të këtij raporti bëhen publike nga «Zëri» vetëm më 2015, kur Veselaj emërohet anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së. Veselaj i paraqet ankesë Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) kundër raportimit mediatik me pretendimin se i është dëmtuar rëndë personaliteti. KMShK, pasi siguron një kopje të raportit të ekspertëve të FShMN-së, vendos se nuk ka shkelje të Kodit të Mediave të Shkruara. Veselaj ligjëron në Fakultetin e Edukimit në UP që nga viti 2007, madje më 2011 avancohet në profesor të asocuar dhe ligjëron në nivelet Bachelor dhe Master.

—–
ADMOVERE ka përmbledhë të gjitha rastet e plagjiaturave të pjesëtarëve të stafit akademik të UP-së, për të cilat është raportuar në media përgjatë viteve, që nga vetë themelimi i UP-së. Nga gjithsejt 16 pjesëtarë të stafit akademik të UP-së të cilëve u janë shpalosur plagjiaturat në media, shumica nuk kanë reaguar asnjëherë ndaj akuzave. Prej këtyre 16 rasteve, vetëm tre janë suspenduar nga procesi mësimor, mirëpo që të tre më pas janë kthyer. Vetëm njërit – që nuk ka qenë mësimdhënës i rregullt, por i angazhuar – i është ndërprerë kontrata e punës. Pra, edhe kur zbulimet e plagjiaturave të pjesëtarëve të stafit akademik janë publikuar nëpër media, plagjiatorët jo veç që nuk kanë dhënë dorëheqje, por në shumicën dërrmuese të rasteve, as që u janë nënshtruar masave. Në ato pak raste kur ndonjë masë është ndërmarrë, ajo është shfuqizuar më pas.