Vdes në moshën 94-vjeçare aktori i njohur Zija Grapshi

Ka ndërruar jetë në moshën 94-vjeçare aktori i njohur shqiptar, Zija Grapshi, i cili njihej nga publiku si “gjyshi i përrallave”.

Ai lindi në Gjirokastër dhe përfundoi Liceun Artistik “Jordan Misja” në vitin 1952.

Grapshi nisi karrierën e tij artistike në vitin 1949 në grupin filodramatik pranë Radio Tiranës. Gjatë viteve interpretoi role të ndryshme në komedi, në Teatrin e Estradës së Shtetit dhe në Teatrin Popullor.

Ka qenë pedagog në Institutin e Lartë të Arteve për disa vite. Në mbi 160 shfaqjet e shumta të teatrit të kukullave ku mori pjesë, ka luajtur në përgjithësi role kryesore, ku u bë i dashur për fëmijët me rolet e Shvejkut (1957), Ivanit të madh (1959), sidomos me figurën e Baba Vitit (1987).

Zëri i tij i veçantë, me një ngjyrim karakteristik, me aftësitë imituese, kujdesi për të qenë sa më i natyrshëm, si dhe ndjesia e vërtetësisë në marrëdhëniet me partnerët, kanë qenë disa nga cilësitë e tij interpretative më të zëshme në krijimin e figurave.

Më së shumti u bë i njohur dhe i dashur si aktor i Teatrit të Kukullave të Tiranës, ku edhe dha kontributin më të madh.

Kontributi i tij në teatrin për fëmijë dhe përkrahja e artit të kukullave e bëri atë një figurë të dashur dhe të respektuar në komunitetin artistik shqiptar./atsh/KultPlus.com