13 janar 1963, premiera e baletit ‘Halili dhe Hajria’

26 Qershor, 2021 - 8:55 pm

Data 13 janar e vitit 1963 ishte historike.

Po këtë ditë u dha premiera e Baletit të njohur “Halili dhe Hajria, baleti i parë shqiptar që hapi siparin e baleteve tjera kombëtare që do të pasonin më vonë.

Baleti u vu në skenë nga kompozitori Tish Daija dhe baletmaestër Panajot Kanaçi. Dirigjent Mustafa Krantja. Solistët e baletit ishin Ganimet Vendresha, Xhemil Simixhiu, Miltiadh Papa, Petrit Vorpsi, Zoica Haxho, Estref Shaqiri, Albert Janku dhe Engjell Tershana.

Halili dhe Hajria është një vepër baleti tërësisht shqiptare, e para në skenën e baletit shqiptar.

Në vitin 1983, kjo vepër rivihet në skenë. Krahas emrit të Llaqi Nakos, në rolin e Halilit, radhitet edhe ai i Ilir Kernit, ndërsa në rolet e tjera Albana Sulejmani, Pëllumb Agalliu, Hajdar Shtuni, Ludmill Çakalli, etj.
Më 12 dhjetor 1973 u luajt për të njëqind e pesëdhjetën herë, ndërsa në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit dhe jashtë saj u luajt mbi 250 herë. Në turnetë në Greqi, Itali, Turqi, Francë ka pasur sukses të padiskutueshëm. Në Francë është vënë në skenë nga një trupë franceze, më pas edhe në Prishtinë. Në të dy rastet baletmaestër ka qenë i madhi Panajot Kanaçi.

Drama “Halili dhe Hajria” është shkruar në vitin 1949 nga Kolë Jakova. Ajo pasqyron trimërinë e luftëtarëve të Malësisë së Madhe në ndeshje me pushtuesit turq, në shekullin XVIII. / KultPlus.com

Të ngjajshme