Osmani fton ZRRE-në që të trajtojë me seriozitet komentet dhe t’i integrojë në mënyrë adekuate në dokumentin final

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, sot ka dërguar komentet në Raportin Konsultativ të Zyrës së Rregullatorit për Energji mbi Shqyrtimin e Strukturës Tarifore për Konsumatorët e Rregulluar të Amvisërisë të Shërbyer nën FSHU.

Në këtë dokument janë paraqitur qëndrimet e Zyrës së Presidentes lidhur me strukturën e re tarifore të propozuar nga ZRRE-ja dhe janë dhënë rekomandime konkrete të cilat do të rezultonin me respektim të parimit të mosdiskriminimit, përballueshmërisë, qasjes së barabartë dhe furnizimit të rregullt me energji.

“Për Presidenten e Kosovës, objektiv kryesor mbetet respektimi i parimit të përballueshmërisë, qasjes së barabartë, dhe furnizimit të rregullt me energji elektrike. Nisur nga kjo, kërkohet nga ZRRE që, ashtu siç e ka cekur vet në dokumentin e publikuar, të sigurohet që ‘konsultimi publik [të jetë] në qendër të politikave rregullatore efektive. Respektivisht, ZRRE-ja ftohet që me seriozitet t`i trajtojë komentet dhe rekomandimet e palëve të interesit dhe t’i integrojë ato në mënyrë adekuate në dokumentin final, në mënyrë që struktura e re tarifore të mos jetë diskriminuese dhe e papërballueshme ndaj grupeve të caktuara të konsumatorëve në vend’”, thuhet në njoftimin e dërguar nga presidenca.

Sot ka qenë dita e fundit kur palët e interesit kanë mundur të dërgojnë komente në ZRRE. /KultPlus.com