Zoran Zaev thotë se Maqedonia do ta ndihmojë Kosovën në UNESCO

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, ka thënë se Maqedonia do të ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

I pyetur nëse Maqedonia do të përkrahë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, Zaev nuk e ka mohuar një gjë të tillë.

“Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e Maqedonisë për anëtarësim në UNESCO. Ne do të ndihmojmë edhe në normalizimin e raporteve me Serbinë pasi edhe atë e kemi shtet fqinj”, ka përfunduar Zaev.

Kosova pati një tentim të dështuar që të antarësohet në UNESCO, ndërsa këtë vit ka vendosur që të mos aplikojë fare. Dokumentimi i herës së kaluar dështoi pasi Serbia pati prova se kosovarët kanë shkatërruar një pjesë të trashëgimisë ortodokse serbe në Kosovë, në trazirat e marsit të vitit 2004. / KultPlus.com

Në Shkup protestë kundër propozim-legjislacionit për gjuhën shqipe

Më se 100 vetë janë tubuar mbrëmë para Parlamentit të Maqedonisë për të protestuar kundër propozim-legjislacionit për zgjerimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në gjithë Maqedoninë, derisa ligjvënësit e kanë filluar debatin për këtë dokument.

Protesta ishte organizuar nga disa organizata nacionaliste të linjës së fortë, përfshirë Kongresin Botëror Maqedonas.
Protestuesit mbanin parulla me mbishkrimin “Tradhtia nuk është demokraci” dhe kërkuan që qeveria ta tërheq këtë propozim.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka premtuar miratimin e këtij legjislacioni kur e ka arritur marrëveshjen për koalicion qeveritar me partitë shqiptare, më herët këtë vit.

Legjislacioni aktual e definon shqipen si gjuhë zyrtare, por këtë status e ka vetëm në hapësirat ku shqiptarët e përbëjnë së paku 20% të popullatës.

Shqiptarët e përbëjnë pothuajse një të katërtën e popullatës së përgjithshme të Maqedonisë, që i ka më tepër se dy milionë banorë./ KultPlus.com