Kolegji Elektoral konfirmon Bidenin president

Lansing-Michigan, SHBA, 14 dhjetor (Reuters) – Shtet pas shteti, kolegjet elektorale kanë konfirmuar të hënën demokratin Joe Biden për president të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke i dhënë fund përpjekjes së kahershme të Donald Trumpit për t’i përmbysur rezultatet zgjedhore.

Anëtarët e Kolegjit Elektoral nga Michigani, Pennsylvania, Georgia, Wisconsini dhe Arizona – shtet ky vendimtar që Bideni e fitoi dhe për të cilin Trumpi ka ngritur pa sukses proces gjyqësor – kanë dhënë votat e tyre elektorale në favor të ish-nënpresidentit amerikan.

Votat e Kolegjit Elektoral, rëndom një formalitet, kanë fituar një rëndësi të madhe sivjet shkaku i pretendimeve të vazhdueshme të Trumpit për mashtrime të gjithmbarshme në procesin zgjedhor të 3 nëntorit.

Rezultatet kanë treguar për javë me radhë se Bideni ka fituar 306 vota të Kolegjit Elektoral – duke e kaluar pragun e nevojshëm prej 270 sosh për fitore – pas katër vjetësh të turbullt nën udhëheqjen e republikanit Trump. Me këtë, Bideni dhe bashkëgaruesja e tij, Kamala Harris, do të marrin drejtimin e Shtëpisë së Bardhë më 20 janar.

Kalifornia, shteti amerikan me popullatën më të madhe, ia gjeneroi Bidenit 270 votat e nevojshme të Kolegjit për fitore të përgjithshme.

Pas kësaj Bideni, 78-vjeçar, u konfirmua si presidenti më i shtyrë në moshë i SHBA-së.

Ai ka mbajtur edhe një fjalim vonë të hënën, sipas kohës lokale, lidhur me votat e Kolegjit dhe ka shpalosur qëndrimin “për fuqizimin dhe qëndrueshmërinë e demokracisë amerikane”.

Elektorët në Arizona, shtet ky të cilin Trumpi e humbi në garën e sivjetme presidenciale pasi që e kishte fituar më 2016, ia konfirmuan 11 votat e shtetit Bidenit.

“Derisa do të ketë të tillë që do të shqetësohen se kandidati i tyre nuk ka fituar, është skajshmërisht joamerikane dhe e papranueshme që ngjarja e sotme të jetë diç më pak se një traditë e çmuar, e mbajtur me nderim dhe në festë”, ka thënë sekretarja e Shtetit të Arizonës, Katie Hobbs, gjatë votimit.

Demokratja Hobbs ka thënë se pretendimet e Trumpit për mashtrime zgjedhore kanë “hapur rrugën për kërcënimet me dhunë kundër meje, zyrës time dhe atyre që ndodhen në këtë dhomë”, duke u bërë jehonë raporteve të ngjashme për kërcënime dhe frikësim në shtetet e tjera amerikane.

Nën sistemin e ndërlikuar që daton qysh nga vitet 1780, një kandidat zgjidhet president i SHBA-së jo duke e fituar shumicën e votës popullore, por nëpërmjet sistemit të Kolegjit Elektoral, i cili i përcakton votat elektorale të 50 shteteve dhe të Distriktit të Columbias, kryesisht bazuar në madhësinë e popullatave të tyre.

Elektorët janë kryesisht besnikë të partive, të cilët e përfaqësojnë kandidatin fitues në shtetet e tyre, me përjashtim të Maines dhe Nebraskas, që mund t’ua japin votat e Kolegjit Elektoral edhe një kandidati tjetër.

Trump ka paralajmëruar muajin e shkuar se do të largohej nga Shtëpia e Bardhë po qe se Kolegji Elektoral voton për Bidenin, por që atëherë ka vazhduar me fushatën e tij të pashembullt për rrëzimin e fitores së tij, duke ngritur padi të pasuksesshme për të kërkuar numërim të sërishëm të votave nëpër shtete.

Gjasat që votimi i së hënës ta sprapste fitoren e Bidenit nga 3 nëntori ishin pothuajse të barabarta me zero. Pas përmbylljes së votimit në Kolegj, e vetmja kartë e mbetur e Trumpit për përmbysjen pothuajse të pamundur të rezultatit do të mbetet ajo për ta bindur Kongresin që të mos i certifikojë rezultatet më 6 janar.

Në zgjedhjet e vitit 2016, Trumpi i kishte fituar votat e Kolegjit Elektoral, ndonëse i kishte humbur ato popullore ndaj demokrates Hillary Clinton me një dallim prej afro 3 milionë votash./ KultPlus.com