“55 Shades of Gay” rrugëton për në Ludwigshafen të Gjermanisë

28 Shtator, 2019 - 2:00 pm

Nesër në mbrëmje shfaqja ‘55 Shades of Gay’ e Jeton Neziraj, do të shfaqet në Theater im Pfalzbau në Ludwigshafen të Gjermanisë.

Theater im Pfalzbau është një nga teatrot më unike të këtij rajoni, i cili përpos bashkëproduksionit vendor, përqendrohet që në programin e vet përgjatë vitit të ketë mysafire shfaqjet më unike të Evropës, transmeton KultPlus.

55 shades of gay është një rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe Evropë. Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të manipulojnë e mashtrojnë zyrtarët e BE-së, mercenarët humanitarë të NGO-ve ndërkombëtare shpesh shfrytëzojnë terrenin homofob për të vjelur fonde e për të realizuar projektet e tyre sociale e edukative [të tipit të punëtorive e seminareve për mënyrën e përdorimit të kondomëve], ndërsa që zyrtarë të BE–së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre superiore financiare e politike, përpiqen t’i nënshtrojnë të gjithë.

 Në këtë trini [Manipulim. Abuzim. Nënshtrim], pyetja që shtron shfaqja është: a është i mundur një çlirim seksual [sexual liberation] në Ballkan? Ose, a mundet Ballkani ta nisë një ‘Pranverë ballkanike të revolucionit seksual’?

Në shfaqje, një çift gay bën kërkesë për kurorëzim në një qytet provincial konservativ dhe thellësisht homofob. Kërkesa bëhet në kohën kur shoqata italiane Don Bosco ka nisur në qytet ndërtimin e një fabrike për prodhimin e prezervativëve, një projekt ky që është përkrahur financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe që synon zvogëlimin e papunësisë në atë qytet ku papunësia shkon deri në 90%. Intelektualë, artistë, politikanë, përfaqësues të fesë e bombahedhës profesionistë angazhohen që kjo martesë të mos ndodhë, pavarësisht se martesa e çifteve të së njëjtës gjini lejohet me kushtetutën e vendit, të cilën kryeministri e ka nënshkruar simbas udhëzimeve të BE-së.

Në shfaqje luajnë aktorët: Tristan Halilaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Alketa Sylaj, Luan Durmishi (vokal).

Kjo shfaqje është financuar nga The Olof Palme International Center dhe Goethe Institut. Qendra Multimedia financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë. /KultPlus.com

Të ngjajshme