Adrian Morina e Ylber Bardhi sollën rreth dhjetë personazhe në “Hollyshit”, Bokshi i quan si dy aktorët më të mirë në shqiptari

15 Dhjetor, 2017 - 11:35 am

“Vetëm me këta dy aktorë mund të bëhet një tekst i tillë për shkak të eksperiencës dhe talentit që e kanë. Unë mendoj që janë aktorët më të mirët në shqiptari”, ka thënë regjisori Ilir Bokshi për KultPlus.

Gili Hoxhaj

Mbrëmë erdhi premiera e tragjikomedisë “Hollyshit” me regji të regjisorit Ilir Bokshi e producente Albulena Kryeziu Bokshi, shkruan KultPlus. Kjo shfaqje e bazuar në “Gurë në xhepat e tij” nga autorja Marie Jones, mbrëmë u jetësua përmes lojës së aktorëve tashmë të dëshmuar në fushën e aktrimit: Adrian Morina dhe Ylber Bardhi. Shfaqja përmbante edhe një ekip prapa skenës i cili përbehej nga dramaturgu- Shkëlzen Berisha, asistent regjie-Butrint Pasha, muzika-Art Lokaj dhe kostumografe-Albulena Borovci.

“Hollyshit” përmes personazheve të ndryshme në mënyrë shumë të saktë ironizon dhe nxjerrë në pah një situatë e cila në realitetin e përditshëm kalon pa u theksuar. Shfaqja është e zhvendosur në një pjesë të Irlandës, ndërsa flet për një qytezë-provincë e cila “pushtohet” nga një produksion hollivudian të cilët vijnë për të xhiruar një film. Statistët hollivudian duke qenë shfrytëzues, në anën tjetër dalin edhe si përçmues të statistëve irlandez.

Në qendër të storjes janë Çarlli Konllon dhe Xhejk Kuin, të cilët, sikurse shumica e banorëve të qytezës, janë punësuar si statistë filmi. Komedia rrjedhë nga përpjekjet e produksionit që të krijojnë një “ndjesi provinciale” -një nocion romantik, i cili shpesh bie ndesh me realitetin jetësor. Kur flitet për bashkëpunimin në aktrim, këtu regjisori me mjeshtëri ka futur edhe një element mjaft të rëndësishëm me përdorimin e theksit, që shpesh kalon në imitim të dobët. Po ashtu, regjisori brenda shfaqjes godet me mesazhe të fuqishme që nga mospërfillja,përçmimi duke prekur në përdorimin e substancave narkotike, e që përfundon me një vetëvrasje, që i nxjerrë në pah nuancat e tragjedisë së kësaj shfaqje.

Regjisori Ilir Bokshi tha për KultPlus se ndryshe nga që jemi mësuar të shohim shfaqje komike të cilat të dërgojnë shumë lehtë te estrada, në këtë shfaqje ai qëllimisht ka përzgjedhur një përzierje zhanresh.

“Kjo shfaqje e cila ka nuance komike, ka edhe pjesë të tragjedisë edhe dramës, qëllimisht e kemi përzgjedhur këtë tekst që në pjesën e dytë kalon në dramë, për shkak se prej estradës kthehet në një dramë të mirëfilltë dhe gati te tragjedia”, tha regjisori Bokshi. Përmes kësaj shfaqje mesazhi i një regjisori si Ilir Bokshi, nuk kishte si të mos depërtonte pa u bazuar në realitetin e vendit ku ai jeton.

“Po ndihem pak provincional në këtë vend ku jetoj në krahasim me mungesën e vizave dhe me tendencën e të tjerëve që të na quajnë provincial. Titulli kryesor është provinca, krahasuar me yjet e tjerë që po na vijnë dhe mënyrën se si po na cilësojnë”, pohoi Bokshi për KultPlus. Dy aktorë të vetëm arrijnë që skenës së Teatrit Dodona t’i sjellin një mori personazhesh, ata pa u larguar asnjë moment në prapaskenë arrijnë që në mënyrë shumë të natyrshme të shfaqen në role të ndryshme, duke sjellë situata sa komike, aq edhe ironizuese.

Regjisori Bokshi tha për KultPlus se ky kalim zhanresh, nuk mund të jetësohej më mirë nga dikush tjetër pos këtyre dy aktorëve, të cilët ai i quan si aktorët më të mirë në shqiptari.“Vetëm me këta dy aktorë mund të bëhet një tekst i tillë për shkak të eksperiencës dhe talentit që e kanë. Unë mendoj që janë aktorët më të mirët në shqiptari”, tha regjisori Bokshi. Vet aktori Ylber Bardhi tha për KultPlus se kanë hasur në shumë vështirësi në realizimin e kësaj shfaqje dinamike, megjithatë ky rezultat i suksesshëm ai e quan edhe meritë të bashkëpunimit me ekipin të kësaj shfaqje.

“Ne gjatë shfaqjes kalojmë në rreth dhjetë, dymbëdhjetë personazhe. Ka qenë pak e vështirë që nga fillimi i provave dhe nuk e dinim nëse do të mund t’ia arrinim për shkak se është një shfaqje e komplikuar sa i përket personazheve dhe skenave. Megjithatë me prova të vazhdueshme dhe me ndihmën e gjithë ekipit e veçmas regjisorit dhe mikut tim, kemi ardhur te kjo që e kemi sjellë sonte, duke bartur mesazhe të ndryshme”, tha aktori Bardhi. Kjo shfaqje është mbështetur nga Ministria e Kulturës së Kosovës, Drejtoria për Kulturë e K.K. Prishtinës dhe Teatri AAB “Faruk Begolli”/KultPlus.com

Të ngjajshme