“55 shades of gay” sonte në Teatrin “Oda”, para nisjes për në New York

19 Shkurt, 2019 - 12:50 pm

Shfaqja “55 shades of gay” e autorit Jeton Neziraj e regji të Blerta Nezirajt, sonte shfaqet në Teatrin Oda, para nisjes për në New York, shkruan KultPlus.

Shfaqja “55shades of gay” do të udhëtojë për në New York, ku do të ketë nëntë prezentime në teatrin La MaMa,  nga 7 deri më 17 mars.

Me tekst të Jeton Neziraj e regji nga Blerta Neziraj, shfaqja sjellë në kastën e aktorëve Tristan Halilaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Alketa Sylaj dhe Luan Durmishi (vokal). Skenografia dhe kostumet janë punuar nga: Sebastian Ellrich / Muzika: Irena Popovic / Koreografia: Florian Bilbao.

Qendra Multimedia nga Prishtina, e konsideruar si ‘njëra nga kompanitë teatrore më interesante nga Evropa Juglindore’

[kazaliste.hr]

ka vendosur në skenë, në një trajtim krejtësisht politikisht jo-korrekt, një performancë argëtuese politike dhe provokative, duke prekur çështje që kanë të bëjnë me komunitetin LGBTI.

55 shades of gay është një rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe Evropë. Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të manipulojnë e mashtrojnë zyrtarët e BE-së, mercenarët humanitarë të NGO-ve ndërkombëtare, e që bukur shpesh shfrytëzojnë terrenin homofob për të vjelur fonde e për të realizuar projektet e tyre sociale e edukative [të tipit të punëtorive e seminareve për mënyrën e përdorimit të kondomëve], ndërsa që zyrtarë të BE–së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre superiore financiare e politike, përpiqen t’i nënshtrojnë të gjithë.

“55 shades of gay” shfaqet sonte në Teatrin “Oda”, duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com

Të ngjajshme