86 vjet nga lindja e aktores së papërsëritshme, Melihate Ajeti

9 Tetor, 2021 - 10:28 am

Sot është 86 vjetori i lindjes së aktores së papërsëritshme, Melihate Ajeti, e cila lindi në Prishtinë më 9 tetor 1935.

Semimaturën e kreu në Prishtinë. Vijoj shkollën e aktrimit në Prishtinë dhe bëri një specializim në Paris (Comedie Française). Aktorja numër një e teatrit prishtinas, e nisi aktrimin si 16 vjeçare më 1951 në Teatrin Krahinorë të Kosovës dhe shkriu në skenë 180 role kryesore me të cilat dëshmoi talentin, bukurin e kapacitetin e madh prej aktoreje.

Melihate Ajeti, apo siç e quanin miqtë, Meli, qe një kombinim mes të prekshmes dhe mitologjikes, mes përrallores dhe të dukshmes.

Loja e saj e jashtëzakonshme në teatër dhe në filmat “Vajza pa pajë”, “Kur pranvera vonohet”, “Trimi”, “Etja”, e bëjnë Melihate Ajetin primadonë të filmit e të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Aura e saj rrezatuese, tepër e madhe për skenën e vogël të Teatrit të Kosovës!

Shpërblimet e lëvdatat e panumërta: Për Zonjën me Kamelie – Shpërblimi i dhjetorit (1963). Joakim Vujic(1972) dhe (1975) për Hajrijën dhe Svingën. Shpërblimi i Shoqatës së Artistëve të Jugosllavisë për Ervehen (1971). Çmimi më i lartë i punës (1976). Më 1985 shpërblimi i parë për rol femre në “Shtetrrethimin” në festivalin Joakim Vujic.

Këto janë vetëm disa mirënjohje që dëshmojnë se Melihate Ajeti ishte Primadona e skenës shqiptare. Ajo vdiq më 26 mars 2005 në Prishtinë. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme