30 vjet nga zgjedhjet e para kur Ibrahim Rugova u votua për president

24 Maji i vitit 1992 është një datë e shënuar në historinë e lëvizjes politike dhe të rezistencës së Kosovës drejt pavarësisë së saj. Atë ditë janë organizuar zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale. Zgjedhjet u organizuan duke u mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës të miratuar me 7 Shtator 1990 dhe në Ligjin mbi Zgjedhjet Parlamentare dhe Presidenciale në Republikën e Kosovës.

Zgjedhjet i përcollën vëzhgues të huaj nga SHBA-të, Anglia, Gjermania, Franca, Danimarka, Norvegjia.  Këto zgjedhje, përkundër gjithë pengesave nga pushteti serb, ishin mbuluar shumë mirë nga mediat. Zgjedhjet i kanë përcjellë 82 ekipe, apo gazetarë nga vende të ndryshme. Në këto zgjedhje me votë plebishitare për President të Republikës së Kosovës ishte zgjedhur Ibrahim Rugova.

Ibrahim Rugova u zgjodh katër herë President i Kosovës: dy herë me votë të drejtpërdrejtë popullore (1992, 1998), dy herë në Kuvend (2002, 2004). Më 24 maj 2004, kur 24 maji u shpall Dita e Presidentit, duke njohur rëndësinë e zgjedhjeve të 24 majit të vitit 1992, kur për herë të parë Presidenti i Kosovës u zgjodh me votë të drejtpërdrejtë, Presidenti Rugova ka thënë: Këto zgjedhje janë përkrahur nga i gjithë populli i Kosovës, me përkrahje të gjerë e masive.

Po ashtu në formë demokratike qytetarët shprehën vullnetin e tyre politik për Presidentin dhe për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Këto zgjedhje kanë hyrë në analet e historisë më të re të Kosovës si ditë e rëndësishme dhe e shënuar, ndërsa janë regjistruar në të gjitha dokumentet e rëndësishme ndërkombëtare dhe në publikimet e ndryshme enciklopedike për funksionimin e shoqërisë dhe të shtetit të Kosovës. / KultPlus.com